Alarmon gjeneral Qehaja: Serbia po përgatitet për sulm në veri - urgjent të kontaktohet NATO, të lejohet ushtria atje

Politika

Alarmon gjeneral Qehaja: Serbia po përgatitet për sulm në veri - urgjent të kontaktohet NATO, të lejohet ushtria atje

Nga: A.ZH Më: 16 prill 2022 Në ora: 18:00
Gjenerali Ramadan Qehaja

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, gjeneral Ramadan Qehaja, ka thënë se Serbia po synon tri qëllime, përmes sulmeve të fundit ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Në një bisedë për gazetën “Bota sot”, Qehaja ka paralajmëruar se Serbia ka për qëllim të bëjë një sulm të shpejtë në pjesën veriore të Kosovës. Ai nuk e përjashton mundësinë që sulmet të kenë synim futjen e frikës ndaj qytetarëve dhe destabilizimin e veriut, por edhe matjen e pulsit se sa është në gjendje Kosova t’i kundërpërgjigjet sulmeve të tyre.

Gjenerali ka paralajmëruar se Serbia mund të jetë duke u përgatitur për sulm me tri batalione me aviacion, armë artilerike dhe raketa në veri të Kosovës. E gjithë kjo sipas tij, vjen pasi Kosova nuk po bën lëshime në dialog për këtë pjesë të Republikës.

Image
Pamje nga sulmi ndaj policëve të Kosovës

“Qëllimet serbe në veri, unë do të thosha se janë tri. Së pari, serbët kanë për qëllim të bëjnë një luftë speciale atje, të na fusin një frikë apo panik dhe të bëjnë destabilizim, sikurse edhe kanë filluar ta bëjnë këtë. Sepse, edhe deklaratat e para dy-tre muajve dhe gjashtë muajve të krerëve ushtarakë dhe të Punëve të Brendshme të Serbisë, por edhe të kreut të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë qenë edhe kërcënimet ushtarake. Kemi pasur edhe lëvizjen e forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit në pjesën veriore të vendit, do të thotë ata duan të bëjnë një destabilizim në atë pjesë të territorit tonë dhe në përgjithësi të tregojnë që ne nuk jemi në gjendje ta kontrollojmë vendin tonë, shtetin tonë.

E dyta, mund të jetë, ashtu të shprehem një matje e pulsit se sa jemi ne në gjendje t’i kundërvihemi sulmeve dhe destabilizimit serb në atë pjesë të territorit tonë, por edhe ndaj Kosovës në tërësi.

Mendoj se kjo e treta që po e them, nuk është për t’u hedhur poshtë, kjo mund të jetë një parapërgatitje për të ndërhyrë me forca dhe mjete të duhura, së paku unë po e vlerësoj, me tri batalione apo me një brigadë të moto-mekanizuar në tri drejtime dhe kjo brigadë, do të përkrahej me aviacion, armë artilerike dhe raketa.

Lexo edhe: Gjeneral Qehaja: Pse KFOR-i nuk pati informacione për sulmet në veri? Rusët në aksion - ja çka po synohet

Sipas mendimit tim, këtë variant ata janë duke e shqyrtuar gjithnjë dhe ne nuk mund ta lëmë anash këtë, sepse dëshirojnë që në një moment ta bëjnë një sulm rrufesor, të shpejtë dhe papritmas të gjenden diku në lumin Ibër dhe pjesën veriore të vendit tonë, ata ta shkëpusin nga Kosova. Ky është qëllimi i tyre, sepse po e shohin edhe ata që ne në fakt e trajtojmë atë domosdoshmërisht, pasi ajo është pjesë e jona dhe në biseda nuk ka lëshime në këtë drejtim”, është shprehur Qehaja për “Bota sot”.

Pos destabilizimit të Kosovës, eksperti i sigurisë thotë se Rusia dhe Serbia po synojnë edhe destabilizimin e Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Srpska dhe Malit të Zi.

“Duke e ditur situatën, e cila po mbretëron në Ukrainë dhe se çka po bën Rusia atje, siç tha edhe presidenti Biden “gjenocid, atëherë po shihet që edhe Ballkani nuk është larg mendsh që të mos mbetet jashtë tentativës për ndikimin serbo-rus, siç janë vendet Bosnja e Hercegovina, Republika Srpska dhe shkëputja e tyre, destabilizimi i Malit të Zi dhe kuptohet shkëputja veriore e vendit tonë dhe të bëhet një Serbi e madhe këtu dhe në përgjithësi të destabilizohet rajoni. Edhe në Maqedoni, ndikimi serb është mjaft i madh, kështu që marrë në tërësi nuk mund të jemi komod, sa i përket rajonit të Ballkanit”, ka thënë më tej Qehaja.

Duke komentuar reagimet e Bashkimit Evropian dhe të Ambasadës Amerikane në Kosovë, gjenerali vlerëson si shenja të mira.

Por, ai ka nënvizuar se Kosova duhet të kërkojë urgjentisht një kontakt me kreun e NATO-s dhe ta informojë lidhur me përgatitjet që po i bën Serbia për sulm ndaj një pjese të territorit të Kosovës.

“Çka duhet të bëjmë ne? Mendoj se duhet të jemi shumë të prerë. Është mirë që presidentja e ka ftuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare, me njerëzit më përgjegjës për çështje të sigurisë së vendit tonë, pas kësaj situate dhe mirë është që një reagim i Bashkimit Evropian dhe i Ambasadës Amerikane, bukur i ashpër ka ndodhur. Por, shtrohet pyetja çka duhet të bëjmë ne si shtet? Ne duhet të kemi menjëherë një kontakt me kreun e NATO-s, jo të diskutojmë me komandantin e KFOR-it këtu, por me kreun e NATO-s dhe me elementet që i kemi në dispozicion për këto tri-katër ditët e fundit, por edhe më herët, të dalim me një informacion para kreut të NATO-s se çka është duke bërë Serbia për destabilizim të Kosovës, përkatësisht përgatitjet për sulm ndaj një pjese të territorit të Kosovës”, ka potencuar eksperti i sigurisë.

Image
Ushtria e Kosovës

Sipas tij, Kosova duhet të jetë këmbëngulëse në kërkesat e saj dhe të kërkojë poashtu edhe përforcimin e njësiteve të KFOR-it.

“Duhet të bëjmë një takim informues me NATO-n dhe të jemi këmbëngulës në kërkesat tona, që KFOR-i këtu t’i kryejë detyrat e veta dhe të jetë më aktiv. Duhet kërkuar që të bëhet edhe një përforcim të njësiteve të KFOR-it këtu, sepse në kohët e fundit është bërë një zvogëlim drastik i njësiteve të KFOR-it, por sidoqoftë kjo mund të rregullohet së shpejti, ashtu siç do të kërkojmë ne apo siç parashohin ata të NATO-s”, ka thënë më tej Ramadan Qehaja.

Ai ka kërkuar poashtu që të hiqet nga përdorimi dokumenti, i cili ia ndalon pjesëtarëve të FSK-së futjen në veri të Kosovës. Sipas tij, kjo nuk është e pamundur me faktet që Kosova i ka në dispozicion për ta argumentuar këtë kërkesë.

“Ne e kemi një ndalesë për moslejimin e hyrjes së Forcave të Sigurisë së Kosovës, në veri të Kosovës, dhe pse kjo ka ndodhur dhe si ka ndodhur, nuk dua ta shpjegoj këtë. Por, tash është momenti të kërkojmë në mënyrë të thukët dhe me këmbëngulje që ne FSK-në mund ta fusim për territor të kontrollit në tërë hapësirën e Republikës së Kosovës. Pra, duhet kërkuar që ai dokument, i cili është nënshkruar më herët, të vihet jashtë përdorimit, sepse situata këtë po e dikton. Dikush do të thotë se po kërkoj shumë dhe se kjo është e pamundur, por mund të jetë edhe e mundur, kur ke në dispozicion faktet e mjaftueshme për ta shpjeguar këtë. Jo për ta futur FSK-në në luftë, por për çështje të mbrojtjes të kemi një njësi edhe në këtë pjesë të territorit, në bashkëveprim me njësitet e KFOR-it”, është shprehur Qehaja.

Image
Policia e Kosovës

Gjenerali poashtu vlerëson se duhet të ngritët përgatitja për rezistencë vetanake, nëse është nevoja, pavarësisht prezencës së KFOR-it.

“Unë jam i prirë të mendoj se pavarësisht prezencës së KFOR-it këtu, ne duhet domosdoshmërisht të përgatitemi që me forcat tona vetanake, të jemi në gjendje të japim një rezistencë të duhur, nëse shtrohet nevoja për këtë. Po e nënvizoj këtë, në forcat tona vetanake, duke menduar në FSK-në, ushtrinë tonë, në Policinë, në njësitet e gatishmërisë emergjente, në AKI dhe strukturat tjera në gatishmëri për veprim, nëse është nevoja për këtë. Në mënyrë të përshpejtuar, ne duhet të bëjmë ngritjen e gatishmërisë vepruese të ushtrisë sonë”, ka thënë Ramadan Qehaja për “Bota sot”.

Ai përmend edhe Fondin e Sigurisë, i themeluar së fundit nga Qeveria e Kosovës, në të cilin tashmë po kontribuojnë qytetarët, si një lëvizje për ngritje e gatishmërisë vepruese të forcave tona.

“Për herë të parë është ndarë një shumë mjaft e madhe e mjete financiare në krahasim me vitet e mëparshme, edhe pse nuk është e mjaftueshme as kjo dhe për të blerë armatim, është formuar një fond për siguri, e që sipas meje njerëzit kanë filluar të paguajnë aty dhe kur është në pyetje çështja e mbrojtjes së vendit, edhe pensionistët janë në gjendje të japin ndihmë në këtë drejtim. E gjithë ky kontribut duhet të bëhet, që në mënyrë të përshpejtuar dhe në lëvizje e sipër të bëjmë ngritjen e gatishmërisë vepruese të forcave tona. Unë e pranoj dhe është shumë mirë që ne tashmë jemi në gjendje që të japim kontributin edhe me forcat tjera kur është çështja në vendet tjera. Mirëpo, duhet të mendojmë parasegjithash çka mund të bëjmë këtu”, ka theksuar më tej Qehaja.

Sipas tij, përkundër që raporti i forcave mes ushtrisë serbe dhe ushtrisë së Kosovës është i pavolitshëm, morali i popullit të Kosovës është aq i lartë, saqë në rast nevoje do t’i jepte një rezistencë të duhur dhe të rreptë Serbisë.

“Raporti i forcave mes ushtrisë serbe dhe ushtrisë sonë, është i pavolitshëm, pasi ata kanë shumë me tepër forca ushtarake e policore, që mund t’i përdorin, por ai që sulmon duhet të jetë së paku tri-katër herë më i fortë për të sulmuar një vend, konkretisht për të sulmuar një pjesë të territorit të Kosovës, ku ende janë të freskëta plagët e luftës që e kanë bërë forcat ushtarake policore paramilitare serbe dhe gjenocidin që e kanë bërë këtu në Kosovë dhe morali i njësiteve tona, i njerëzve dhe popullit tonë, është aq i lartë saqë mendoj se mund t’i japim një rezistencë mjaft të rreptë dhe të duhur Serbisë, nëse shtrohet nevoja për këtë”, ka shtuar gjenerali Ramadan Qehaja për gazetën./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat