Raporti i Departamentit Amerikan - Dora e shtetit ende nuk funksionon në veri/ Kërkohet kohë dhe qëndrueshmëri

Politika

Raporti i Departamentit Amerikan - Dora e shtetit ende nuk funksionon në veri/ Kërkohet kohë dhe qëndrueshmëri

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 14 prill 2022 Në ora: 20:02
Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet Departamentit të Shtetit secilin vit dalin me raporte për zhvillimet 1 vjeçare, duke adresuar kritika dhe ofruar pikëpamjet e tyre se me çka ballafaqohen demokracitë në botë.

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij për Kosovën për vitin 2021 ka theksuar se qeveria e Serbisë vazhdon të operojë me struktura paralele në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Ndikimi i Serbisë në Kosovë nëpërmjet Listës Serbe është rezultat i qeverisjeve në të kaluarën

Në raport përmendet se qeveria e Serbisë i përdorë strukturat paralele që të ndikojë te serbët e Kosovës dhe te përfaqësuesit e tyre politikë.

“Qeveria e Serbisë ka vazhduar të operojë me strukturat paralele ilegale qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti kosovaro-goran. Qeveria serbe i përdorte shpesh këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe kosovaro-gorane dhe te përfaqësuesit politikë të tyre”, thuhet në raportin e DASH-it.

Për më tepër ky raport e përshkruan Listën Serbe si parti shumë e afërt me qeverinë e Serbisë.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, aktivisti politik, Avni Zogiani thotë se ndikimi i Serbisë në Kosovë, përmes Listës Serbe është rezultat i praktikave të gabuara të qeverive të kaluara.
 

Image
Avni Zogiani

“Së pari ne e dimë se struktura kryesore paralele e qeverisë së Beogradit në Prishtinëështë Lista e partive serbe që përfaqëson politikat e Serbisë në institucionet e Kosovës.Mirëpo, për 12 vjet pavarësi për shkak se subjektet politike në Kosovë ishin më shumë të interesuara ta përdorin pushtetin për vete sesa për ndërtim të shtetit, këto struktura vetëm sa janë forcuar”, thotë Zogiani.

Problemet siç i përshkruan aktivistiZogiani lidhen me varësinë që ishte krijuar nga këto struktura.

“Janë forcuar politikisht me Listën Serbe dhe në marrëveshje të dëmshme të krerëve të partive tashme në pushtet, dhe janë forcuar sepse nuk ka vepruar shteti meqëlidershipi ka qenë në varësi direkte nga Lista Serbe dhe prandaj nga Beogradi”, thotë Zogiani.

Sipas Zogianit gjërat kanë filluar të ndryshojnë sepse qasja dallon, por duhet kohë dhe qëndrueshmëri sa i përket kësaj çështje, e cila e ka sulmuar integritetin e shtetit të Kosovës.

Problemi është thellësisht ligjor

Image
Krenar Shala

Ndërsa, sipas analistit politik, Krenar Shala, raporti i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, është pasqyrim i gjendjes reale në terren, përkundër përmirësimeve nga disa aksione që i ka zhvilluar shteti i Kosovës, si shembull në veri të Kosovës.

“Mendoj se raporti reflekton gjendjen në terren, përkundër përmirësimeve në fushën e sundimit të ligjit në veri. Kohëve të fundit kemi qenë dëshmitar të një morie aksionesh, të cilat janë ndërlidhur me luftimin e krimit të organizuar dhe këto aksione janë duke kontribuar pozitivisht në përmirësimin e gjendjes atje dhe integrimin e asaj pjese me pjesën tjetër të Kosovës”, thotë Shala për gazetën “Bota sot”.

Tutje ai shprehet se problemi në veri nuk është vetëm politik dhe se ndërlidhet me shpalljen e personave nongrata nga SHBA-të.

“Problemi në veri nuk është politik, por thellësisht ligjor. Këtu kujtojmë vendimin e Departamentit të Thesarit rreth përcaktimit të krerëve të krimit të organizuar dhe që kanë vepruar në veri të Kosovës për një kohë të gjatë si persona nongrata dhe të cilëve iu është ngrirë pasuria në SHBA”, shprehet Krenar Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat