Bashkëluftëtari i Sali Çekajt-Behgjet Pacollit: Nëse do ta dish pse Hashimi është në burg, atëherë shko këtu

Politika

Bashkëluftëtari i Sali Çekajt-Behgjet Pacollit: Nëse do ta dish pse Hashimi është në burg, atëherë shko këtu

Nga: P.R Më: 10 prill 2022 Në ora: 21:03
Dick Marty dhe Hashim Thaçi

Pasi ish raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, ka bërë të ditur se është kërcënuar me vdekje nga shërbime inteligjente serbe, dhe për këtë do të fajësoheshin shqiptarët, ka reaguar edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Sipas tij, është koha që që Marty të tregojë se pse ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është në burg.

“Nëse është e vërtetë se Dik Marti po kërcënohet nga inteligjenca serbe, është koha e duhur qe ai të tregoi se si e krijoi narrativën e tij të famshme të organeve, për çka z.Hashim Thaçi sot është në paraburgim në Hagë”, ka shkruar Behgjet Pacolli.

E ndaj Pacollit ka reaguar anëtari i LDK-së dhe ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj, i cili hedh akuza të rënda ndaj Pacollit.

Image
Saim Tahiraj

“Fillimisht po theksoj se futja e Pacollit në politiken Kosovare ka qenë fatkeqësi kombëtare. Këtij oligarki që tërë pasurin e dyshimtë e realizoi përmes vijës Millosheviç-Rusi, presidenti Rugova nuk i dha mundësi të futë hundët në politik në Kosovë. Fatkeqësisht më pastaj gjeti bashkëpunëtorët që i lidhi interesi i pistë biznesorë dhe u futë në politikën e Kosovës, pikërisht për të zhvilluar dhe mbrojtur biznesin e tij të dyshimtë”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Andaj sipas Tahirajt, Behgjet Pacolli po mbron krimet e Hashim Thaçit dhe interesat e tij.

“Këtu i lidhë edhe interesi i përbashkët me Thaçin. Aspak nuk duhet çuditur se pse po mbron Hashimin, sepse po i mbron interesat e tij, e që janë të përbashkëta me Hashimin. Ky oligark e din shumë mirë se sa veprimtarë dhe figura të larta të LDK-së u vranë për motive politike! Gjithashtu e din shumë mirë se Hashimi dhe të tjerët po gjykohen pikërisht për këto vrasje!”, thekson Tahiraj.

“Thirrja e tij drejtuar Dick Martit është vetëm për konsum politik, po përpëlitet që të përfitoj diçka politikisht në këto ujëra të turbullta politike. Oligarkit i ka rënë shumë poshtë edhe ai pak autoritet politik që ka pasur dhe e ka fituar përmes parasë padrejtësisht”, shprehet Tahiraj.

Më tej, ai thotë se Behgjet Pacolli duhet ta lexojë aktakuzën e Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, dhe do ta kuptoj pse ky i fundit gjendet i burgosur në Hagë.

“Nëse e ka harruar se pse gjendet në burg Hashimi, le ta lexoj aktakuzën apo le ta marrë mundin dhe t’i vizitojë familjarët e të vrarëve për motive politike. Aty do e mësosh të vërtetën, nëse vërtetë të intereson? Por ty kurrë nuk të ka interesuar e vërteta sepse je mësuar të notosh vetëm mbi të pa vërtetën. Mos kërko përgjigjeje nga Dik Marti sepse përgjigjja e vërtetë është diku tjetër”, përfundon për “Bota sot”, anëtari i LDK-së dhe ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

Kujtojmë se Dick Marty ka deklaruar se plani ishte që vrasja e tij të kryhej nga veteranët serbë profesionistë dhe që faji t’iu vihej shqiptarëve të Kosovës.

"Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t'ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e "botës së krimit". Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”, ka thënë Dick Marty për mediat zvicerane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat