‘Acarohet’ Naim Miftari: Nëse Blerim Isufaj bëhet Kryeprokuror i Shtetit, të japin dorëheqje Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Politika

‘Acarohet’ Naim Miftari: Nëse Blerim Isufaj bëhet Kryeprokuror i Shtetit, të japin dorëheqje Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Nga: N. Sh. Më: 14 prill 2022 Në ora: 23:18
Blerim Isufaj dhe Vjosa Osmani

Beteja kryesore e Qeverisë Kurti është beteja për sundimit e rendit dhe ligjit.

Një mendim të tillë e thotë ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, i cili shton se, kjo betejë tashmë është shndërruar në një konflikt të hapur me kupolat e krimit të organizuar që janë të instaluar në institucionet e Kosovës, nga politikanët e mëparshëm.

Sipas tij, këta politikanë ishin të korruptuar nga organet e drejtësisë si KPK-ja dhe KGJK-ja.

“KPK-ja dhe KGJK-ja, nuk është fare sekret se janë krijesa të Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Ilmi Reqicës të SHIK-ut në bashkëpunim me klanin e ish komunistëve në krye me Isa Mustafën dhe prokurorë, gjyqtarë, e ish-zyrtarë Jugosllavë dhe Serbë, të pushtetit të Millosheviqit, pasi që pas lufte nuk mundëshe të bëhesh prokuror nëse nuk ke stazh të punës disa vite në komunizmin Jugosllav dhe diktaturën e Sllobodan Millosheviqit”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, pas luftës në Kosovë, drejtësia ishte nisur keq dhe deri tani kurrë nuk ka pasur drejtësi të mirëfilltë e demokratike.

“Prandaj si të gjitha institucionet tjera, edhe KPK dhe KGJK që funksionojnë tani, janë vetëm vazhdimi i mbajtjës së kontrollit mbi sistemin e drejtësisë nga klani i SHIK-ut të Hashim Thaçit me shokë dhe nga klani i Komunistëve që brenda natës u bënë demokrat të Isa Mustafës me shokë!”, shton ai.

Miftari potencon se, edhe tentimi i zgjedhjes natën e nëpër skuta të prokurorëve, dhe gjyqtarëve nga KPK dhe KGJK është tentim me mbajtë peng drejtësinë e Kosovës në dorën e krimit të organizuar edhe për shumë kohë.

“Nëse këtë skenarë arrin ta ruan dhe e vazhdon akoma më tutje Pronto Mafia, duke ua lejuar kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, atëherë këta të dy të fundit duhet dhënë menjëherë dorëheqje, pasi premtimi kryesor i tyre parazgjedhor ka qenë premtim për sundimin e ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thotë ai.

Miftari thotë se tentimi për zgjedhjet e Blerim Isufaj kryeprokuror i ka rrënjet në burgun e Hagës.

“Tentimi i fundit i KPK-së, për zgjedhjen pa kurrfarë kriteri, kukullën e Prontos për Kryeprokuror të Shtetit, prokurorin Blerim Isufaj, u dëshmua se është një përpjekje që rrënjët dhe rekomandimet i ka të porositura nga burgu i Hagës dhe pjesërisht edhe në fondin e vjedhur të 3% në Prapashticë. Dhe në fakt, nëse arrin të bëhet ai Kryeprokuror i Shtetit, gjithçka po shkon në vijën dhe skenarin e përgatitur që drejtësinë e Kosovës ta mbajë akoma të kapur nga nëntoka kriminale. Kjo sepse po shkon një Aleksandër Lumez, që është kuadër i pastër 100% i Adem Grabovcit me shokët e tij, e po tentohet dhe po na vijnë brenda natës shumë Aleksandër Lumeza të tjerë”, thotë Miftari.

Ai shton se Qeveria dhe Presidentja duhet të pastrojnë shtetin nga kuadrat e SHIK-ut.

“Pra, Qeveria Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, duhet ta pastrojnë shtetin, policinë, AKI-në, KPK-në dhe KGJK-në nga kuadrat ‘made in SHIK’, Adem Grabovci me shokë dhe nga ish kuadrat e Josip Broz Titos e Sllobodan Millosheviqit”, përfundon Naim Miftari.

Ndryshe, Zyra e Presidentes, të premten e 8 prillit, e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.

Këtë e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.

“Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”.

E para e shtetit, Vjosa Osmani, ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të jetë me integritet.

“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit. Për veprimet e mëtutjeshme, mediat dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”.

Procesi i përzgjedhjes së Blerim Isufajt për këtë post është përcjellë me reagime të ashpra nga organizatat që e kanë monitoruar këtë proces, përfshirë edhe ambasadorët e vendeve të Quint-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat