Gazsjellësi amerikan është zgjidhja e vetme, ai e pavarëson Kosovën në fushën energjetike

Politika

Gazsjellësi amerikan është zgjidhja e vetme, ai e pavarëson Kosovën në fushën energjetike

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 22 prill 2022 Në ora: 14:48
Ilustrim

Muajin e kaluar kanë filluar procedurat për marrjen e grandit nga MMC -ja në vlerë të 200 milionë eurove për investime në sektorin e energjisë, i cili është projekti i gypit Trans Adriatik i njohur si TAP.

Me ç’rast Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u shpreh se pas gjithë polemikave se ky projekt nuk do t’i jepet Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me ShBA-në përmes programit “Kompakt” të MCC-së, Kosova do të përfitoj 200 milionë euro në sektorin e energjisë

“Pas gjithë atyre polemikave se do të bëhet apo s’do të bëhet, programi “Kompakt” me MCC-në, me Kosovën dhe ShBA-në siguron 200 milionë euro investime në sektorin e energjisë”, ka thënë ministri Murati

Së fundmi, Gjenerali amerikan, Wesley Clark, ka zhvilluar një takim në qeveri me kryeministrin Albin Kurti.

Clark pas takimit ka folur dhe ka treguar se çfarë kanë diskutuar me Kurtin gjatë këtij takimi.

“Në takimin me kryeministrin Kurti s’ka qenë temë diskutimi siguria në Kosovë e rajon. Kemi biseduar për projekte energjetike”, tha Clark.

Clark tutje ka deklaruar se është mirë që Qeveria e Kosovës është e vëmendshme karshi situatës së sigurisë.

“Mirë, që qeveria është e vëmendshme, mirëpo s’duhet harruar që edhe KFOR-i është prezent në Kosovë”, ka thënë Clark.

“SHBA e gatshme ta ndihmojë Kosovën edhe me sigurinë ushtarake”

Image
Sulejman Mehazi

Se a duhet të lidhet Kosova me gazsjellësin amerikan, që kalon nëpër Maqedoni, analisti politik, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se përveç kësaj, Kosovën duhet ta shpallin Federatë të SHBA-ve në Ballkan, siç kanë propozuar edhe analistë të “Bota sot”, apo edhe ndonjë politikan, sepse sipas tij, vetëm SHBA-ja mund ta ndihmojë Kosovën në të gjitha aspektet.

Tutje shtoi se edhe nga deklarata e Klarkut lë të kuptohet një gjë të tillë.

“Jo që Kosova të lidhet me gazsjellësin amerikan që vjen e kalon nga Verimaqedonia, por Qeveria dhe parlamenti i Kosovës në bashkëpunim me amerikanët të shkojnë edhe më tej, të shpallin Kosovën Federatë të Shteteve të SHBA-ve në Ballkan, (ashtu siç kanë propozuar edhe analistë të “Bota sot”, apo edhe ndonjë politikan plotësim i red.). Themi kështu pasi e mira politike, ekonomike, tregtare, ushtarake e shtetërore e Kosovës mund të vie vetëm nga amerikanët e kurrsesi nga evropianët e rusët, sidomos nga BE-ja, të cilët Kosovën qëllimshëm e kanë lënë as në tokë e as në qiell. Vetë deklarata e ushtarakut të përkryer siç është gjenerali amerikan, Vesli Klark: “se ka biseduar me kryeministrin Kurti për energjinë” na bën të kuptojmë se SHBA-ja është e gatshme ta ndihmojë Kosovën jo vetëm me gazsjellës, por edhe me sigurinë ushtarake të Forcave të Kosovës, kjo deklaratë për orientimin e marrjes së gazit jo që vjen nga oligarkët energjetikë amerikanë, por vjen edhe nga gjenerali i njohur amerikan, Vesli Klark”, thekson Mehazi.

“Rrugë tjetër nuk ka”

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, gazsjellësin amerikan përmes Maqedonisë e sheh si diçka pozitive, madje sipas tij, nuk ka as dyshime për këtë.

Ai thekson se mossjellja në këtë mënyrë vetëm se do të jetë negative, duke dalur kundër shtetit mik.

“Gazsjellësi amerikan nëpërmjet Maqedonisë është zgjidhje e vetme. Nuk mendoj se në këtë anë ka ndonjë dyshim. Gazsjellësi amerikan e pavarëson Kosovën në fushën energjetike. Nuk ka gazsjellës tjetër më efektiv në fushën e Pavarësisë së Republikës. Këtej nuk ka dyshim dhe kërkohet që Kosova të lidhet me gazsjellësin amerikan që kalon nëpër Maqedoni. Mos lidhja është dyfish negative. 1. Se në fushën energjetike ka Kosova shumë vështirësi dhe 2. Sepse kështu dalim kundër një shteti mik të Kosovës. Alternativa është atëherë gazi rus nëpërmjet Serbisë. Rrugë tjetër nuk ka. E këtë nuk e donë Kosova”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat