A mund të ndryshohet Demarkacioni me Malin e Zi nga Albin Kurti?

Politika

A mund të ndryshohet Demarkacioni me Malin e Zi nga Albin Kurti?

Nga: P.R Më: 8 prill 2022 Në ora: 10:03
Albin Kurti

Pas tre vitesh protestash të dhunshme, hedhje gazi lotsjellës e kundërshtime të ashpra nga opozita e atëhershme, Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar Demarkacionin me Malin e Zi në vitin 2018 me 80 vota pro e 11 kundër.

E kur kanë kaluar tashmë katër vite që kur kjo marrëveshje është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, kryeministrit i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ka rikthyer edhe njëherë këtë temë. Kurti ka deklaruar se me qeverinë e re që pritet të vijë në Mal të Zi do të trajtohet çështja e Demarkacionit.

“Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga Qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkët të Qeverisë edhe me Maqedoninë e Veriut, me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi, pasi që të formohet atje qeveria e re. Pra shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re, për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Image
Faton Mehmeti

Por këtë gjë po e sheh të pamundur për Albin Kurtin analisti politik, Faton Mehmeti.

“Më tepër se e pamundur, duket utopike të mendohet kthimi prapa i Demarkacionit, një çështje për të cilën është investuar shumë edhe nga SHBA dhe BE. Në këtë kuptim, duke qenë se marrëveshja edhe është ratifkuar në kuvend të Malit të Zi dhe Kosovës, nuk besoj se mund të ketë kthim prapa”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, tema e Demarkacionit me Malin e Zi, mund të quhet një temë e ‘vdekur’.

“Natyrisht se Albinit i takon të thotë se do bëjmë përpjekje, megjithatë janë të kota. Demarkacioni është e vdekur si temë dhe më nuk kthehet pas”, thotë Mehmeti.

Ai e quan gabim historik të Ramush Haradinajt miratimin e Demarkacionit me Malin e Zi para katër vitesh.

“Derisa, Ramushi s’ka të drejtën të flet asnjë fjalë për demarkacionin, e vetmja fjalë që duhet të thotë është “më fal”. Çdo gjë tjetër vetëm sa e shton peshën e gabimit të tij historik me demarkacionin”, përfundon analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat