“Kemi fakte sa të duash”/ Haziri i kundërpërgjigjet Komandant Malishevës: Janë dhënë 3 milionë euro...

Politika

“Kemi fakte sa të duash”/ Haziri i kundërpërgjigjet Komandant Malishevës: Janë dhënë 3 milionë euro...

Nga: P.R Më: 12 prill 2022 Në ora: 21:58
Ilustrim: Komandant Malisheva

I dënuari me burgim të përjetshëm për luftimet në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, Muhamet Krasniqi, i njohur si Komandant Malisheva, ka thënë se janë të zhgënjyer me mos-përkrahjen nga shteti i Kosovës, ku ka paralajmëruar edhe padi ndaj Kosovës.

Sipas Malishevës, grupi Kumanova ka fakte për qeveritë e kaluara.

“Jemi të zhgënjyer dhe po presim edhe pak çështjen e vendimit final të Stasburgut. Pastaj do të marrim vendimet tona pasi kemi shumë fakte dhe mund të padisim edhe shtetin e Kosovës. Kemi fakte sa të duash. Për arsye të shumta. E kam fjalën për qeveritë e kaluara”, deklaroi Malisheva.

Por me këtë nuk po pajtohet analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“I ashtuquajturi Grupi i Kumanovës, mund të ketë fakte për politikan të caktuar nga Kosova dhe nga Maqedonia e veriut, të cilët kanë qenë të involvuar në organizimin e ngjarjes së Kumanovës që kishte për qëllim rrëzimin e Ali Ahmetit dhe për ta ndihmuar ish-kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevskin për të qëndruar në pushtet gjoja si një hero që po e mbronte Maqedoninë dhe maqedonasit nga “armiku” shqiptar”, thotë Haziri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, për konfliktin në Kumanovë janë dhënë 3 milionë euro, konflikt ky që sipas tij u kurdis nga shërbimi sekret maqedonas.

“E kam thënë edhe më pare se për këtë të ashtuquajtur betejë që ishte një plan i kurdisur nga shërbimi maqedonas në bashkëpunim me një politikan nga Tetova dhe një nga Kosova u dhanë plotë 3 milionë euro”, deklaron Haziri.

Ai thotë se paralajmërimi për padi ndaj shtetit të Kosovës, është vetëm një shantazh nga komandant “Malisheva”.

“Por, paralajmërimi i të burgosurve dhe të dënuarve të ngjarjes se Kumanovës për padi ndaj shtetit të Kosovës, më shumë e shoh si shantazhim për përfitime materiale se sa diçka konkrete. Kosova nuk iu ka borxh asgjë të ashtuquajturit Grupi i Kumanovës, gjithashtu kjo nuk do të thotë që ata nuk kanë të drejte të kërkojnë riatdhesim për ta vuajtur dënimin në Kosovë nëse për këtë arrijnë marrëveshje dy shtetet Kosova dhe Maqedonia e Veriut”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

Kujtojmë se ditë më parë, Muhamet Krasniqi deklaroi gjithashtu se kishte qenë pjesë e SHIK-ut të Kadri Veselit.

“Kam punuar nga 2001, pas përfundimit të luftës në Maqedoni deri në 2008, kur është shpërbërë. Unë jam ndjerë mirë, kur kam mundur me i shërby vendit, për mirë kuptohet. Edhe në takimin e parë kur jam takuar me Kadri Veselin, kur më ka pyetur se a je i gatshëm për këtë detyrë, unë i kam thënë se kur është në pyetje atdheu dhe çështja kombëtare, unë gjithmonë jam aty, i gatshëm. Po ka bërë punë të mira (SHK). S’kam mundur të gjej ndonjë të metë. Megjithëse, sadopak e dinë njerëzit se si funksionon shërbimi inteligjent. Njëri për tjetrin nuk e dinë kurrgjë, mundet edhe dikush i afërt me qenë pjesë e asaj strukture po unë nuk e kam ditur. Jam krenar për atë çfarë kam bërë”, kishte deklaruar ditë më parë, Jakup Krasniqi, i njohur si Komandant Malisheva.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat