Ramushi ta dorëzojë mandatin e deputetit, dhe bashkë me të korruptuarit të dalë para drejtësisë!

Politika

Ramushi ta dorëzojë mandatin e deputetit, dhe bashkë me të korruptuarit të dalë para drejtësisë!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 prill 2022 Në ora: 20:09
Ramush Haradinaj

Ditën e mërkurë është publikuar raporti i Freedom House. Ky raport e gjen Kosovën me një ngritje të lehtë të vlerësimit pozitiv për përparim të demokracisë.

Por, në mes të këtij raporti në Kosovë, kritikohet edhe drejtësia, e në veçanti krerët institucionalë, ish-presidenti ie Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari aktual i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Figurat kryesore politike në Kosovë, përfshirë ish presidentin Thaçi dhe ish kryeministrin Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, që luan rol të rëndësishëm në politikë dhe ka ndikim në vendosjen e liderëve kryesorë”, thuhet në raport.

Qarri: Haradinaj duhet t’i dorëzojë përfundimisht pozitat institucionale, politike e shtetërore

Analisti Gani Qarri për “Bota sot” është shprehur se për dy dekada me të gjitha të bëmat e tyre Thaçi derisa ishte në liri, Haradinaj, Limaj etj, kanë filluar t’i irritojnë në masë gjithnjë e më të madhe, edhe qytetarët e Kosovës.

Image
Gani Qarri

“Në fakt duke qenë njerëz të inkriminuar gjithanshëm, Thaçi, Haradinaj, Limaj etj, të cilët për dy dekada me radhë, kanë shfrytëzuar pozitat e larta shtetërore të "uzurpuara" në emër të luftës, për nënshkrimin e marrëveshjeve kundërkushtetuese si "asociacioni", neutralizimin e statusit politik të Kosovës me vendosjen e "fusnotës", pazaret me tokat e Kosovës, zhvatje e plaçkitje dhe realizimin orekseve të tyre personale e klienteliste, jo vetëm që kanë humbur tërësisht reputacionin në popull, por me aventurën për ndarjen e Kosovës, faljen dhe shitjen e tokave të shtetit të Kosovës shteteve hegjemoniste fqinje, përhapjen dhe thellimin e krimit e të korrupsionit dhe bëmat tjera të kundërligjshme në vend, kanë filluar t’i irritojnë në masë gjithnjë e më të madhe, edhe qytetarët e Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, Ramush Haradinaj ka dështuar si kryeministër, sepse ai nuk arriti të dëshmojë asnjë sukses sepse u pa si qeverisë ai, duke shtuar se ai tentoi të bëhet edhe president.

Qarri nënvizon, se Haradinaj dhe Thaçi e kanë ngulfatur vendin, këtë e dinë edhe qytetarët e Kosovës, por ua tha edhe Freedom House.

“Haradinaj pasi dështoi si kryeministër, pozicion politik ky, të cilin duket se ai e bleu nga Thaçi e Veseli, me kushtin për faljen e 8.300 hektarëve tokë të Kosovës, shtetit xhuxh të Malit të Zi, që ishte veprimi me konotacionin më negativ që ka mundur të ndodhte, ai në qeverisjen e tij i ka lejuar edhe ministres Dhurata Hoxha, që me parat e taksapaguesve të varfër të Kosovës, të paguante firmat franceze me mbi 168 mijë euro për propagandimin e ndarjes së Kosovës edhe në botë. Madje megjithëse Ramushi nuk arriti të dëshmojë, para qytetarëve të Kosovës ndonjë sukses të veçantë, pasi e pamë se në ç‘mënyrë di ta qeverisë vendin, çuditërisht ai tentoi, (pa sukses), që të bëhej edhe president i Kosovës. Ndaj njerëz të tillë, të cilët e kanë humbur lidhjen me realitetin në përmasa të tilla kaq drastike, nuk gëzojnë mbështetjen e popullit dhe irritojnë qytetarët çdo ditë e më tepër me sjelljet e tyre të pakontrolluara korruptive e kriminale, duhet përfundimisht të largohen nga politika. Ata vet, duhet t`ia mundësojnë këtij vendi të shumëvuajtur frymëmarrjen e ngulfatur prej bëmave të tyre inkriminuese e korruptive dhe tu kërkojnë falje publike qytetarëve për aventurat antishtetërore me dëme të parikuperueshme nacionale e territoriale, si dhe ti nënshtrohen ligjit për mëkatet e kryera, para se ata ti detyrojë vet ligji, të sanksionohen nga drejtësia dhe dërgohen për ti kaluar vitet e pensionimit në burg. Se Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, janë të involvuar edhe në veprime të dënueshme inkriminuese, këtë jo vetëm që e dinin mirë të gjithë qytetarët e Kosovës, por e vërtetoi së fundi edhe raporti i Freedom House për vitin 2018-2022, në të cilin thuhet decidivisht se Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë lidhje me korrupsionin galopant dhe krimin e organizuar të nivelit më të lartë në vend e ndoshta edhe më tej”, deklaron Qarri.

Në fund shton që njerëzit e përfolur si Ramushi e të tjerët, duhet të dorëzojnë përfundimisht pozitat institucionale, politike e shtetërore dhe t`ia mundësojnë drejtësisë që të hetohen në mënyrë të pavarur, veprimet e tyre të dyshimta inkriminuese.

“Prandaj duke qenë se Thaçi, Ramushi e të tjerët, kanë bërë emër shumë të keq, me marrëveshjen kundërkushtetues për “asociacionin”, “fusnotën”, pazaret me tokat e Kosovës, lidhjen me udhëheqësit e grupeve kriminale në veri të vendit, nga Zvonko Veselinoviq e deri te Milan Radojçiq, duke iu organizuar pritje këtyre kriminelëve edhe në zyrat shtetërore, tanimë ka ardhur koha vendimtare, që njerëzit e përfolur si Ramushi e të tjerët, të dorëzojnë përfundimisht pozitat institucionale, politike e shtetërore dhe t`ia mundësojnë drejtësisë që të hetohen në mënyrë të pavarur, veprimet e tyre të dyshimta inkriminuese për më se dy dekada me radhë. Përndryshe përderisa figurat kryesore politike në Kosovë, si Thaçi e Haradinaj me shokë, të cilët përveçse gjenden të përfshirë në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit më të lartë në vend, çuditërisht po këto figura jo kredibile politike, vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në politikë dhe kanë ndikim vendimtar edhe në vendosjen e liderëve kryesorë në vend, nuk ka dyshim se emrat e tyre, rrëzojnë përtokë reputacionin e Republikës së Kosovës, shkaku i veprimeve kundërligjore të të cilëve, që për më tepër se dy dekada kanë qëndruar edhe mbi ligjin dhe vet shtetin tonë të brishtë, Kosova është izoluar nga gjithë bota demokratike, janë ndaluar të gjitha njohjet ndërkombëtare, nuk po ndodhë liberalizimi i vizave dhe Kosova, vazhdon të shihet dhe trajtohet, nga BE, si shtet banane në rajon”, përfundon analisti Gani Qarri.

Mehmeti: Ky raport konfirmon korrupsionin e mbjellur nga PDK-ja me Hashim Thaçin

Lidhur me këtë analisti Faton Mehmeti, thotë që ky raport vetëm e ka konfirmuar korrupsionin e mbjellur nga PDK-ja dhe Thaçi.

Image
Faton Mehmeti

“Ky raport vetëm sa konfirmon atë që të gjithë e dimë, korrupsionin e ka mbjellur PDK-ja me Hashim Thaçin, të tjerët vetëm sa e kanë ujit bashkë me të. Ky raport nuk shpalos asgjë të veçantë, përveç asaj që e dimë të gjithë”, ka thënë ai.

Ai thotë, fatmirësisht që Thaçi dhe Haradinaj s’janë në pushtet, megjithatë pasojat që kanë lënë janë të shumta.

Fatkeqësisht se kemi pasur drejtësinë të pakapur, këta do të ishin moti në burg në Kosovë për korrupsion, ka edhe shumë figura të tjera të luftës që janë pjesë e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Krimi kur themi ka të bëjë kryesisht me atë ekonomik, me kapjen e shtetit në të gjitha segmentet e tij. Fatmirësisht më Hashimi dhe Ramushi s’janë në pushtet, megjithatë pasojat që kanë lënë janë të shumta. Raporti nxjerr në pah të vërtetën të cilën disa nuk e besonin, disa militantë tani duhet të binden se kush janë në të vërtetë Ramushi dhe Hashimi”, shpjegon analisti Faton Mehmeti .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat