Regjimi fashist i Beogradit po synon t’i zhdukë shqiptarët në Kosovën Lindore

Politika

Regjimi fashist i Beogradit po synon t’i zhdukë shqiptarët në Kosovën Lindore

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 prill 2022 Në ora: 10:30
Foto ilustrim

Shlyerja nga regjistri civil i qytetarëve shqiptarë të Kosovës Lindore nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë u bë aktual vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 3 prill.

Për këtë çështje, pati reagime të shumta, si vendore, po ashtu edhe ndërkombëtare.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka reaguar për pasivizimin e adresave, ku ka thënë se kjo ka ndodhë në rajonet e banuara me shqiptarë.

“Pasivizimi i shtetësisë serbe vazhdon siç e tregon qartë edhe kjo tabelë. Kjo ndodh në një rajon të populluar kryesisht nga shqiptarët në jug të Serbisë. Si dhe pse qytetarëve të zakonshëm mund t’ju hiqen të drejtat e tyre themelore?”, ka shkruar ajo.

Kjo çështje për të cilën u bë zhurmë e madhe, sërish u kthye në heshtje.

Por, njohësit e çështjeve politike alarmojnë se Kosova Lindore mund të zbrazet plotësisht nga diskriminimi që po ju bëhet shqiptarëve nga Serbia. Po ashtu, ata bëjnë thirrje që shtetet shqiptare ta ngritin zërin për bashkëkombësit e tyre.

Hasani: Tirana dhe Prishtina zyrtare, ta trajtojnë pasivizimin në Luginë para se të zbrazët plotësisht nga diskriminimi

Lidhur me këtë profesori Refik Hasani nga Kosova Lindore, në një prononcim për “Bota sot” e ka pohuar se do të ndryshojë fati i shqiptarëve në Kosovë Lindore, pas pasivizimit të adresave nga Serbia.

Image
Refik Hasani

“Po, do të ndryshoj fati i shqiptarëve në këtë krahinë shqiptare, pasi vetëm përmes ushtrimit të presionit shtetëror sistematik për spastrim etnik me pasivizimin e adresave, dhe diskriminimin në të gjithë fushat e jetës, tani më komuna e Medvegjës është zbrazur me dëbimin e shqiptarëve, e fati i njëjtë e pret për (5)pesë vjet deri një dekadë edhe Komunën e Bujanocit, kështu pastaj për të vazhduar edhe me Komunën e Preshevës”, thotë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, profesori ka treguar se pasivizimi i adresave të shqiptarëve e ka zanafillën që nga përfundimi i luftës së UÇPMB-ës.

“Jo vetëm në zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë që u mbajtën më 3 prill të këtij muaji, por kjo dukuri është që nga përfundimi i luftës së UÇPMB-ës dhe arritjes së Marrëveshjes së Konçulit. Në këtë krahinë janë më shumë se 6 mijë votues shqiptarë, në fakt janë mbi 30% të kësaj krahine, që janë fshirë nga regjistrat civil- u janë pasivizuar adresat duke i humbur të gjithë të drejtat”, ka shpjeguar ai.

Profesori Hasani shprehet pesimist nëse do të krijohen kushte për ta zgjidhur këtë çështje të shqiptarëve.

“Për ta zgjidhur këtë çështje të shqiptarëve të krahinës sonë, përkundër alarmimit e sinjalizimit në opinion të Kosovës, nuk pritet dhe nuk shihet ndonjë zgjidhje”, vlerëson ai.

Sipas tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka për obligim të mbrojë çështjeve e shqiptarëve të Kosovës Lindore.

“Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, në takime me Presidentin e Serbisë, është dashur ta ngrit e ta shtrojë çështjen e diskriminimit dhe pasivizimit të adresave. Edi Rama e ka obligim moral, kombëtar e kushtetues që t’i mbroj ata, pasi preambula e Kushtetutës së Shqipërisë në fuqi e obligon t’i mbrojë të drejtat individuale dhe kushtetuese”, thotë Hasani për “Bota sot”.

Gjithashtu, ka treguar se çfarë duhet të bëjnë udhëheqësit e dy shteteve shqiptare për rastin e pasivizimit të adresave.

“Do të duhej Parlamenti i Shqipërisë dhe Parlamenti i Kosovës të miratojnë edhe deklarata dhe rezoluta për këtë çështje. Presidentët, kryeministrat, kryetarët e dy parlamenteve do të duhej ta shtrojnë në çdo takim këtë çështje në mekanizma e instanca ndërkombëtare.

Ambasadori e Shqipërisë dhe përfaqësuesi i Kosovës që janë në instanca të BE-së dhe në OKB, ta shtrojnë me urgjencë çështjen e krahinës shqiptare, për shkak të ushtrimit shtetëror sistematik të një spastrimi etnik për pasivizimin e adresave, dhe diskriminimin në të gjithë fushat e jetës, pasi për dy dekada Serbia në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka fshirë nga regjistrat civil-ka pasivizuar afër 30% të kësaj krahine.

Pse jo edhe të protestohet në Medvegjë, Prishtinë, Tiranë, Bruksel, Uashington e gjetiu”, thotë Hasani për “Bota sot”.

Mulliqi: Serbia me logjikë fashiste

Image
Skënder Mulliqi

Ndërkaq, analisti politik, Skënder Mulliqi, ka deklaruar për “Bota sot”, thotë se shqiptarët po vazhdojnë të diskriminohen.

“Vazhdon të jetë diskriminimi i lartë i shqiptarëve në Serbi. Kosova Lindore me shumicë shqiptare ka mbetur jo rastësisht lokaliteti më i pazhvilluar dhe më i varfër në Serbi. Vazhdon diskriminimi i komunitetit shqiptarë në këtë shtet ende me logjikë fashiste, i cili nuk po ju lejon të drejtat që iu takojnë edhe më të gjitha konventat ndërkombëtare”, ka thënë ai .

Sipas tij, në zgjedhjet e 3 prillit diskriminimi i shqiptarëve u rritë edhe më shumë.

“Edhe në zgjedhjet e fundit nacionale në këtë shtet veç sa u rritë ky diskriminim. Ne Serbi rreth 60 mijë shqiptarë të cilët kanë të drejtë vote, në zgjedhjet nacionale serbe votuan vetëm 12 mijë prej tyre. Arsye ishte pasivizimi i adresave të shqiptarëve, veprime këto shumë vjeçare nga Beogradi zyrtar. Nga diskriminimi i hapur që po iu bëhet, ata po detyrohen ti lëshojnë vendlindjet e tyre, duke emigruar në Evropë. Dhe, këtë gjë në mënyre shumë të poshtër dhe të pa bazë, po e shfrytëzon Serbia , e cila edhe po ju heq adresat e vendbanimit”, thotë ai.

Po ashtu, Mulliqi është shprehur se Serbia e ka bërë qëllimisht pasivizimin e adresave.

“Regjimi fashist i Beogradit, në anën tjetër po kërkon që minoriteti serb në Kosovë, që i ka gati të drejtat e barabarta me shqiptarët, të shkëputet me dhunë edhe juridikisht nga Kosova. Të gjitha këto padrejtësi dhe humbja e adresave qëllimisht, bën që shqiptarët të mbesin pa përfaqësim adekuat, në pushtetin lokal deri te niveli qendror. Kjo nuk është gjë tjetër, veç getoizim i shqiptarëve në Serbi”, thekson ai.

Sipas Mulliqit, fajtorë për këtë situatë të krijuar janë Prishtina dhe Tirana.

“Në mohimin drastik të të drejtave të tyre legjitime, nuk është fajtore vetëm Serbia, por janë fajtorë edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila po heshtë, pos një reagimi të zonjës Von Cramon, e më së shumti Prishtina dhe Tirana zyrtare, të cilat kurrë nuk u interesuan sa duhet, se si po jetojnë shqiptarët në Serbi”, thotë ai.

Në fund, Mulliqi ka treguar se çfarë projekti po synon Serbia që të realizojë me pasivizimin e adresave.

“Me pasivizim të adresave Serbia ka synimin madhor, që ta realizojë projektin e ndërrimit te strukturës etnike në Luginë. Këto janë elaborate famëkëqija të kamotshme serbe për largimin më dhunë të tyre. Qeveria e Kosovës , do të duhej që vazhdimin e dialogut, ta kushtëzojë edhe me futjen e çështjes së shqiptarëve në Serbi. Pushteti në Tiranë pothuajse nuk ka asnjë interesim për vëllezërit e tyre në Kosovën Lindore, që është e pa justifikueshme. Kosova dhe Shqipëria mund të bëjnë shumë më shumë që ky diskriminim ndaj shqiptarëve në këtë republikë të ndalet”, përfundon Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat