Serbia po na kërcënon me luftë / Deputetja Ganimete Musliu me kë është kësaj here

Politika

Serbia po na kërcënon me luftë / Deputetja Ganimete Musliu me kë është kësaj here

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 19 prill 2022 Në ora: 13:13
Ganimete Musliu

Kosova e ka krijuar Fondin për Siguri të themeluar nga Qeveria e Kosovës tashmë disa muaj. Kryeministri Albin Kurti, me rastin e themelimit të Fondit të Sigurisë ka deklaruar se ai do të ndikojë për fuqizimin e nivelit të sigurisë së vendit tonë në të ardhmen dhe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit dhe diasporës që të kontribuojnë.

Fondi i Sigurisë synon të ndihmojë një nga përbërësit më të fuqishëm të themeleve të së ardhmes, forcat e armatosura, ushtrinë e Kosovës.

Po ashtu Qeveria për këtë vit e ka ndarë një buxhet prej 100 milionë eurove.

Ndërsa, së fundmi deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, e cila e ka mbajtur një fjalim në një takim me shqiptarë në Gjermani, ka thënë se Albin Kurti po i mashtron mërgimtarët me Fondin për Siguri dhe iu ka bërë thirrje që të mos dërgojnë para në të.

Ajo gjithëherë është munduar si shumë të tjerë nga PDK-ja t’i arsyetojnë gabimet e liderëve, duke thënë se e mbështesin krahun e luftës. Ndërsa, tani para kërcënimeve serbe për luftë me kë do rreshtohet ajo, kundër shtetit që do të bënte luftë apo me të!?

“Musliu të kërkoj falje për këtë deklaratë”

Image
Skënder Mulliqi

 

Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se deklarata e Musliut është skandaloze, e në veçanti tani kur ka luftë në Ukrainë, dhe rreziku që po na paraqitet nga Serbia.

“Të bësh thirrje para mërgimtarëve për sabotim të Fondit të formuar për ushtri, në një situatë të shpërthimit të luftës në Ukrainë, dhe rrezikut që po na paraqitet nga Serbia, e cila po na kërcënon me luftë, siç e bëri deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu është deklarim shumë i pa matur, skandaloz dhe shumë i dëmshëm politikisht. Dihet se formimi i fondit për ushtri na është imponuar, kur dihet për nevojën e madhe dhe të ngutshme që edhe Kosova të armatoset për tu mbrojtur nga çdo lloj agresioni i jashtëm, siç po armatosen edhe të gjitha shtetet në rajon. “Për hir tuajin, të fëmijëve tuaj, për hir të Kosovës, mos e duroni, mos e përkrahni, sepse është ka ju mashtron”, thoshte Musliu”, thotë Mulliqi.

Ai thotë se Musliu duhet të kërkoj falje për këtë deklaratë, sepse nuk ka arsye të bëjë një deklaratë të tillë, përderisa çdo gjë është transparente.

“Është ky një “përgjërim” negativ për studim psikologjik. Ushtria e Kosovës dhe atdheu janë të të gjithëve, jo vetëm të ndonjë personi të caktuar. Ajo duhet të turpërohet për një paraqitje të tillë publike. Mirë do të ishte që sa më parë ajo të kërkojë falje para qytetarëve, edhe pse një gjë e tillë e kërkimfaljes është bërë praktikë e keqe në Kosovë, kur dëmi publik veç është shkaktuar. Nuk ka asnjë arsye të një deklarimi të tillë kur dihet se çdo gjë do të jetë transparente, dhe këto mjete do të shkojnë në vendin e duhur. Nëse nuk ka pasur transparencë të duhur për 20 vite, tash kjo praktikë e keqe nuk do të tolerohet më”, shtoi ai

Mulliqi më tej theksoi se Kurti asnjëherë nuk i ka keqpërdorur mërgimtarët që të ndodhë tani një gjë e tillë.

Ai shtoi se si do të mbrohet shteti nëse nuk kemi armatim, pra si po e mendon këtë Musliu.

“Nëse partia e Musliut ka keqpërdor dhe ka përfituar sa ishin në pushtet, kjo gjë nuk do të thotë se do ta bënë edhe qeveria e re. Albin Kurti nuk ka i keqpërdor kurrë mërgimtarët dhe as që do t’i keqpërdorë, se nuk është mësuar me gjëra të jashtëligjshme. Me çka po mendon Musliu se duhet të mbrohet Kosova, nëse nuk kemi armatim të nevojshëm? Kjo sigurisht se ka njohuri për buxhetin e varfër të Kosovës, që më shumë është buxhet emergjent, se sa do t’i plotësonte nevojat për armatim në një situatë po thuaj lufte që po kalon bota dhe rajoni, pas invazionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Provokimet dhe incidentet qe disa ditë me radhë në veri të serbëve ndaj policisë të Kosovës, nuk janë asgjë tjetër veç janë grishje për luftë”, thekson Mulliqi.

“Musliu nuk është kundër investimeve në ushtri”

Image
Leon Duhanaj

 

Analisti politik, Leon Duhanaj potencoi se Kosova qysh moti ka eksperiencë me fonde, por tani sipas Duhanajt, mund t’i arrijmë vetë sepse jemi shtet i pavarur, por me armë Kosova mund të furnizohet edhe pa pasur luftë.

“Kosova dhe shqiptarët, kanë eksperiencë me fonde të tilla, të cilat në një kohë kanë qenë të nevojshme dhe të domosdoshme. Kemi pas fondin e 3%, fondin vendlindja thërret, pastaj edhe organizime të tjera si për TV-në e atëhershme RTP-në, aksioni për armë... etj. Të gjitha këto fonde që janë mbledhur, kanë qenë i vetmi burim i mundshëm financiar, pasi që ne në atë kohë kishim një organizim paralel, jashtë kornizave shtetërore. Tani kemi një situatë krejt tjetër. Sot jemi shtet i pavarur dhe si i tillë, mund t'i arrijmë të gjitha. Madje e kemi edhe shembullin e Ukrainës, e cila furnizohet masivisht me armë. Larg qoftë një situatë e tillë, por edhe Kosova mund ta bëjë të njëjtën, madje, këtë mund ta bëjë edhe pa luftë. Qeveria mund të projektojë buxhet për armë, qoftë edhe duke ndarë më shumë nga buxheti, qoftë edhe duke marrë kredi. Mënyra se si Qeveria Kurti i qaset shtetit, është në kundërshtim me çdo logjikë shtetërore. Në këtë kontekst, fillojnë dhe mbarojnë aksionet e tij, pa e dhënë ndonjë rezultat përpos atij propagandistik”, tha ai.

Tutje theksoi se e kishim e fondin për zhvillim, i cili nuk pati rezultat, e njëjta gjë sipas tij, do të ndodhë edhe tani.

Tutje e komenton edhe shpërndarjen e skemave sociale në vlerë të 100 eurove, gjë që sipas tij, kjo nuk e ndihmon asnjë familje, madje ai thekson se Qeveria ka stopuar të gjitha investimet kapitale.

Rreth deklaratës së Musliut, Duhanaj theksoi se ajo e ka vullnetin më të madh se Kurti në lidhje me këtë çështje, e kundër është ndaj nismave që çojnë tek degradimi shtetëror.

“Kjo qeveri i ka ndalur ato investime, nuk e bën as edhe një të punë të vetme, për të thënë, ja pra ka rënë shkalla e korrupsionit në Kosovë, por kjo nuk është mënyra. Sepse vendimi për t'i ndalur investimet është më i keq se një korrupsion i mundshëm sepse, është intervenim i drejtpërdrejtë në varfërimin e qytetarëve. Znj. Ganimete Musliu, nuk është kundër investimeve në ushtri madje jam i bindur se këtë vullnet e ka më të madh se Kurti dhe qeveria e tij, por është kundër nismave, të cilat shkojnë në paralelizëm me ç'rast çojnë edhe degradim shtetëror. Sot rrallë dikush flet për ketë fond, edhe pse para pak kohesh ka nisë, sepse nuk ka qenë vendim serioz”, theksoi ai.

Shtet social?

Më tej deklaroi se ushtria nuk duhet të jetë e financuar nga lëmosha por nga buxheti i shtetit.

Duhanaj ka edhe një propozim se si mund të ketë Qeveria përkrahje nga opozita, e që sipas Duhanajt, “Kurti ta thërret opozitën dhe t’u kërkoj mbështetje për ta sjellur ndonjë ligj i cili i garanton dyfishim apo trefishim të buxhetit vjetor për FSK-në”, pra sipas tij, kështu do ta kenë përkrahjen nga opozita.

“Qëllimi i themelimit të tij, ka qenë në shërbim të agjendave propagandistike dhe vënies në lajthitje të qytetarëve, të cilët nuk e kuptojnë logjikën e funksionimit shtetëror. Asnjë shtet i pavarur, nuk guxon të bëj lojëra me fatin e tij. Ushtria duhet të jetë e financuar dhe garantuar nga buxheti i shtetit, e në asnjë mënyrë nga lëmosha. Nëse z. Kurti vërtetë synon të investoj në ushtri, atëherë le ta thërras opozitën dhe t'u kërkoj mbështetje për ta sjellur ndonjë ligj, i cili i garanton dyfishim apo trefishim të buxhetit vjetor për FSK-në, le ta shohim pastaj, a po e përkrahë opozita një gjë të tillë, apo jo. Vetë fakti që kjo qeveri, bën aksione të tilla, qoftë me ushtri, qoftë edhe me ndarjen e parave njëherë në dy vite si lëmoshë, tregon qartë se as nuk e ka idenë se si funksionon shteti, e aq më pak vullnetin për ta ngritur nivelin e mirëqenies”, ka përfunduar Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat