Kosova sa afër aq larg anëtarësimit në NATO/ Këta janë faktorët sfidues të procesit

Politika

Kosova sa afër aq larg anëtarësimit në NATO/ Këta janë faktorët sfidues të procesit

Mimozë Lakna  Nga Mimozë Lakna  Më 10 prill 2022 Në ora: 16:14
Foto ilustrim

Shteti ynë vazhdon të përballet me sfidën e pamundësisë së anëtarësimit në strukturat euro-atlantike.

Anëtarësimi në NATO vazhdon të jetë një nga aspiratat kryesore të Kosovës, por që realizimi i saj duket të jetë larg.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, po i shtynë shumë shtete që nuk janë pjesë e NATO-s të kërkojnë anëtarësimin. Mes tyre është edhe Kosova, e cila tashmë e ka bërë një kërkesë të tillë.

Anëtarësimi në NATO nuk dhurohet

Kosova i ka kaluar tashmë disa procese në drejtim të forcimit të ushtrisë së saj.

Ditë më parë, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se vendi i tij e mirëpret dëshirën e Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s, mirëpo për të arritur deri atje duhet të punohet shumë dhe se anëtarësimi nuk mund të vijë në formë të një “dhurate politike”.

“Kemi dëgjuar për anëtarësimin në NATO dhe BE. Ne të gjitha këto i mbështesim. Mbretëria e Bashkuar është shumë e qartë në këtë drejtim. Dëshiron që Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe nëse zgjedhë, të jetë edhe pjesë e BE-së. Por njëkohësisht janë disa procese që duhet të vazhdohen. Pra nuk është një dhuratë politike, duhet punë e madhe. Dhe anëtarësimi në NATO ka disa kuptime. Bisedat me qeverinë që kam pasur tregojnë se ata i kuptojnë këta gjëra. Puna që bëjmë me Ministrinë e Brendshme dhe FSK-në është duke pasur parasysh këtë tranzicion. Megjithatë jemi në një periudhë të prioriteteve të tjera dhe sigurisht se do të ketë diskutime se ku qëndron Kosova në ato prioritete”, ka thënë ai.

Por, cilat janë kriteret që duhet t`i përmbush vendi ynë për t`u bërë anëtar i NATO-s.

Lidhur me këtë çështje për gazetën “Bota sot” flasin njohës të sigurisë dhe të politikave ndërkombëtare.

Lama: Partneriteti për paqe duhet të jetë synimi afatshkurtër i Kosovës tani

Image
Alma Lama, ish-ambasadore e Kosovës në Itali

Alma Lama, ish-ambasadore e Kosovës në Itali thotë për gazetën “Bota sot” se Kosova ka një pozicion të veçantë për sa i përket raporteve me NATO-n, pasi është një vend ku siguria e saj garantohet nga trupat paqeruajtëse të kësaj organizate.

Ajo thekson se për t`u anëtarësuar në NATO Kosovës i duhet që së pari të ketë dakortësinë e të gjitha vendeve anëtare.

“Pra është procesi i njohjes pengesa kryesore, janë katër vende që duhet të thonë po, Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia. Kosova duhet të kërkoj anëtarësim jo në nivel deklarativ apo për konsum të brendshëm politik, por duke punuar për njohjet dhe për afrimin e bashkëpunimit mes FSK-së e NATO-s. Partneriteti për paqe duhet të jetë synimi afatshkurtër i Kosovës tani. Ambasadori britanik i njeh proceset, proceduarat e anëtarësimit si dhe vullnetin brenda anëtarëve, kështu që ka bërë thirrje pikërisht për angazhim”, ka thënë Lama.

Shala: Kosovës i duhet një shtim të buxhetit mbi 200 milionë euro për Forcën

Image
Eksperti i sigurisë Drizan Shala

Kurse, eksperti i sigurisë Drizan Shala thotë për gazetën “Bota sot” se procesi i anëtarësimit të FSK-së në NATO është i gjatë dhe i koklavitur dhe për këtë shkaktarë janë vendet që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.

“Në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës (FSK-së) në NATO është një proces sa i gjatë, por edhe i koklavitur në aspektin politik ku dihet që nuk ka konsensus politik në dhënien e dritës së gjelbër për anëtarësim nga vendet që nuk e njohin realitetin politik të tij, të krijuar nga 2008 si dhe vendimit të Gjykatës ndërkombëtare mbi të drejtën e Kosovës për shpallje të Pavarësisë”, thotë ai.

Sipas Shalës, FSK-së i duhet shtim i buxhetit mbi 200 milionë euro për ta përshpejtuar procesin e anëtarësimit.

“Ndërsa, në aspektin teknik FSK-ja ka para vetit planin gjithëpërfshirës 10 vjeçar, ku tani vetëm që ka hy në fazën e dytë të këtij plani dhe për të përshpejtuar këtë proces Kosovës i duhet një shtim i buxhetit mbi 200 milionë euro për Forcën, dhe e cila nuk mund të arrihet as përmes fondit special të sigurisë. Por, një element tjetër i rëndësishëm është fakti që vetë procesi për anëtarësim kalon nëpër 5 faza brenda NATO-s, e që nëse llogaritet kjo periudhë merr kohën e afër 5 viteve në kushtet optimale”, ka thënë ai.

Sipas Shalës, shtimi i buxhetit do ta ndihmonte Forcën në arritjen e kapaciteteve të saja dhe do të kontribuonte në arritjen e marrëveshjeve me shtetet e tjera për mbrojtjen e sigurisë.

“Pra, institucionet e vendit duhet që të arrijnë një rishikim të procesit brenda FSK-së me mundësi të shtimit të buxhetit dhe në anën tjetër të aktivizojë diplomacinë ushtarake, e cila do ta kishte ndihmuar Forcën që të arrijë kapacitetet e saja më shpejt në njërën anë dhe në anën tjetër të lidhen marrëveshjet me shtetet bilaterale për të mbrojtur sigurinë tonë në rast të paraqitjes së nevojave tona”, thotë Shala.

Tahiri: Ja pse është jashtëzakonisht me prioritet angazhimi i institucioneve të Kosovës për anëtarësim të vendit në NATO

Image
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mentor Tahiri

Ndërkaq, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mentor Tahiri, tregon disa nga faktorët që e bëjnë jashtëzakonisht me prioritet angazhimin e institucioneve të Kosovës për anëtarësim të vendit në NATO.

“Ambasadori Abbot foli për një gjendje ku i gjithë rajoni, por edhe Evropa po i nënshtrohen një tranzicioni si rezultat i luftës në Ukrainë. Kosova përfshihet në këto procese me anë të disa influencimeve. Mos përmbyllja e anëtarësimit në kuadër të sistemit ndërkombëtar politik dhe të sigurisë në njërën anë, si dhe dëmi kolateral që po pësohet për shkak të destabilizimit të sigurisë në shkallë të gjerë ndërkombëtare, e bëjnë jashtëzakonisht me prioritet angazhimin e institucioneve të Kosovës për anëtarësim të vendit në NATO”, thotë Tahiri.

Sipas tij, në këtë fazë, duhet të identifikohen qartë, cilat janë proceset që duhet kaluar, respektivisht cilat janë kriteret që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në NATO.

“Bashkëpunimin i duhur dhe koordinimi me qeveritë aleate, e në radhë të parë me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar, e lehtësojnë procesin e anëtarësimit.

Në anën tjetër, i takon edhe Politikës së Jashtme të Kosovës që të hartojë dhe tutje të zbatojnë një strategji konkrete sensibilizimi për anëtarësim të Kosovës në NATO”, thotë ai.

Siguria rajonale ka më shumë rëndësi se vetë plotësimi i kritereve formale

Sipas tij, zgjerimi i NATO-s historikisht ka ndihmuar në rritjen e stabilitetit dhe prosperitetit në Evropë.

“Përfitimet nuk janë thjesht të natyrës ushtarake dhe të sigurisë, por edhe politike ngase promovohet paqja dhe vlerat e përbashkëta demokratike. Lufta në Ukrainë tregon qartë, se pozicionimi i një vendi jashtë kufijve të NATO-s, është vetvetiu rrezik. Historikisht NATO-ja ka ditur që në situata të tilla ta kuptojë urgjencën për anëtarësim, në këtë mënyrë ka vepruar qysh nga viti 1952 kur ka anëtarësuar Greqinë dhe Turqinë. Ngjashëm është vepruar edhe me anëtarësim në NATO të disa vendeve ish-komuniste. Kjo për arsye se siguria rajonale ka më shumë rëndësi se vetë plotësimi i kritereve formale".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat