“Ballkani i hapur” nuk ekziston më - Në Berlin iu dha goditja përfundimtare

Politika

“Ballkani i hapur” nuk ekziston më - Në Berlin iu dha goditja përfundimtare

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 13 prill 2022 Në ora: 13:19
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë takimit të nismës "Ballkani i Hapur" në Tiranë më 21 dhjetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qëndruar për vizitë në Gjermani. Atje është pritur nga kancelari gjerman Olaf Sholc.

Në takim me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ai ia bëri me dije kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama se do rigjallërojë “Procesin e Berlinit”, nismë kjo e ish-kancelares Angela Merkel.

“Unë dëshiroj ta rigjallëroj procesin e Berlinit. E rëndësishme tani janë përparimet në ngritjen e një tregu të përbashkët rajonal. Krijimi dhe garantimi i katër lirive bazë: qarkullimi i lirë i personave, mallrave e shërbimeve e kapitaleve ka rëndësi për gjithë rajonin… në mënyrë që prej kësaj të arrihet diçka që të çojë në një anëtarësim në Bashkimin Europian dhe një zhvillim paqësor për Ballkanin Perëndimor dhe të përfundojë në zhvillim ekonomik për Ballkanin Perëndimor”.

Por, kryeministri Rama ka qenë dhe është këmbëngulës për nismën “Ballkani i hapur”, të cilin e përbëjnë tre shtete, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut derisa Kosova nuk është pjesë e kësaj nisme, sikurse është refuzuar edhe nga Bosnja dhe Mali i Zi.

Ai për “Ballkanin e Hapur” kishte theksuar se “nuk është asgjë tjetër, përveçse një përpjekje për ta jetësuar “Procesin e Berlinit”, duke e zotëruar si proces në mënyrë të përditshme dhe patjetër që rivitalizimi i Procesit të Berlinit është gjëja më e mirëpritur dhe përfshirja e të gjitha vendeve në përpjekjen për të jetësuar në Ballkan të katër liritë e Bashkimit Europian, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve e shërbimeve, është gjëja e duhur për të garantuar paqen, për të garantuar bashkëpunimin rajonal e për të garantuar të ardhmen”.

Kelmendi: Në Berlin mori fund "Ballkani i Hapur"

Image
Muhamet Kelmendi

 

Profesori Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim për “Bota sot” thotë se për Kosovën “Ballkani i hapur” ka qenë jo produktiv, e tash u pa edhe nga BE-ja që një proces i tillë nuk ka perspektivë.

“Kosova ka deklaruar se "Ballkani i Hapur" është një subjekt antiproduktiv dhe si i tillë, pa përkrahjen e BE-së, nuk ka perspektivë. Kuptohet se bazat e këtij subjekti ishin katër çështjet e përcaktuara nga "Procesi i Berlinit". Megjithatë, për BE-në dhe Gjermaninë duket si mekanizëm jo funksional. Dhe, natyrisht, mbështetur në përbërjen, Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut, është ky mekanizëm tepër nën ndikimin e shtetit serb”, thotë ai.

Sipas tij, me vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Beriln, “Ballkani i hapur” mori goditjen nga Gjermania.

Ai thekson se kancelari gjerman Sholc kërkoi të vazhdohet me “Procesin e Berlinit”, duke përmendur katër çështje.

“Në Berlin, gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, z.Edi Rama, iu dha goditja përfundimtare "Ballkanit të hapur" dhe do të vihet në zbatim ideja e një procesi fillestar, me katër të drejtat themelore, siç quhet "Procesi i Berlinit". Kancelari gjerman, z.Olaf Scholz, ia dha goditjen "Ballkanit të Hapur" dhe kërkoi të vazhdohet me "Procesin e Berlinit".

Z.Scholz i përmendi katër çështje të Procesit të Berlinit.

"1. Qarkullimin e njerëzve,

2. Qarkullimin e mallrave,

3. Qarkullimin financiar dhe

4. Shërbimet e lira në punë dhe në qëndrime të vendbanimit".

"Këto çështje do të vihen në spikamë dhe RF e Gjermanisë është shumë e interesuar për vazhdimin e "Procesit të Berlinit". Me këtë "Ballkani i hapur" mori fund. Aq më parë kur Serbia si bashkëthemeluese është jashtë përcaktimeve politike, ekonomike dhe financiare ndaj Rusisë si shtet agresor në Ukrainë. Serbia nuk i pranoi sanksionet ekonomike, financiare, si dhe ato politike. Mbeti shteti i vetëm në Evropë që doli përkrah Rusisë”, deklaron ai.

Ai gjithë këtë e lidh edhe me luftën në Ukrainë nga agresori rus, për të cilin thotë se Serbia është e varur nga Rusia dhe si e tillë bën pjesë në “Ballkanin e hapur”, andaj përbën edhe rrezik në Ballkan, duke deklaruar se “Ballkani i hapur” pa Gjermaninë është shumë i rrezikshëm për paqen në këtë anë të Evropës.

“Kjo, në njërën anë dhe, në anën tjetër, vartësia e Serbisë nga Rusia si dhe rrezikimi i paqes në Ballkan nga Serbia, duke kërcënuar Kosovën, BH me luftë, ishin faktet që "Ballkani i hapur", pa prezencën e BE dhe konkretisht të Gjermanisë, është shumë i rrezikshëm për paqen në këtë anë të Evropës. Këtej, iu dha në Berlin goditja përfundimtare "Ballkanit të hapur" dhe erdhën në proces përsëri mekanizmat e "Procesit të Berlinit". Këtu dhe në këtë mekanizëm do të ketë RF e Gjermanisë dhe BE rolin vendimtar. Me BE dhe me RFGJ si garant ecet sigurt në integrime ballkanike dhe evropiane. “Procesi i Berlinit” kërkohet të përkrahet”, vlerëson ai.

Qarri: Rama mori mesazhin e qartë nga Gjermania për “Ballkanin e hapur”

Image
Gani Qarri

 

Analisti Gani Qarri thotë se e gjitha kjo ka të bëjë me luftën në Ukrainë. E që sipas tij, BE është treguar largpamëse sa i përket këtij procesi dhe qëndrimi gjerman vije pikërisht për shuarjen e qëllimeve serbo-ruse dhe tendencave të kriminelit të luftës Vladimir Putin për dominim edhe në këtë pjesë të Evropës.

“Në fakt agresioni ushtarak i Rusisë, për okupimin me forcë të Ukrainës, dëshmoi edhe njëherë më tepër se zgjerimi i BE-së me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e procesit integrues të saj, nuk është më vetëm akt zgjerimi, por edhe çështje gjeostrategjike e vet Bashkimit Evropian, për ruajtjen e paqes e të sigurisë në Ballkan dhe pamundësimin e shtrirjes së ndikimit rus në këtë rajon, tejet të ndjeshëm politikisht. Prandaj, në kuadër të këtij procesi largpamës të BE-së, vjen edhe qëndrimi gjerman, për shuarjen e qëllimeve serbo-ruse dhe tendencave të kriminelit të luftës Vladimir Putin për dominim edhe në këtë pjesë të Evropës, duke asgjësuar përfundimisht, idetë e prodhuara në Kremlin nga shërbimet e fshehta ruse, për gllabërimin fillimisht ekonomik e pastaj edhe politik të Ballkanit Perëndimor, përmes Serbisë hegjemoniste si dorë e zgjatur ruse në rajon”, thotë Qarri.

Sipas tij, kancelari gjerman ia bëri me dije kryeministrit Edi Rama, se për vendet e Ballkanit Perëndimor, Gjermania nuk mbështet asnjë iniciativë serbo-ruse, dhe hedhë poshtë kategorikisht edhe idenë serbomadhe të ashtuquajtur "Ballkan i hapur".

“Qëllim të cilin Rusia tentonte ta arrinte përmes satelitit të vet besnik, Serbisë së Vuçiqit, me idetë mjegulluese, që brenda 1-2 vitesh, ndërroi dy-tre emra, si: "mini-shengen", pastaj "Open Ballkan", e më vonë ndoshta do të emërtohej edhe si "mini-jugosllavi" etj, por që gjithsesi, për qëllim kryesor, kishte realizimin e idesë së ekstremizmit ultra serb për krijimin e "botës serbe" dhe shndërrimin e saj, në "Serbi të madhe" me ndihmën e sharlatanit Edvin Kristaq Rama, i cili i vetëm nga gjithë rajoni, ka hy në shërbim total të Serbisë. Kështu që ishte shumë normale dhe plotësisht e arsyeshme që kancelari gjerman Olaf Sholc t`ia bënte publikisht me dije, ashtu siç edhe i tha hapur Edi Ramës, se për vendet e Ballkanit Perëndimor, Gjermania nuk mbështet asnjë iniciativë serbo-ruse, dhe hedhë poshtë kategorikisht edhe idenë serbomadhe të ashtuquajtur "Ballkan i hapur", përveç Procesit të mirënjohur të Berlinit, i cili është aktual dhe po rifunksionalizohet përditë e më tepër, me zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve miqësore, bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar, me vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ai.

Në fund, ai shton se në gjithë këtë vizitë të kryeministrit Rama, për Gjermaninë, “Ballkani i hapur” organizata më e madhe politiko-ekonomike evropiane, ka marrë fund, dhe as që ekziston.

Tutje shton se, me këtë akt po dëshmohet publikisht, se Edi Rama ka gënjyer hapur dhe pa fije turpi, veten dhe shqiptarët, që e mbështetin atë, kur ka tentuar ta identifikojë me manipulime "Ballkanin e hapur" me Procesin e Berlinit.

Sipas Qarrit, nëse ai ka dashur ta kuptojë si duhet, ky ishte mesazh më i qartë, që ka marrë së fundi Edvin Kristaq Rama, se legjenda serbo-ortodokse e kamufluar me emrin mitik, "Ballkan i hapur", për Gjermaninë si njëri nga promotorët më të fuqishëm dhe vendimtar të Bashkimit Evropian dhe vet BE-në si organizata më e madhe politiko-ekonomike evropiane, ka marrë fund, dhe as që ekziston.

“Kjo edhe për vet faktin se, aventura e radhës serbo-ruse e të ashtuquajturit “Ballkan i hapur” është njëri nga proceset më të rrezikshme për shqiptarët, që mund të riprodhojë luftëra të reja dhe paqëndrueshmëri politike në gjithë rajonin, akt me të cilin po dëshmohet publikisht, se Edvin Kristaq Rama ka gënjyer hapur dhe pa fije turpi, veten dhe shqiptarët, që e mbështetin atë, kur ka tentuar ta identifikojë me manipulime "Ballkanin e hapur" me Procesin e Berlinit, gjë që përfundimisht, iu bë plotësisht e qartë edhe vet Ramës, se përveç në kokën e tij dhe të sivëllait të Putinit, Aleksandër Vuçiqi, për BE-në dhe vendet kandidate për integrim në Bashkimin Evropian, i ashtuquajturi “Ballkan i hapur”, as që ekziston!”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat