Paralajmërimi: Ky është mashtrimi i radhës nga PDK

Politika

Paralajmërimi: Ky është mashtrimi i radhës nga PDK

Nga: P.R Më: 18 prill 2022 Në ora: 21:22
PDK po synon krijimin e një qeverie në hije, të cilën po e quajnë Kabineti për “Qeverisje të mirë”

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se kabineti i “Qeverisjes së Mirë” nga PDK, është në finalizim e sipër dhe ditëve në vijim do të bëhen publik edhe emrat që pritet të jenë bartës të funksioneve.

“Ky organizim është në finalizim e sipër dhe kush do të jetë pjesë e saj besoj që do ta kuptoni ditëve në vijim. Unë kam angazhim në Parlamentin e Kosovës si shef i Grupit Parlamentar me një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe dhe për emrat që do të jenë pjesë e kabinetit të qeverisjes së mirë të PDK-së, do t’i kuptoni ditëve në vijim”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

Por kritika për këtë nismë të re të PDK-së, ka analisti politik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

“Aman, kur flet edhe PDK për qeverisje të mirë, s’di çfarë të thuhet më, njësoj sikur të flet hajni për moral. Faktikisht, PDK ka dëshmuar se vetëm mirë s’di të qeverisë, megjithatë dhashtë zoti të mbesin gjithmonë në opozitë me "qeverisje të mirë", së paku dëm nuk bëjnë”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Me “Qeverisje të mirë”, Mehmeti deklaron se PDK po synon t’i mashtrojë edhe njëherë qytetarët.

“Me "qeverisjen e mirë" PDK synon tu hedhë hi syve qytetarëve, ky është mashtrimi i saj i radhës, të cilin nuk besoj se do të ndikojë në ndryshimin e perceptimit të qytetarëve për PDK. Abelard(ë) Tahiri është mirë së pari të mësojë se emri i tij nuk shkruhet Abelardë, por Abelard, tek pastaj të flet për qeverisje të mirë gjëra të tjera të cilat janë të pakapshme për aftësitë e tija”, thekson Mehmeti.

Sipas tij, në ADN-në e PDK-së, është hajnia dhe korrupsioni.

“Përveç të paaftë, në PDK ka edhe shumë njerëz që dëme të mëdha i kanë bërë vendit. PDK, me veprimet e saj duke tentuar që të paraqitet si alternativë, dështimin e ka të sigurt, tashmë maska i është çjerrë, PDK vetëm mirë s’di të qeverisë, në ADN e saj është hajnia dhe korrupsioni”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.

Kujtojmë se për “Qeverisjen e mirë” të PDK-së, ka folur edhe sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi.

“Ky kabinet i qeverisje së mirë i ka disa detyra: e para është që ta bëjë opozitën karshi kësaj Qeverie të cilën e kemi dhe do të paraqesë ide alternative se si do të bëheshin punët më mirë dhe do të ofrojë PDK-në me qytetarët e Kosovës që do ta bindë se është alternative e duhur që nesër kur të mbahen zgjedhjet të jemi fitues të atyre zgjedhjeve, ku ato ide do t’i proklamojmë gjatë punës së kësaj Qeverie”, ka thënë Betim Gjoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat