Sulmet ndaj policisë në veri/ Intervenimi i FSK-së në pikëpyetje, KFOR-i e ka ‘fjalën e fundit’!

Politika

Sulmet ndaj policisë në veri/ Intervenimi i FSK-së në pikëpyetje, KFOR-i e ka ‘fjalën e fundit’!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 prill 2022 Në ora: 22:31
Foto ilustrim

Veriu i Kosovës po vazhdon të jetë ende pikë ‘kritike’.

Së fundmi, për pesë ditë me radhë zyrtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar në veri.

Ata janë sulmuar me granatë dorë e armë zjarri Ak-47, sulm të cilin ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka quajtur sulm terrorist.

Krahas kësaj, misioni i KFOR-it në Kosovë dënoi sulmet dhe konfirmuan gatishmërinë e tyre për të mbështetur Policinë e Kosovës nëse është e nevojshme.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe e kërkuar”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Megjithatë, KFOR-i nuk përmendi vendosjen e FSK-së në veri.

Ekspertët e sigurisë për gazetën “Bota sot” thanë se KFOR-i është autoriteti i vetëm që ka mandat për sigurinë e vendit, andaj edhe prezenca e FSK-së arrihet vetëm përmes thirrjes së tij.

Shala: Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka dhënë një udhërrëfyes që FSK-ja të mbetet jashtë çdo lëvizje politike në Kosovë

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

E lidhur me këtë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala. Ai tha se në bazë të një udhërrëfyesi të Departamentit Amerikan, FSK-ja duhet të mbetet jashtë çdo lëvizje politike. “FSK-ja duhet që të përmbush detyrat e saj në bazë të planit gjithëpërfshirës të transformimit në FAK dhe arritjes së kapaciteteve të plota ushtarake.

Si dhe nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes është dhënë një udhërrëfyesi që FSK-ja të mbetet jashtë çdo lëvizje politike që mund të futet në Kosovë”, deklaroi Shala.

Eksperti i sigurisë potencoi se KFOR-i është i vetmi autoritet që ka mandate për sigurinë e Kosovës, derisa tha se pas Policisë së Kosovës, edhe EULEX-i mund t’i ndihmojë organet e sigurisë.

“KFOR-i është autoriteti i vetëm ndërkombëtar që në bazë të Rezolutës 1244 ka mandatin që të sigurojë stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës duke mos lejuar assesi të cenohet siguria dhe si reagues i tretë i sigurisë pas PK-së, EULEX-i të mund t’i asistojë organet e sigurisë në mbarëvajtjen e sigurisë publike”, shpjegoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Tërnava: Situata e tensionuar në veri ka për qëllim tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tregoi se çfarë po fshihet pas sulmeve dhe provokimeve në veriun e Kosovës.

Ai beson se shteti serb po krijon situata tensionuese, me qëllim të vetëm që ta fajësojë shtetin e Kosovës për këto sulme dhe ta bëjë atë fajtore në sytë e BE-së.

“Situata e tensionuar me sulme të përditshme nga ana e qytetarëve të Serbisë, nga brendësia e atij shteti serb, e që e ka qëllimin e tensionimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Serbisë dhe Kosovës, e që shteti serb me politikat e saj dhe me këto veprime do që për gjendjen e acarimit serioz, nëse vjen deri te ajo, ta fajësojë vetë Kosovën. Se kinse ajo është fajtore për këto sulme që vetë Serbia po i organizon, sepse sikur mos të ishte kështu e mbasi që nga 13.04.2022 e deri më tani pandërprerë ditë për ditë në mënyra të ndryshme po sulmohet Policia e Kosovës”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Tërnava përmendi faktin se në veri të vendit tonë, në kuadër të Policisë së Kosovës bashkëpunojnë zyrtarë shqiptarë dhe serbë.

Ai paralajmëroi shtetin serb se nga sulmet e saj, të lënduar mund të mbesin edhe policët serbë që punojnë në Kosovë.

“Sikur mos të ishin politikat serbe të qëllimshme me këto tensionime, vetë Serbia do të duhej që t’i zbardhte këto vepra dhe vepërkryerësit e tyre qysh pas ditës së parë të sulmeve të 13 prillit. Pasi është fjala se sulmuesit janë shtetas të Serbisë, sepse në veri të Kosovës në rrethanat ku kufizohemi me Serbinë, në atë polici të Kosovës punojnë të rinj dhe të reja shqiptare me serb bashkë, dhe ato sulme që po bëhen ndaj policisë tonë, munden t’i godasin së bashku të gjithë kush gjendet në ato vetura apo vende ku mund të ndodhin ato sulme. Prandaj sikur e thash se policia në ato pjesë të veriut është e përbashkëta si serbe dhe shqiptar bashkë”, nënvizoi eksperti i sigurisë.

KFOR-i e ka për detyrë t’i siguroj kufijtë e Kosovës ashtu si e parasheh Rezoluta 1244 e OKB-së

Në vazhdim, ai alarmoi se në rast se vazhdojnë sulmet e tilla mund të shkaktojnë edhe vrasje. Ndonëse, përmendi faktin se në sulmet e fundit nuk kishte të lënduar, por vetëm dëme materiale.

“Ata sulmues sikur u pa deri më tani sulmojnë edhe me armë zjarri si me atë AK-47 apo granata dore apo armë tjera që ata planifikojnë me sulmu me to, e që gjithsesi se ato armë në përgjithësi janë të rrezikshme për jetërat e tyre, por fatmirësisht deri më tani në këto sulme përpos dëmeve materiale të veturave nuk kemi pasur policë me lëndime të rënda fizike. Edhe pse sulmet e pandërprera ndaj policisë i lënë ata me trauma psikike në ato momente.

Mirëpo, rrethanat janë të tilla që fatmirësisht ato vetura të policisë janë vetura të blinduara, prandaj përpos dëmeve të veturave, nuk ka të plagosur. Nëse vazhdohet me këtë trend të sulmeve që e kanë qëllimin e vrasjeve të policëve, ata munden me përdor armë më të sofistikuara që mund të shkaktojnë edhe vrasje të policëve në mënyra të ndryshme dhe me këtë do t’ia arrijnë qëllimeve që kanë në plan”, vlerësoi Tërnava.

Më tej, eksperti i sigurisë tha se kjo situatë tensionuese është në kompetencë të KFOR-it, ku ka treguar gatishmëri për ta ndihmuar policinë e vendit tonë.

Ai tha se fillimisht KFOR-i duhet ta vlerësojë situatën, para se ta lejojë FSK-në të vendoset në kufirin me Serbinë.

“Meqenëse, kjo situatë është alarmuar nga institucionet kompetente të Kosovës, e sidomos tani në kompetencën e KFOR-it, sikur që ka treguar gatishmëri për ta ndihmuar Policinë e Kosovës në këto kohëra të këtyre ndodhive. Njëherësh është edhe kompetencë që duhen ta vlerësojnë që t’i lejohet FSK-së të vendoset përgjatë kufirit me Serbinë apo së bashku me KFOR-in, ta bëjnë sigurimin e territorit të Kosovës. Kjo kishte me qenë një ndihmë e rëndësishme edhe për KFOR-in. Në të kundërtën KFOR-i e ka për detyrë t’i sigurojë kufijtë e Kosovës ashtu si e parasheh Rezoluta 1244 e OKB-së, kurse FSK-ja do ta vështrojë situatën nga ato pozicione ku është e stacionuar tani, por në gjendje të jashtëzakonshme dhe të gatishmërisë së plotë dhe gjithsesi në kontakte të përhershme me KFOR-in”, përmbylli Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat