A do të ndikojë në raportet Kosovë-Francë, humbja e presidentit Makron apo fitorja e Le Peni-it?!

Politika

A do të ndikojë në raportet Kosovë-Francë, humbja e presidentit Makron apo fitorja e Le Peni-it?!

Nga: A.Z Më: 12 prill 2022 Në ora: 20:13
Le Pen dhe Macron

Zgjedhjet presidenciale në Francë do të vazhdojnë me një raund të dytë. Nuk e arriti shumicën absolute as presidenti i tanishëm Macron, dhe as nacionalistja Le Pen.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, shumicën e votave i fituan dy favoritët, presidenti aktual Emanuel Macron dhe populistja e djathtë Marine Le Pen. Sipas parashikimeve, Macron mori 27.6 për qind të votave, Le Pen mori 23 për qind. Por, meqenëse asnjëri prej tyre nuk arriti shumicën absolute të votave, mes tyre do të zhvillohet një raund balotazhi, pas dy javësh.

Por, sa do të jetë ndikuese në zhvillimet në botë dhe në Kosovë, fitorja e Macronit apo fitorja e Le Pen, analisti politik Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar pikë së pari, se duke e pasur parasysh afrimitetin me Putinin, në rezultatet e tyre po shihet se lufta e Ukrainës nuk ka ndikuar fare.

Ai thekson se tani është krijuar hapësirë për ekstremet e të dyja palëve, kjo për faktin se si e djathta ashtu edhe majta kanë lëvizur kah qendra.

“Zgjedhjet në raundin e parë në Francë nxorën një garë goxha të ngushtë për raundin final. Sipas këtij rezultati, lufta në Ukrainë duket të mos ketë pasur shumë ndikim. Kjo pasi që partia konservatore e ekstremit të djathtë ishte cilësuar si e afërt me ndikimin e Putinit. Ndoshta ka ndikuar që Presidenti Macron të dalë si forca e parë, por që nuk besoj që do të ndikoj në rezultatin përfundimtar, pasi që duket i ngushtë. Tani, se kush do ta fitoj garën, sigurisht do të varet nga kalkulimet e brendshme, apo koalicionet e mundshme. Në Europë viteve të fundit, duke qenë se e majta dhe e djathta tradicionale kanë lëvizur kah qendra, është krijuar hapësirë për ekstremet e të dyja palëve”, tha ai.

Image
Leon Duhanaj

Tutje u shpreh se Kosova në zgjedhjet franceze nuk duhet të mbajë anë.

“Në këtë kontekst, mund edhe të ndodhë që një parti e tillë edhe t'i fitoj zgjedhjet. Për mendimin tim, ne si Kosovë, nuk kemi as arsye dhe as nuk duhet të marrim anë siç e bëri z. Kurti në rastin e zgjedhjeve në SHBA. Bota, në marrëdhëniet ndërkombëtare është e kufizuar në marrëdhënie kontraktuale gjë që nuk mundet asnjë subjekt apriori të ndryshoj diçka rrënjësisht. Këtë më së miri e kemi parë edhe me qeverinë Kurti, pra nuk mundesh me realizuar premtime jorealiste të fushatave opozitare”, ka shtuar tutje Duhanaj.

Më tej u shpreh se ne duhet të jemi bashkëpunues me të gjithë presidentët, sepse sipas tij, e rëndësishme është që t’i plotësojmë interesat tona.

“Në kontekstin francez, ne si Kosovë do të jemi të detyruar të punojmë me secilin President që del si vullnet i qytetarëve francez. Këndej është me rëndësi të jemi të kujdesshëm dhe bashkëpunues bazuar në rrethanat të cilat na servohen. Edhe Macroni edhe Le Peni do të vazhdojnë të bëjnë politikë realiste dhe do t'i mbrojnë në radhë të parë interesat e Francës. Për ne është me rëndësi që në kuadër të marrëdhënieve tona me botën, t'i plasojmë interesat tona në atë mënyrë që mos të bëjnë problem, ose të jenë të pranueshme për të tjerët”, përfundon analisti Leon Duhanaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat