Në vend që të sanksionojnë rëndë Serbinë e Putinit, Tomas Szunyog kushtëzon Kosovën

Politika

Në vend që të sanksionojnë rëndë Serbinë e Putinit, Tomas Szunyog kushtëzon Kosovën

Nga: A.Z Më: 8 prill 2022 Në ora: 20:41
Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, duke folur për anëtarësimin e Kosovës në BE ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është hapi i parë që duhet të ndërmerret.

“Trajtimi është i njëjtë, por proceset janë në faza të ndryshme dhe Kosova është aty ku është sepse ka filluar me vonesë. BE-ja pret që Serbia të përafrohet me politikat e BE-së. Nëse nuk jeni të përafruar nuk mund të futeni në BE. Pritjet janë që Serbia do të përafrohet me të gjitha masat. Normalisht që nuk është vetëm BE-ja, është përgjegjësia e Kosovës të përparojë në rrugëtimin drejt BE-së, të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë është kushti i parë. Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në BE, hapi i parë është përmbyllja e suksesshme e dialogut për marrëveshje finale”.

“Është e rëndësishme që Kosova të lëvizë që aplikacioni të jetë i suksesshëm. Këshilla ime para se të lëvizim duhet të ketë konsultim me shtetet anëtare. Duhet t’iu dërgohet ftesa për këtë dhe të bëhet me konsensus të shteteve”.

Lidhur me këtë deklaratë, analisti politik Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, deklaratën e Szunyog e sheh si lojë fjalë, madje sipas tij, filozofia e tij, anon më shumë nga Serbia se nga Kosova.

Image
Sulejman Mehazi

“Kurse udhëheqësi politik i Kosovës dhe qytetarët e saj nuk e dinë se problemi më i madh i normalizimit të marrëdhënieve është Serbia, e, na tregon zotëri Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, se hapi e kushti i parë për t'u anëtarësuar Kosova në BE është dialogu paqësor me Serbinë, deklarata e tij s'është kurrgjë tjetër, përveç deklaratë fjalësh. Filozofia diplomatike e deklaratës së zotëri, Tomas Szunyog, më shumë anon nga Serbia sesa nga Kosova, për shkak se zotëriu i Evropës nuk kushtëzon Serbinë, por Kosovën”, thotë ai.

Tutje theksoi se sipas Szunyog, për tu anëtarësuar në BE problem është Kosova dhe jo Serbia, madje edhe sikur Kosova të “mund ta kall Ballkanin e jo Serbia”.

“Zotëriu i Zyrës së BE-së në vend që të kushtëzojë pesë shtetet që se kanë njohur Kosovën për ta njohur, në vend që për së pari herë të sanksionojnë rëndë Serbinë e Putinit, Tomas Szunyog kushtëzon Kosovën me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë për t'u anëtarësuar në BE, kjo i vjen sikur në Ballkanin Perëndimor nuk është problem Serbia, por Kosova, i vjen sikur BE-ja anon më shumë nga Serbia që përkrahë fuqishëm agresionin rus në Ukrainë, i vjen sikur Kosova është ajo që mund ta kallë Ballkanin e jo Serbia e Rusisë”, shtoi Mehazi.

Më tej potencoi se për normalizim të marrëdhënieve, BE-ja duhet ta përkrahë Kosovën për liberalizimin e vizave, madje edhe me anëtarësimin në BE dhe NATO, sepse sipas Mehazit, vetëm kështu, Serbia do të dorëzohet përballë Kosovës.

“Ia bëjmë me dije Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, se, normalizimi më i suksesshëm e i shpejt i marrëdhënieve kosovare-serbe është që BE-ja e tij pa hamendje ta përkrahë Kosovën me liberalizimin e vizave, me anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO, nëse Kosova pranohet në instancat më të larta evropiane e botërore aq më shumë Serbia do të dorëzohet para kërkesave kundrejt Kosovës, nëse evropianët nuk duan luftë, por paqe në Ballkan, atëherë çelësi i paqes në Ballkanin Perëndimor është avancimi i Kosovës në BE, NATO, e në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, vetëm në këtë mënyrë Serbia e Vuçiqit do të dorëzohet përballë Kosovës, nëse BE-ja nuk e përkrahë Kosovën atëherë të BE-se janë me Rusinë e me Serbinë e luftës në Kosovë e më gjerë”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat