23 vite nga beteja e përgjakshme e Koshares/ Agim Ramadani dhe Sali Çekaj me shokë thyen kufirin Shqipëri-Kosovë

Politika

23 vite nga beteja e përgjakshme e Koshares/ Agim Ramadani dhe Sali Çekaj me shokë thyen kufirin Shqipëri-Kosovë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 prill 2022 Në ora: 19:56
Agim Ramadani dhe Sali Çekaj me shokë thyen kufirin Shqipëri-Kosovë

Beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila arriti të hapte kufirin Kosovë-Shqipëri.

Thyerja e kufirit në Koshare jo vetëm që shënoi një fitore të madhe morale, por ajo edhe praktikisht mundësoi furnizimin e luftës me armatim dhe municion.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo ka pamundësuar kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ka ndarë në mes një komb të vetëm, ka shuar ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet më të suksesshme të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe për ndikimin që ka pasur ky operacion në rritjen e besimit të popullsisë tek UÇK-ja dhe aleatët e saj.

Kjo betejë ishte bërë shkas i motivimit të shumë vullnetarëve, të cilët pas kësaj beteje iu bashkuan UÇK-së në front. Betejën në Koshare e udhëhoqi Brigada 128, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, i cili me ushtarët e tij arritën që ta shembin murin gati njëqindvjeçar të vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Shala: Sali Çekaj dhe Agim Ramadani si dy strategët e Betejës së Koshares

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Bota sot”, thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar e cilësoi si një veprim ushtarak që ka mbetur në historinë ushtarake të humbjes së Serbisë.

Image
Drizan Shala

Ai tha se oficerët e UÇK-së e kishin përgatitur këtë plan për një vit të tërë.

“Thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar respektivisht në mes Kosovës si pjesë integrale e ish RSFJ-së dhe Shqipërisë, ishte një nga veprimet e radha ushtarake që ka mbetur edhe në historinë ushtarake të humbjes së ushtrisë së Serbisë në një fushëbetejë frontale.

Siç, dihet këtij operacioni i ka paraprirë një planifikim 1 vjeçar nga ana e oficerëve të UÇK-së duke analizuar çdo element të mundshëm ushtarak që mund ta shpinte fitoren në radhët e UÇK-së”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Po ashtu, Shala theksoi se meritat më të mëdha në këtë operacion i kanë Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, të cilët njëherësh ishin prijës të këtij aksioni.

“Meritat individuale mund të veçohen, Sali Çekaj dhe Agim Ramadani si dy strategët e këtij veprimi duke u mbështetur edhe nga oficerët e riorganizuar që kanë lëvizur nga Kosova në Shqipëri dhe atyre që kanë ardhur nga diaspora.

Në aspektin ndërkombëtar ky operacion ishte i pari me karakter të shkeljes së drejtës ndërkombëtar të UÇK-së me hyrjen në territorin e okupuar nga ish Serbia”, theksoi ai.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë tha se qëllimi i Brigadës 138 ishte bashkimi me brigadat e zonave të tjera dhe mbajtja e territorit nga UÇK-ja.

“Ndërsa, mund të potencojmë që planifikimi i brigadës 138 ishte bashkimi me Brigadat e zonës së Dukagjinit, Drenicës edhe Llapit, pra ishte planifikuar avancimi i tyre deri në Prishtinë në njërën anë dhe në anën tjetër pastrimi "çlirimi" i çdo pëllëmbe toke nga pushtuesi serb dhe mbajtja e territorit nga forca e UÇK-së”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Rudi: Kufiri shqiptaro-shqiptar ishte njëri ndër kufijtë më të hekurt, pasi ishte blinduar nga ushtria serbe

Image
Fetah Rudi

Kurse, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fetah Rudi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se betejën e lavdishme të Koshares e udhëhoqi Ministria e Mbrojtjes, e prirë nga Sali Çekaj, Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Anton Quni, e shumë të tjerë.

“Sot është përvjetori i 23-të i Betejës së Koshares, ku më 9 prill të vitit 1999, u zhvillua beteja më lavdishme e UÇK-së, betejë kjo që ishte e përgatitur dhe e udhëhequr nga Ministria e Mbrojtjes se Republikës së Kosovës. Kjo betejë do të mbetet në histori, pasi ndodhi thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, të prirë nga Komandant Sali Çekaj, Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Anton Quni, Hysen Berisha, Fadil Hadergjonaj dhe shumë të tjerë, ku së bashku me ushtarë u bë lufte për liri a vdekje”, theksoi ai.

Krahas kësaj, Rudi potencoi se ndonëse kufiri shqiptaro-shqiptar ishte ndër kufijtë më të hekurt, pasi ishte blinduar nga ushtria serbe, forcat shqiptare arritën ta thyejnë atë.

“Me 9 prill 1999 me një organizim të mirë të Brigadës 138 u thye kufiri shqiptaro-shqiptar, kur dihet se ishte njëri ndër kufijtë më të fortë apo më mirë të them më të hekurt, pasi ishte blinduar nga ushtria serbe, por forcat tona me luftën që bën thyen kufirin në mes Kosovës e Shqipërisë njëherë e përgjithmonë”, shpjegoi ish-deputeti i LDK-së.

Në fund, ai vlerësoi se personat më meritor për këtë betejë janë komandantët, ushtarët dhe dëshmorët që e udhëhoqën atë.

“Më të merituarit e Betejës së Koshares janë ata që e bënë luftën dhe e udhëhoqën atë betejë, janë komandantët, ushtarët dhe dëshmorët e kombit të cilët janë krenaria e Kosovës”, përmbylli Fetah Rudi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat