Nexhat Haziri i përgjigjet Rufki Doganit: Ja kush i dha 3 milionë euro për betejën e Kumanovës

Politika

Nexhat Haziri i përgjigjet Rufki Doganit: Ja kush i dha 3 milionë euro për betejën e Kumanovës

Nga: P.R Më: 17 prill 2022 Në ora: 15:05
Rufki Dogani i ka reaguar analistit Nexhat Haziri, pasi ky i fundit tha se për konfliktin në Kumanovë janë dhënë 3 milionë euro.

I dënuari në rastin Kumanova, Rufki Dogani i ka reaguar analistit Nexhat Haziri, pasi ky i fundit tha se për konfliktin në Kumanovë janë dhënë 3 milionë euro, konflikt ky që sipas tij u kurdis nga shërbimi sekret maqedonas.

Dogani i ka kërkuar Hazirit që nëse ka prova për këtë, atëherë t’i publikojë, duke mohuar se ai ka qenë pjesë e ndonjë pazari.

“Unë Rufki Dogan si pjesëtar dhe i dënuar i “Grupit të Kumanovës”, e ftoj publikisht që në lidhje me deklarimin e tij se ka prova konkrete se individë të caktuar të “Grupit të Kumanovës” kanë pranuar 3 milionë euro për kurdisjen e të ashtuquajturës betejë. I publikoj të gjitha provat dhe faktet pasi që “Grupi i Kumanovës” ka pasur edhe nga ato individë të cilët nuk di asgjë mbi kurdisjet politike dhe pagesat që mund të jenë bërë dhe se siç e citoj ish kryeministri i atëhershëm i RMV Nikolla Gruevski, “aty (në atë grup) ka persona që janë nisur për Shqipëri të Madhe”. E lus publikisht Nexhat Hazirin që në rast se ka prova të atilla t’i publikojë sa më shpejt që është e mundur që edhe opinioni i gjerë mbarëshqiptar të njoftohen me të gjitha pazaret dhe pisllëqet që janë bërë në kurriz të shqiptarëve. Në të ardhmen kur të përmend “Grupin e Kumanovës” mos e përmendi në tërësi por individualisht secilin person që ai mendon se ka qenë pjesë e planit keqdashës edhe të korruptuar të idealit kombëtar. Unë Rufki Dogani, si pjesë dhe i dënuar i “Grupit i Kumanovës” publikisht deklaroj se s’kam qenë pjesë e asnjë pazari dhe kurdisje politike që përmend z.Haziri, por kam pasur të vetmin qëllim bashkimin e trojeve shqiptare dhe për këtë jam i dënuar dhe vuaj dënimin në burgjet e RMV”, shkroi në reagimin e tij Dogani.

E pas kërkesës së Doganit, “Bota sot” ka kontaktuar analistin Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

 

“Për Rufki Doganin, nuk do të zgjatëm shumë për t’iu përgjigjur kërkesës sate sa i përket fakteve të atyre 3 milionë eurove për rastin e të ashtuquajturës “Beteja e Kumanovës”. E para, nuk kam thënë në asnjë shkrim timin apo prononcim se 3 milion euro i kanë marrë pjesëtarët e grupit të luftëtarëve të “Betejës së Kumanovës””, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Sipas tij, 3 milionë euro janë dhënë nga shërbimi maqedonas për inskenimin e ngjarjes së Kumanovës.

“Por, kam thënë se për inskenimin i ngjarjes në Kumanovë janë dhënë 3 milion euro nga shërbimi inteligjent maqedonas, të cilat janë marrë nga politikanë shqiptar nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, se si i kanë ndarë, këtë nuk e di”, është shprehur Haziri.

Ai thotë se faktet duhet t’i publikojë grupi i Kumanovës, grup i cili sipas Hazirit, ka zgjedhur heshtjen.

“Sa i përket publikimit të fakteve, këtë gjë nuk mund ta kërkoni nga unë, deri sa ju heshtni (jo vetëm ju por edhe të tjerët) për opinion dhe nuk tregoni se kush iu dërgoi atje, kush ishin komandantët tuaj. Nuk keni kërkuar përmes avokatëve tuaj, apo të pyetni kush i ndali të ashtuquajturat “Bombat e Zaevit”, në të cilat apo përmes përgjimeve zbardhej edhe rasti i ngjarjes së Kumanovës të 9 majit 2015”, deklaron Haziri.

“Dhe krejt për fund Rufki, unë nuk ndjejë asnjë përgjegjësi për ty dhe të tjerët që vuani dënimin me burg për këtë ngjarje, nuk jam ai që iu kam dërguar atje. Natyrisht që ndjej keqardhje për disa, që mund të jeni edhe ju, që jeni mashtruar e tradhtuar nga ata që iu bën “mish për top”, për interesat e veta politike e financiare, e “ata” nuk janë krejt të panjohur as për ju”, përfundon analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat