Sipas raportit të SHISH-it, Serbia armatoset për ta destabilizuar Shqipërinë dhe shqiptarët

Politika

Sipas raportit të SHISH-it, Serbia armatoset për ta destabilizuar Shqipërinë dhe shqiptarët

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 prill 2022 Në ora: 17:02
Foto ilustrim

Në Shqipëri shërbimi Informativ ka dhënë alarmin për praninë e aktivitetit të shërbimeve të huaja në vend përmes propagandës, dezinformimit dhe sulmeve kibernetike. 

Kreu i SHISH, Helidon Bendo, ka theksuar se konfliktet ndërshtetërore në Ballkan po shfrytëzohen nga shtete të treta për të penguar e vonuar integrimin në BE dhe bashkëpunimin me NATO-n.

Ai kishte deklaruar se “veprimtaria e shteteve/shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të inteligjencës me ato të natyrës hibride, si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik”.

Por, cili është rreziku në Kosovë?

Bytyçi: Shqipëria dhe shqiptarët duhet të largojnë sa më parë Edi Ramën

Profesori Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot” thotë se, ky raport nga Helidon Bendo, vetëm i ka bërë karshillëk kryeministrit, Edi Rama.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Shqipëria përballet me shërbimet sekrete të vendeve jo miqësore, atëherë në këto vende duhet të bëjë pjesë edhe Serbia, por që Serbia është aleat me Ramën, që do të thotë se Beogradi nuk i adreson shërbimet e veta sekrete kundër Shqipërisë dhe shtetit shqiptar.

“Helidon Bendo me raportin e tij në Komisionin e Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë i ka bërë karshillëk kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama! Nëse ai përmend se vendi ynë përballet me shërbimet sekrete të vendeve jo miqësore, atëherë në këto vende duhet të bëjë pjesë edhe Serbia. Por, për zotin Rama Serbia është vend aleat, madje vend mik, me të cilin Shqipëria ecën krah për krah si në Open Balkan edhe në iniciativa të tjera rajonale. Që do të thotë se Beogradi nuk i adreson shërbimet e veta sekrete kundër Shqipërisë dhe shtetit shqiptar! Nëse ndodh kështu me Serbinë, atëherë cili vend tjetër në botë na qenka i interesuar të provokojë përmes shërbimeve sekrete shtetin dhe shoqërinë shqiptare?! Edhe nëse flasim për shërbimin sekret të Rusisë, duhet kuptuar se ai shërbim ka si mashë të vetën Serbinë”, thotë profesori.

Ai e ka përçarë vazhdimisht skenën politike në Shqipëri e sidomos në Kosovë!

Për të gjitha ato që ka deklaruar kreu i SHISH-it, Bytyçi thotë se, si Rama edhe ai nxit përçarje.

Tutje deklaron, se Rama është përçarës, sepse ai ka përçarë vazhdimisht skenën politike në Shqipëri e sidomos në Kosovë, duke përmendur projektet si atë për ndarje të Kosovës, pastaj edhe projektin e sotëm të “Open Balkan”, që janë përpjekje të Ramës për ta denigruar lideshipin e Kosovës.

“Zoti Bendo foli për ndërthurje të aktiviteteve të shërbimeve të inteligjencies me aktivitete influencuese malinje, me propagandë dhe dezinformim. Madje ai foli edhe për veprimtari subversive e përçarëse të këtyre shërbimeve. Por, edhe në këtë rast duhet të shkojmë te deduksioni se përçarjen e ka realizuar më mirë se çdo platformë armiqësore e vendeve jomiqësore vetë kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, para të cilit jep llogari dhe për të cilin Helidon Bendo shkruan informacione. A nuk është kryeministri Rama që përdor terma të tillë si alpinë? A nuk është kjo një përçarje kombëtare? A nuk ishte e emëruara e Ramës, zonja Bungo, e cila tha „Një maloke më pak”! Pse ajo edhe sot pas dy javësh vazhdon të jetë në detyrë, pavarësisht përçarjes kombëtare që bën?! Sepse ka mbështetjen e Edi Ramës! Kush i përçan shqiptarët më shumë, shërbimet e huaja sekrete, apo kryeministri i Shqipërisë?! Unë prirem të them se kryeministri Rama e ka zëvendësuar çdo lloj veprimtarie të tillë të vendeve jo miqësore. Sepse ai ka përçarë vazhdimisht skenën politike në Shqipëri e sidomos në Kosovë! Sepse ai i ka shpallur kundërshtarët e tij politikë si armiq. Sepse ai e përdori përçarjen e faktorit politik në Kosovë për të realizuar projektet e vendit jomiqësor me Shqipërinë e shqiptarët, Serbinë! Të kujtojmë projektin e ndarjes së Kosovës dhe këtë projektin e sotëm të “Open Balkan!” Përpjekjet e zotit Rama për ta denigruar lideshipin e Kosovës, pse ky lidership kundërshton “Ballkanin e hapur”, janë tërësisht jo vetëm përçarëse, por akte armiqësore, provokuese për shqiptarët e sidomos për Kosovën. Sepse ky “Open Balkan” është një organizim dhe asociim në dobi të Serbisë e kundër interesave të shqiptarëve. Unë mendoj dhe besoj se sa kohë që Shqipëria do të ketë kryeministër të saj e me ndikim në vendimmarrje Edi Ramën aq kohë vendet jomike nuk kanë e nuk do të kenë nevojë të harxhojnë buxhetin e shtetit për t’u marrë me Shqipërinë”, shpjegon profesor Bytyçi.

Ai shton, se Shqipëria duhet që sa më shpejt ta largojë Edi Ramën nga pushteti, që të kenë mundësi të marrin masa ndaj veprimtarisë armiqësore të shërbimeve sekrete të vendeve dhe shteteve jomiqësore.

Ai rrezik e sheh “Open Ballkanin” për të cilin thotë që është instrumenti kryesor i destabilizimit.

“Megjithatë pyetja juaj, se çfarë duhet të bëjë Shqipëria, është me vend. Shqipëria dhe shqiptarët duhet ta largojnë sa më parë Edi Ramën. Me qëllim që më pas të kenë mundësi të merren me masa mbrojtëse ndaj veprimtarisë armiqësore të shërbimeve sekrete të vendeve dhe shteteve jomiqësore. Pa larguar bashkëpunëtorin kryesor të këtyre shteteve armiqësore, nuk mund të bëjë asgjë as SHISH-i, as kreu i tij, Helidon Bendo. Ky raport në Komisionin e Sigurisë Kombëtare na thotë shumë. Shqiptarët duhet të besojnë në këtë raport dhe të mos gënjehen nga propaganda rilindase se gjoja “Serbia armatoset për t’u vetëmbrojtur”! Përkundrazi, Serbia dhe Beogradi, sipas raportit të SHISH-it, armatosen dhe shpenzojnë gjithnjë e më shumë për të destabilizuar Shqipërinë dhe territoret ku jetojnë shqiptarët në rajon. “Open Balkan-i” është instrumenti kryesor i destabilizimit. Përmes këtij mekanizmi Serbia ka krijuar kushtet të hyjë në të gjitha kapilarët e politikës, medies, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Miqësia shqiptaro-serbe është një mjet propagande, e cila shërben për ta mbuluar veprimtarinë subversive dhe të dëmshme anti-shqiptare të shërbimeve sekrete të Beogradit, Moskës etj. Imagjinoni, me Open Balkan Beogradi infiltron në Shqipëri lloj-lloj kompanish, të cilat i administron shërbimi policor e ushtarak serb. Shumë kompani në Shqipëri janë krijuar dhe monitorohen nga eksponentë të sigurimit të shtetit, sepse në këtë mënyrë krerët e socialistëve krijuan bazat ekonomike e të financimit të pushtetit të paligjshëm e anti-demokratik”, thotë ai.

Ish-eksponentë të sigurimit të shtetit dhe të UDB-së

“Këta ish-eksponentë të sigurimit të shtetit të diktaturës kanë ruajtur lidhjet e tyre me eksponentët e UDB-së Jugosllave dhe sot janë të gatshëm të vendosin ura bashkëpunimi midis tyre. Përse? Thjesht se nuk kanë llogari interesat e shtetit e të kombit, por kanë shqetësim interesat e pushtetit. Sigurimi jugosllav i Titos dhe sigurimi serb i Aleksander Vuçiqit, bashkëpunojnë në të njëjtën mënyrë, me të njëjtat qëllime e në të njëjtin krah politik. Liderët e Rilindjes, ashtu si ata të diktaturës bashkohen me politikat serbe në një gjë: Në luftën kundër nacionalizmit shqiptar. Këtë e realizoi Enver Hoxha me atë luftën kundër “reaksionit” dhe këtë gjë po bën Edi Rama me luftën që i ka shpallur nacionalistëve shqiptarë, sidomos atyre në Kosovë. Të dy palët përdorin të njëjtin art lufte: Liberalizmin kundër konservatorizmit, modernnizmin kundër traditës, anti-kombëtaren kundër kombëtares! Nëse e keni vënë re, të dy palët kur duan të justifikojnë bashkëpunimin midis tyre i shpallin shqiptarët patriotë e nacionalistë si „kërcënim për paqen“, si „model i të vjetrës“, si „jashtë kohe“! Dhe me këtë lloj propagande ndërtojnë skemat e mashtrimit dhe përçarjes kombëtare. Edhe në fushatë elektorale kemi parë se si Rama dhe Vuçiqi janë vënë me këto terma përkrah njëri-tjetrit. Prandaj, unë besoj se shërbimi sekret serb e rus, apo edhe i ndonjë vendi tjetër jomiqësor gjendet në Shqipëri, në segmente të politikës, në medie etj për të luftuar nacionalizmin patriotik shqiptar! Finalja është që të paralizohet nacionalizmi i shqiptarëve dhe palët në bashkëpunim për pushtet të asgjësojnë Pavarësinë e Kosovës!”, përfundon profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Shala: Këto shërbime mund të jenë nga Rusia dhe Kina kryesisht edhe Serbia

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë se deklarimet e kreut të SHISH-it dëshmojnë se këto shërbime nga Rusia dhe Kina, edhe nga Serbia mund të tentojnë që përmes Tiranës të ndikojnë në veprimet politike të brendshme, duke shtuar se Rusia ka aktivizuar strukturat e saj kriminale, por edhe informative në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në lidhje me deklaratën nga drejtori i SHISH-it për aktivitete të shërbimeve të huaja në territorin shqiptar, kjo po e dëshmon që këto shërbime siç mund të jenë nga Rusia dhe Kina kryesisht edhe Serbia mund të tentojnë që nëpërmjet Tiranës zyrtare të influencojnë veprimet politike të brendshme, të cilat do të mund të kenë impakt në politiken e jashtme të Shqipërisë. Duhet të potencohet fakti që Rusia ka aktivizuar strukturat e saja kriminale, por edhe informative në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të krijuar narracione që ndërlidhen me shumë procese dhe intensifikimin e luftës hibride”, deklaron eksperti.

Ai si rast përmend Vladislav Poznajkovin, i cili fshihet në Shqipëri, e që territori shqiptar është shndërruar në një arenë të tillë të luftimeve në mes shërbimeve kjo do e dëmton edhe shtete fqinje.

Shtetasi rus rezulton i shpallur në kërkim nga autoritetet në Malin e Zi, besohet se ka hyrë në Shqipëri me një automjet me targa ruse, ndërkohë që ende nuk është gjetur nga autoritetet shqiptare.

“Rasti me i njohur është i Vladislav Poznajkov i cili fshihet në Shqipëri, ky është informacioni i publikuar nga mediat malazeze. I riu në fjalë që ka kërcënuar se do të kryente disa shpërthime me tritol në Budva, dyshohet se fshihet në vendin tonë. Të dielën personi në fjalë kishte dërguar një letër kërcënuese ndaj autoriteteve ku pohonte se nëse të gjitha televizionet në Mal të Zi nuk raportojnë afirmativisht për agresionin e Rusisë në Ukrainë, një qendër tregtare në Budva do të shkatërrohet. Pra, shndërrimi i territorit shqiptar në një arenë të tillë të luftimeve në mes shërbimeve kjo do të dëmtone edhe shtete fqinje, të cilat mund të involvohen duke mbrojtur sigurinë nacionale të vendeve të tyre”, përfundon Drizan Shala për “Bota sot”.

Shtetasi rus, i cili ka kërcënuar se do të kryente shpërthime me tritol në Budva, sipas ekspertit Ervin Karamuço, është pjesë e shërbimit inteligjent të Rusisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat