“Kosova të ketë kujdes në dialog me Serbinë, nga veprime të ngjashme Bosnja dhe Hercegovina u kthye në një shtet jofunksional”

Politika

“Kosova të ketë kujdes në dialog me Serbinë, nga veprime të ngjashme Bosnja dhe Hercegovina u kthye në një shtet jofunksional”

Nga: H.O. Më: 8 prill 2022 Në ora: 08:33
Arkiv

Publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj në një prononcim të tij për ‘Bota sot’ duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, thotë se ‘argumetet që shpërfaqen në Kornizën ligjore për Asosacionin, Bashkësinë e Komunave Serbe, janë dëshmi bindëse se Marrëveshjet, qoftë e 19 prillit 2013, e nënshkruar nga Hashim Thaçi; qoftë ajo e 25 gushtit 2015, e nënshkruar nga Isa Mustafa, janë kundër Kushtetutës dhe kuadrit ligjor’.

“Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që ngulmoi, për ta dërguar Marrëveshjen e nënshkruar, madhe edhe të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese, e cila, në 23 nenet e saj, gjeti mospajtueshmëri flagrante me ligjet e Kosovës. Këto gjetje profesionale të Kushtetutës, e ngrinë Marrëveshjen për Asosacionin, Bashkësinë e Komunave Serbe. Edhe pse Isa Mustafa pranoi disa nga shkeljet e Kushtetutës, ai i relativizoi ato, duke i quajtur "retushime!" Pra, OK-ej dhe agjituan sforcueshëm, me Hashimin, për ta aprovuar në Kuvend Asosiacionin, "Zajednicën", siç e quante LVV”, vlerëson ai.

Zeqiraj thotë se për pak kohë, bëhen 9 vite nga nënshkrimi i parë i Marrëveshjes, për Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë.

Image
Idriz Zeqiraj

“Është thënë e shkruar shumë. Është refuzuar Asosiacioni me kompetenca ekzekutive, jo vetëm nga qeveritë e ndërruara të Republikës së Kosovës, por edhe nga populli i Kosovës, me përjashtim të komunitetit serb, i cili, me përjashtime të pakta, nuk e njeh Kosovën si shtet. Disa qeveri kanë shprehur gadishmërinë, për ta nënshkruar Asosiacionin, Bashkësinë e Komunave Serbe, duke njohur përgjegjësinë komunitetit serb në fushën e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e planifikimit urban e rural, me të drejtën shtesë të marrjes të fondeve nga Beogradi”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë se Qeveria aktuale, e LVV dhe Listës "GUXO", e kryesuar nga Albin Kurti, refuzon ta pranojë qoftë edhe Asosiacionin pa kompetenca ekzekutive.

“Dhe, këtë e argumenton, madje bindshëm, me "Analogjinë në Bosnje e Hercegovinë", duke i kujtuar datimet vendimmarrëse nga 26 prilli 1991 - kur serbët atje shpallin "Bashkësinë e komunave të krahinës së Bosnjes"; më 24 tetor 1991 - themelohet "Asambleja e Popullit Serb të BH", me seli në Banja Llukë; më 9-10 nëntor 1991 - "Asambleja..." mbanë referendum, ku 92 % votuan për pavarësinë"; më 9 janar 1992 - përfaqësuesit serbë braktisin Parlamentin e BH dhe shpallin pavarësinë nga BH; më 28 shkurt 1992 - "Asambleja.." miraton kushtetutën e Republikës Serbe të BH, - e njohur sot si "Republika Srpska"; më 14 dhjetor 1995 - përmes Marrëveshjes në Dejton, "Republika Srpska" njihet edhe ndërkombëtarisht”, thotë ai.

Zeqiraj duke marrë shembull rastin e Bosnjës thekson se edhe sot, pas 25 viteve, "Republika Serbe" është forcuar si entitet shtetëror më shumë se Bosnja e Hercegovina, e cila është kthyer në një shtet jofunksional.

“Kjo është një dëshmi shumë domëthënëse, për Qeverinë, opozitën destruktive PAN-iste dhe shqiptarët, për kujdesin që duhet bërë në dialogun aktual, Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Zërat ngulmues, për ta pranuar Asosacionin e komunave serbe, edhe pas rrjedhojave që solli shpallja e "Bashkësisë të komunave të krahinës së Bosnjes", më 26 prill 1991, duhet refuzuar me shumësinë e argumenteve, që na jep "Republika Srpska", përgjatë 25 vjetëve të fundit”, thotë ai./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat