Strategjia e re e Edi Ramës për ndarjen e Kosovës/ Ja nga vjen kërcënimi më i madh

Politika

Strategjia e re e Edi Ramës për ndarjen e Kosovës/ Ja nga vjen kërcënimi më i madh

Nga: P.R. Më: 8 prill 2022 Në ora: 11:36
Edi Rama

Sipas Kryetari të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë përkrahës i idesë për ndarjen e Kosovës.

Ajo marrëveshje mbijeton ende. Nuk është se është në agjendë siç ka qenë atëherë, por ende mbijeton nëpër media, në grupe politikanësh. Ideja është që Kosova mund ta zgjidhë problemin me Serbinë me një prerje të ashpër. Edhe kjo është në këtë stil. Është një tezë që unë nuk do të doja të besoja se mund të mbijetonte në Kosovë kaq gjatë, pavarësisht se vet akterët që e kanë promovuar si të tillë, në rastin konkret Thaçi e Vuçiqi, kanë hequr dorë. Në Kosovë ende qarkullon”, ka deklaruar Kraja, duke shtuar se marrëveshja ishte mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Shqiërisë, Edi Rama.

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, lobimi për ndarjen e Kosovës do të jetë njolla më e zezë në historinë e shtetit të Kosovës dhe shqiptarëve.

Image
Enver Bytyçi

Historia e lobimit për ndarjen e Kosovës do të hyjë në historinë e shtetit të Kosovës si një nga njollat më të zeza dhe më të trishtueshme për brezat që do të vijnë. Ishte një projekt serb i sponsorizuar nga Beogradi. Por ne dimë se ai projekt është sponsorizuar në lobingje si në Francë edhe nga qeveria e Kosovës, përkatësisht ministria për integrim. Ne e dimë se ministrja e kësaj ministrie që sponsorizoi lobingje për ndarjen e vendit ishte vasale e ish-presidentit, Hashim Thaçi”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se denoncimet e kryetarit Kraja kanë hasur në veshë të shurdhër.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Kosovës, Profesor Kraja, ka qenë gjithnjë një zë i qartë në këtë çështje. Ai ka denoncuar vazhdimisht këtë veprimtari anti-kombëtare dhe të paprecedentë të lidershipit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilët i vuri në rresht Aleksandër Vuçiq dhe Aleksandër Soros! Denoncimet e Profesor Krajës për çështjen e kufijve dhe të territorit të Kosovës kanë qenë gjithnjë parimore, induktive dhe të sakta! Por ato kanë rënë në vesh të shurdhër!”, thekson Bytyçi.

Ai thotë se angazhimi i Edi Ramës për ndarjen e Kosovës kishte një prapavijë të qartë pro-serbe.

Edi Rama, Hashim Thaçi dhe mbështetësit e tyre nuk janë sensibël ndaj këshillave të akademikëve e madje as të akademive. Kam parasysh këtu reagimet e Akademisë së Shkencave të Kosovës, sepse ajo e Shqipërisë është vegël në duart e Edi Ramës, që formulon deklarime publike dhe i paraqet si studime për të mbështetur kryeministrin në politikat e brendshme ditore! Por angazhimi i kryeministrit të Shqipërisë për ndarjen e Kosovës kishte një prapavijë të qartë pro-serbe. Më e keqja është se ai bëri konspiracion në këtë çështje, u mor vesh herët, sapo erdhi në pushtet, me Aleksandër Vuçiq për mënyrën dhe metodat që do të përdoreshin për realizimin e projektit”, deklaron profesor Bytyçi.

Fillimisht e mori vetë përsipër realizimin e tij. Por kur pa se në Prishtinë reaguan ndaj paternalizmit të Edi Ramës, ndryshoi taktikë dhe u mor me rekrutimin e Hashim Thaçit në projekt. Nuk ishte presidenti serb personi i parë që e tërhoqi Thaçin në çështjen e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Ky person ishte Edi Rama”, shpjegon Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se Edi Rama vazhdon të mbetët një person i rrezikshëm për Kosovën.

Ajo që e bën Edi Ramën të rrezikshëm dhe kërcënues për ekzistencën e shtetit të Kosovës lidhet me faktin se ai nuk di të tërhiqet, nuk bën pas, nuk di të kërkojë ndjesë, nuk e pranon logjikën e diskutimit, konsultimit, bashkëbisedimit dhe bashkëpunimit me autoritetet e Kosovës dhe fraksionet politike në Shqipëri. Kjo e bën kryeministrin e Shqipërisë një person që përkushtohet në të keqen e shqiptarëve me një lloj inati e urrejtje të shfrenuar”, shprehet Bytyçi.

Për “Bota sot”, Bytyçi ka treguar kërcënimin më të madh për shqiptarët.

Kërcënimi më i madh Kosovës nuk i vjen nga projekti serb që ende qëndron në tavolinën e palës serbe për ndarjen e Kosovës. Kërcënimi më i madh i vjen asaj nga dasitë dhe përçarja e faktorit politik shqiptar në Kosovë nga ana e Edi Ramës. Përmes skemës “Përça e sundo“ veprojnë zakonisht pushtuesit. Dhe nëse e pranojmë këtë fakt, atëherë për mua Edi Rama është pushtuesi më klasik i Kosovës, integritetit dhe sovranitetit të saj! Ai është imponues në të keqen! Është e pakrahasueshëm në intriga! Është e pagabueshëm në në kurthet që ngre”, nënvizon Bytyçi.

Ai shprehet se kohët e fundit, Edi Rama ka filluar të jetë shumë aktiv në dy drejtime.

Së pari për ta përçarë skenën politike të Kosovës dhe së dyti për të përkrahur Serbinë. Përçarjen e politikës në Kosovë e nisi me takimet e para me Memli Krasniqin dhe Enver Hoxhajn. Vlora Çitakun e kishte takuar më parë. Pse i duhej të takonte tre personalitete të Partisë Demokratike të Kosovës veç e veç? Me qëllim që të krijojë dasi midis tyre. Dihet se zoti Krasniqi nuk mendon si Hoxhaj dhe asnjëri e as tjetri nuk mendojnë si Çitaku, e cila është më afër Thaçit. Me pas pamë takimin e Abdixhikut dhe Haradinajt. Pra, shkuan në zyrën e Edi Ramës të gjithë opozitarët! Vetëm përfaqësuesit e Listës Srpska nuk i ka thirrur. Por me ta komunikon përmes Baton Haxhiut”, thotë Bytyçi.

Çfarë fshihet pas kësaj? Përçarja dhe zhbërja e pavarësisë së Kosovës. Por fillimisht i duhet që t’i bëjnë presion qeverisë të pranojë Open Balkan. Pastaj ta rrethojnë e izolojnë Kosovën deri në kapitullim! Unë e di se qeveria ka kusuret e veta. Por opozita e egër që bëhet nuk lidhet thjesht vetëm me gabimet e qeverisë. Nuk ka qeveria një shkallë të tillë gabimesh që të provokojë bojkotet dhe zërat fyes në parlament! Këto bëhen me nxitje nga jashtë, nga Tirana e Edi Ramës dhe nga Beogradi!”, deklaron më tej Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thekson se po të kishte drejtësi të pavarur, atëherë do të niste hetimit ndaj Edi Ramës, Hashim Thaçit, Baton Haxhiut, Bekim Çollakut e të tjerëve, të cilët lobuan për ndarjen e Kosovës.

Gjithmonë kam qenë i mendimit se Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu, Bekim Çollaku e të tjerë do të duhet të hetohen për angazhimin e tyre në ndarjen e Kosovës, korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve. Shteti i së drejtës dhe demokratik e bën një gjë të tillë. Një drejtësi e pa kapur do ta kishte nis me kohë këtë hetim. Por fatkeqësisht nuk ndodh kjo, sepse ne nuk kemi drejtësi të pavarur. Nuk kemi prokurorë dhe gjyqtarë që venë interesin e kombit e të atdheut mbi interesin e tyre personal. Megjithatë do të vijë një ditë që në dritën e fakteve të reja që do të zbulohen dikur këto figura politike do të përfitojnë së paku urrejtjen e brezave që do të vijnë për këtë vepër të rëndë anti-kombëtare!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat