Vetting-u në drejtësi i domosdoshëm/ Si u komprometua procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri

Politika

Vetting-u në drejtësi i domosdoshëm/ Si u komprometua procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri

Mimozë Lakna  Nga Mimozë Lakna  Më 9 prill 2022 Në ora: 08:45
Blerim Isufaj

Ndonëse Ambasada e SHBA-ve, Ambasada e Gjermanisë, Zyra e BE-së, vëzhguesit dhe organizatat joqeveritare kanë reaguar pas përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ky institucion vazhdon të këmbëngulë, se propozimi i Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, është bërë në mënyrë ligjore duke i zhvilluar të gjitha procedurat.

Ditë më parë, Blerim Isufaj me 11 vota për, është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Sipas procedurave kushtetuese, pas votimit dhe aprovimit të prokurorit Blerim Isufaj nga Këshilli Prokurorial, emri i tij do të shkojë tek Presidentja e vendit për dekretim.

Hasani: Këtu bëhet fjalë për cenim të çdo norme juridike

Mirëpo, përzgjedhja e Isufajt nga Këshilli Prokurorial i Kosovës është kundërshtuar nga eksponentë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtar. 

Në reagimet e tyre thuhet se në procesin e emërimit të Prokurorit të Shtetit janë dokumentuar shkelje procedurale.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani ka thënë se përzgjedhja e Blerim Isufajt si kryeprokuror i shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është jashtë çdo norme kushtetuese, ligjore dhe etike.

“Për këtë grup njerëzish, në vitin 2015, i kam thënë gjërat që sot po i thonë ambasadat e huaja, pasi është në pyetje një grup, i cili supozohet ta mbrojë ligjin, por, në fakt, është kundër ligjit dhe është duke vepruar në kundërshtim me çdo normë kushtetuese, ligjore dhe etike. Është pikërisht ky grup që unë në vazhdimësi e kam cilësuar si grup kriminal. Veprimtaria e tyre është thirrur në transparencë dhe në publik e kanë bërë gjoja një paraqitje transparente të përzgjedhjes së kandidatëve, ndërkohë që ajo paraqitje shihet qartë që as rregullat e brendshme, të cilat vetë i kanë votuar, nuk i respektojnë. Këtu bëhet fjalë për cenim të çdo norme juridike”, ka thënë Hasani në Klan Kosova.

Miftaraj: Kosova nuk mund të lejoj që nga një proces i tillë i kompromentuar të del Kryeprokurori i ardhshëm i Shtetit

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës i Kosovës për Drejtësi (IKD), e cila organizatë e ka monitoruar të gjithë procesin, thotë për gazetën “Bota sot” se problemi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit nuk lidhet me një emër të përveçëm siç është ai i Blerim Isufajt, por me dështimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të siguruar një proces të drejtë.

Image
Ehat Miftaraj

“Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin lidhur me procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të Prokurorit të Shtetit, përmes të cilit janë dokumentuar shkeljet procedurale gjatë këtij procesi duke përfshirë cenimin e integritetit të vet procesit. IKD nuk komenton lidhur me kandidatin e propozuar nga Këshilli Prokurorial, pasi problemi nuk lidhet me emrin e përveçëm, por lidhur me dështimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të siguruar një proces të drejtë, të paanshëm të pavarur dhe të bazuar në meritokraci”, thotë Miftaraj për “Bota sot”.

Sipas tij, dalja e një prokurori nga një proces i komprometuar nuk do t`i bënte nder as vet të përzgjedhurit nga KPK-ja z. Blerim Isufaj.

“Kosova nuk mund të lejoj që nga një proces i tillë i kompromentuar të del Kryeprokurori i ardhshëm i Shtetit. Për më tepër, përmes një procesi të tillë të kontestuar në publik, nuk do t’i bënte nder kjo pozitë as edhe vet z. Isufaj”, thotë Miftaraj.

Anëtarët e KPK-së shkarkohen nga vet KPK-ja

Nga ana tjetër, Miftaraj thotë se anëtarët e Këshillit Prokurorial mund të shkarkohen nga vet ky këshill sipas procedurave ligjore. 

Anëtarët e Këshillit Prokurorial sipas ligjit të aplikueshëm mund të shkarkohen vetëm nga Këshilli Prokurorial sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara lidhur me përgjegjësitë disiplinore të tyre”, thotë Miftaraj.

Kelmendi: Mungesa e transparencës çon në përsëritje të procesit

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, prof. Muhamet Kelmendi thotë se mungesa e transparencës dërgon te përsëritja e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. 

Image
Muhamet Kelmendi

“Mos transparenca është veprim që dërgon te përsëritja e procesit të përzgjedhjes së Prokurorit të shtetit.

Sistemi gjyqësor varet kryesisht nga puna që e kryen prokuroria. Kjo mbledh fakte dhe siguron dëshmi për një proces të suksesshëm gjyqësor.

Prokuroria është prezent në proceset gjyqësore në të gjitha nivelet. Kurdoherë në drejtim të paraqitjes së provave dhe të përkujdesjes për gjykim ligjor.

Mirëpo, nëse prokuroria nuk funksionon mbi baza ligjore, ndërsa gjykatat janë jo funksionale apo jo në nivel të përcaktuar juridik, krijohet një gjendje e rëndë antiligjore dhe e pëson çdo herë pala në gjykatë. Dihet se si gjykatat, ashtu edhe prokuroria janë në gjendje jo të mirë. Kuptohet në drejtim të mbrojtjes së shtetit ligjor”, thotë profesori.

Sipas tij, pikërisht ky fakt që mbështetet në anët negative të sistemit, duke marr për bazë neglizhencën, përsëritjen e procedurave nëpër shkallë të ndryshme të gjykatave, si dhe mos provimi i fajësisë me fakte nga prokuroria, ka bërë një sistem jo funksional dhe të tej-zgjatur gjyqësor.

VETTING-u është i domosdoshëm

Për këtë arsye ai thotë se shkelja e parimeve bazike për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të shtetit tregon se VETTING-u është i domosdoshëm, në mënyrë që sistemi të funksionojë edhe më mirë.

“Këtu buron propozimi për VETTING. Pa këtë ligj është shumë i rëndë reformimi i sistemit juridik. Në fakt edhe nuk reformohet, sepse ka mungesa që varen me këtë ligj, e prandaj nuk reformohen.

KPK-ja është shembulli më adekuat i vërtetimit të kësaj. Shkelja e parimeve bazike për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të shtetit tregon se VETTING-u është i domosdoshëm, në mënyrë që sistemi të funksionoje edhe më mirë”, është shprehur ai.

Kelmendi: Pritet që Presidentja të mos e dekretojë të njëjtin kandidat

Sipas Kelmendit, tash pritet që Presidentja të mos e dekretojë të njëjtin kandidat dhe kështu rikthehet gjendja në fillim të procesit.

“Me këtë u jepet një mësim i mirë mu organeve që janë të thirrura për të mbrojtur ligjshmërinë se si mbrohet ligji”, përfundon ai.

Kujtojmë se ankesë ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, tashmë është paralajmëruar, të paktën nga njëri prej këtyre kandidatëve, e ai është Shqipdon Fazliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat