Paralajmërohet rreziku i radhës, nga kryekasapi i armatës ruse / Këto dy shtete po e rrezikojnë botën!

Politika

Paralajmërohet rreziku i radhës, nga kryekasapi i armatës ruse / Këto dy shtete po e rrezikojnë botën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 prill 2022 Në ora: 20:32
Lufta në Ukrainë

Lufta në Ukrainë, pas një periudhe qetësie duket se po shkon drejt ashpërsimit të saj. Pavarësisht që Putini u detyrua ta tërhiqte ushtrinë ruse nga Ukraina Perëndimore, rrethimi i Kievit dhe nga zona të tjera, ajo po i përqendron forcat në Ukrainën Lindore dhe në zonën bregdetare të Detit të Zi, të Ukrainës.

Rusia duket se tashmë ka kryer disa masakra, pas Buçës, asaj në stacionin hekurudhor Kramatorsk me rreth 70 viktima, në teatrin e Mariupolit ku besohet të ketë arritur numri në rreth 300 viktima, ndërsa në gjithë zonën e këtij qyteti të shkatërruar raportohet herë se është kaluar shifra prej pesë mijë viktimash, herë më pak, por numri mund të jetë shumë i madh.

Për këto krime kundër njerëzimit Gjykata e Hagës ka filluar hetimet, për të gjetur përgjegjësit rus dhe strukturën udhëheqëse në ushtrinë e Putinit.

Për ta çuar luftën dhe agresivitetin e vet Rusia edhe më tej, për të rritur frikën, shtuar tensionin dhe ankthin në mes ukrainasve dhe në sy të humanizmit botëror, diktatori Putin, e ka emëruar komandant të trupave ruse në Ukrainë, gjeneralin famëkeq, Alexander Dvornikov. Ai besohet se ka udhëhequr trupat ruse në vrasjen e qindra civilëve në luftën në Siri, dhe njihet si ekspert i taktikave të luftës së këmbësorisë. Po ashtu ai që atje njihet me nofkën e “kasapit”, për shkak të brutalitetit dhe pashpirtësisë së tij.

Ai citohet t’u ketë thënë trupave të tij se po nuk e mori Ukrainën lindore me taktikat e tij, atëherë “zgjidhja” e vetme mbetet, që ta shkatërrojë sikurse Alepon në Siri, duke e bërë si thuhet rrafshë me tokë.

Mediat kanë publikuar imazhe satelitore, të cilat tregojnë një autokolonë ruse 8 milje të gjatë që lëviz për në jug të Ukrainës përmes qytetit lindor Velkyi Burluk, në lindje të Kharkivit afër kufirit me Rusinë.

Këto janë shenja të qarta se lufta në Ukrainë veçse do të përkeqësohet në ditët në vazhdim, ndërsa ukrainasit po vazhdojnë ta mbrojnë atdheun me çdo kusht, çdo cep të vendit të tyre.

Mirëpo rreziku që një luftë më e madhe të përhapet po vazhdon të mbetet prezent.

Bota po bëhet më e paqëndrueshme

Së fundmi është gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, njëherit shef i Pentagonit, i cili vlerëson se bota perëndimore po përballet sot me dy fuqi si Rusia dhe Kina, të cilat me potencialin e tyre ushtarak mund të ndryshojnë rregullat e lojës.

“Jemi duke u përballur me dy fuqi globale: Kinën dhe Rusinë, secila prej tyre me kapacitete të konsiderueshme ushtarake dhe të dyja bashkë synojnë ndryshimin rrënjësor të rregullave të bazuara në rendin aktual botëror.

Ne po hyjmë në një botë që po bëhet më e paqëndrueshme dhe potenciali për konflikt të rëndësishëm ndërkombëtar po rritet, nuk po zvogëlohet”, deklaroi gjenerali Milley gjatë një takimi.

Por, efektet negative të luftës në Ukrainë i ka pësuar edhe Kina, kjo sepse për shkak se efektet ekonomike të pushtimit të Ukrainës kanë arritur prej kohësh në këtë vend.

Republika popullore importon sasi të mëdha drithi nga Ukraina, si dhe nga Rusia dhe si rezultat i luftës, çmimet janë rritur në atë masë sa që pushtetmbajtësi Xi Jinping është dashur të thotë hapur: Kina do të bëhet e pavarur nga importet e huaja.

Të gjendur në këtë situatë a janë të rrezikuara Kosova dhe Shqipëria?

Kapiti: Nuk është e besueshme se Rusia do të bënte një luftë për interesa të Serbisë

Image
Skënder Kapiti

 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Skënder Kapiti thotë se bota është duke u përballur me shumë ngjarje të paparashikueshme dhe se aleancat e mëdhaja janë duke ndryshuar kahen e tyre për interesat personale.

“Ngjarjet e mëdha me rëndësi botërore janë të paparashikueshme. Lojtarët e mëdhenj janë po ata që e kanë dominuar historinë botërore. Të vegjlit, popujt e vegjël siç janë shqiptarët duhet të kenë kujdes që të mos jenë indiferentë, por të angazhohen në anën e duhur dhe përkrah atyre, të cilët janë treguar miq dhe aleatë të sinqertë të shqiptarëve. Bota tani po shkon drejt shumë polarizimeve, pasi po dalin në skenë shtete të fuqishme si Rusia, Kina por edhe India, Turqia si edhe Brazili. Aleancat e mëdha ndryshojnë sepse ato shkojnë kah interesat, kah ekonomia, energjetika dhe gjeopolitika”, u shpreh ai.

Kapiti më tej thotë që e gjithë lufta po vjen si pasojë e arsyeve ekonomike pasi Ukraina ka shumë pasuri dhe nëse ishte anëtarësuar në NATO, Rusia këtë do ta shihte si humbje të saj.

“Lufta e Rusisë në Ukrainë, tani po përqendrohet vetëm për arsye ekonomike pasi Ukraina ka pasuri përrallore mineralesh strategjikë e jetike. Mirëpo, anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe në BE Rusia e shikon si humbje të interesave ekonomike të resurseve e burimeve që ka Ukraina. Konflikte ushtarake mes fuqive të mëdha bërthamore nuk mund të ketë, pasi përdorimi i armëve nukleare do të ishte katastrofë botërore ku të gjithë do të ishin të humbur”, thotë Kapiti.

Më tej, analisti kërkon armatosje të shpejt të dy shteteve shqiptare ani pse sipas tij Serbia nuk ka shans të ndezë një konflikt në Ballkan pasi është e rrethuar me shtetet anëtarë të NATO-s.

“Duke qenë Shqipëria anëtare në NATO, dhe po kështu duke qenë në Kosovë e pranishme NATO-ja, dhe pra sidomos SHBA-ja, nuk i intereson Rusisë që të angazhohet në një luftë përkrah Serbisë kundër Shqipërisë e Kosovës pasi drejtpërdrejt Rusia do të përballej ushtarakisht me NATO-n. Por, çfarë urgjentisht duhet të bëjnë dy shtetet shqiptare, është armatosja e tyre me armë moderne, gjë që është më se e sigurtë se si SHBA-ja, Britania e Madhe aleatja strategjike dhe historike e SHBA-ve, ashtu edhe Turqia, por edhe Kroacia do ta armatosnin si Shqipërinë ashtu edhe Kosovën. Serbia nuk ka as takat dhe as shansin për të ndezur një konflikt në Ballkan sepse ajo është e rrethuar nga të gjitha anët me shtete që janë anëtare të NATO-s”, tha Kapiti për “Bota sot”.

Kelmendi: Paqja në botë po rrezikohet nga Rusia dhe Kina

Image
Muhamet Kelmendi

 

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Kina dhe Rusia janë të armatosua duke qenë ndër të parat më të armatosurat në botë.

Sipas profesori këto dy shtete po bashkëpunojnë ngushtë në fushën ekonomike, ushtarake dhe në fushën e teknologjisë dhe se rreziku është në shesh.

“Kina dhe Rusia janë të armatosura dhe zënë vendin e dytë dhe të tretë të vendeve më të armatosura botë. Tash kemi agresionin rus mbi Ukrainë. Veç kësaj, Rusia është shumë prezente në Ballkanin Perëndimor, në Siri, në Afrikën Qendrore, në Azi dhe në disa vende të ndryshme të Amerikës Latine. Kina po përhapet shumë në Afrikë, në Azinë Jugore dhe në drejtim të Japonisë, në Amerikën Latine etj. Hapur ka kërcënuar Tajvanin. Në veçanti rreziku po rritet me raportet e ngushta midis Rusisë dhe Kinës. Këto dy shtete po bashkëpunojnë ngushtë në fushën ekonomike, ushtarake dhe në fushën e teknologjisë. Kina nuk e ka dënuar agresionin rus në Ukraine dhe po e përkrah dhe furnizon Rusinë me mjete rezervë. Jo më mirë është edhe India. Ky shtet po merr drithërat ruse dhe po i shet në treg. Ka hapur edhe lidhjet për gaz dhe derivate të tjera”, theksoi profesori.

Rreziku për Bosnjën, Kosovën...

Ndër të tjera ai paralajmëron Ballkanin Perëndimor që mund të ketë një rrezik nga serbët për Kosovën dhe për Maqedoninë e Bosnjën.

“Në Ballkanin Perëndimor kemi Serbinë si mike dhe e pandarë nga Rusia. Qëndrimi kundër agresionit është politik. Serbia nuk i përkrahu sanksionet e botës demokratike kundër Rusisë. Është tërësisht e varur nga Rusia. Armët, financat, gazin dhe ekonominë e vendit e ka kryesisht ruse. Nga kjo vartësi koloniale po rrezikohet shumë Ballkani Perëndimor. Në radhë të parë është Kosova dhe Bosnja e Hercegovina. Prapa, nuk është as Maqedonia Perëndimore dhe Mali i Zi. Mendohet se në situata të rrezikshme për Rusinë, fjala është për mossukseset e Rusisë në Ukrainë, mund të vijë deri te konfliktet në Ballkan. Fillimisht me serbët në Kosovë, duke vepruar kundër shtetit dhe në Bosnje e Hercegovinë, duke shkuar Republika Serbe në paqartësinë e ndarjes së shtetit nga Bosnja e Hercegovina. Ky rrezik është aktual në Ballkanin Perëndimor”, potencoi ai.

Në fund, profesori thotë që paqja është kështu në rrezik, kjo sepse SHBA-të po parashikojnë ndryshime të mëdha në botë dhe se ndryshimet veç po bëhen.

“Mirëpo, veprime ushtarake dhe kriminale mund të bëhen edhe në Siri nga rusët, sikundër edhe në Afrikën Qendrore dhe në Amerikën Latine. Kësaj mund t’i bashkohet Kina në veprime ushtarake në detin kinez, kundër Tajvanit e në Afrikë. Paqja është kështu në rrezik. Lufta botërore shpërthen. Këtu është shkaku që SHBA-të po parashikojnë ndryshime të mëdha në botë. Ndryshimet veç po bëhen. Rregullat e lojës midis Perëndimit dhe Rusisë e Kinës kanë ndryshuar. Agresioni rus ndaj Ukrainës ka bërë ndryshime të mëdha në rregullat e lojës. Tash kemi konflikte të hapura ushtarake. Në njërën anë është SHBA-ja në botën Perëndimore dhe, në anën tjetër, është Rusia dhe Kina. Kjo ndarje është bërë e dukshme dhe ka marr karakter luftarak. Priten rreziqe edhe më të mëdha”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat