“Komandantët” shumë shpejt do të “rrëzohen”/ Paralajmërim për ata që u pasuruan në kurriz të qytetarëve!

Politika

“Komandantët” shumë shpejt do të “rrëzohen”/ Paralajmërim për ata që u pasuruan në kurriz të qytetarëve!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 prill 2022 Në ora: 19:07
Ilustrim

Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një nga sfidat më të rëndësishme e më të vështira për demokracinë tonë.

Luftimi ikëtyre dukurive po vazhdon çdo ditë e më shumë, me disa ksione masive të arrestimeve, si skandalet, “Subvencioni”, “Brezovica”, “Pika” 1 e 2, arrestimet dhe hetime në veri e rajone tjera, mirëpo zbulimi i tyre mund të filloj nëse themelohet Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të dyshuar në luftën e përfituesve të paligjshëm e të korruptuar do të jenë të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme, pas vitit 2008, siç e parasheh Projektligji i miratuar nga Qeveria për Byronë.

Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton bllokimin e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Mirëpo, se kur do të filloj konfiskimi i pasurisë së paligjshme në mënyrë që “komandantët” të shpalosin të gjithë pasurinë që e fituan në “kurriz” të popullit, mbetet ende në pikëpyetje.

Por, një gjë është e sigurtë që shumë nga ata që e kanë keqpërdorur pozitën e tyre do të dënohen shumë shpejt.

Musliu: “Komandantët” do të dalin para drejtësisë

Image
Skënder Musliu

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Ai u shpreh se të gjithë ata që kanë kryer krimin dhe korrupsionin janë politikanë të profilit të lartë dhe persona që kanë keqpërdorur pozitën e tyre ndaj popullit.

“Vite me radhë, në Raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, Këshillit të Europës si dhe të shumë organizatave joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, Kosova sistematikisht është kritikuar dhe cilësuar si shtet i kapur, ku nuk sundon ligji, ku ka korrupsion dhe krim të organizuar.

Por, kush janë ata që i zhvilluan këto fenomene!? Pikërisht ata që ishin të obliguar dhe kompetent t’i luftojnë këto dukuri, ishin dizajnuesit dhe arkitektët kryesor të korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektivisht politikanët e profilit të lartë, zyrtarët në pozitat e vendimmarrjes dhe njerëzit e paskrupullt që bashkëpunuan me ata, duke keqpërdorë autoritetin, u pasuruan dhe u bënë milioner në kundërshtim me ligjin”, u shpreh juristi.

Ai më tej, përmend aferën “PRONTO”, e cila tregon më së miri krimin dhe korrupsionin në vendin tonë.

“Institucionet që me Kushtetutë kishin obligim ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, sikurse policia, prokuroria dhe gjykatat, për fat të keq, një pjesë e kupolës së saj, bashkëpunuan me ta, duke u bërë pjesë e saj. Ata ndërtuan një piramidë të strukturuar me sistem të mbyllur, nga njëra anë, mes politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, dhe nga ana tjetër, mes policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Këtë më së miri e ilustron afera «Pronto», e cila na tregoi se si ishin vendosur prokurorët dhe gjyqtarët, jo për ta mbrojtur korrupsionin dhe krimin e organizuar, por për t’i mbrojtur politikanët e inkriminuar, të cilët pamëshirshëm e plaçkitën shtetin, duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve të varfër”, thotëMusliu.

Fat të mirë juristi e sheh qeverinë aktuale në vend, duke theksuar që janë duke ndërmarr veprimet e para dhe të domosdoshme për vendin.

“Por, për fat të mirë, në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit të kaluar, sovrani vendosi t’i dërgojë në opozitë të gjitha partitë, pa përjashtim, që e keqpërdorënpushtetin. Qeveria Kurti, ashtu siç kishte premtuar, edhe përkundër rezistencës dhe pengesave të opozitës, ka filluar ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë kuptim janë bërë veprimet e para dhe të domosdoshme për përgatitjen e infrastrukturës juridike për luftimin dhe ndëshkimin e këtyre fenomeneve, ndër të cilat është Vettingu dhe Ligji mbi konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, theksoi ai.

Sipas juristit Vetting është ligji, i cili duhet të miratohet sa më shpejt dhe do tëmundësoj vlerësimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe policisë, nga aspekti profesional.

Vettingu i domosdoshëm për të larguar “komandantët” e krimit dhe korrupsionit

“Ligji mbi Vettingun dhe Ligji mbi konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, janë ngushtë të lidhur njëri me tjetrin. Vettingu, përveç tjerash, do të mundësojë vlerësimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe policisë, nga aspekti profesional, prejardhjes së pasurisë, integritetit etj., me qëllim që këto institucione të «pastrohen» nga ata që bashkëpunuan dhe që e mbrojtën korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sepse vetëm prokurorët dhe gjyqtarët e pastër, të pakorruptuar, profesional, me integritet dhe kredibil, mund të vendosin mbi konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, shprehet juristi.

Musliu thekson që objekt i Vetting-ut duhet të jenë të gjithë zyrtarët e tanishëm ose “komandantët” që kanë fituar nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i tenderëve.

“Objekt i trajtimit të këtij Ligji do të jenë të gjithë ish-zyrtarët dhe zyrtarët e tanishëm, por edhe «komandantët» që nuk mund ta justifikojnë pasurinë e tyre, të gjithë ata që janë marrë me korrupsion, krim të organizuar, keqpërdorim të trenderave, të gjitha llojet e privatizimeve, keqpërdorimin e subvencioneve…

Ligji në fjalë ka veprim retroaktiv, respektivisht pasuria e zyrtarëve do të hetohet nga viti 2008, që personalisht mendoj se është dashur të fillojë që nga viti 2000, sepse që nga kjo periudhë kanë filluar keqpërdorimet”, tha juristi.

Ndër të tjera Musliu shtoi që pengesa kryesore e këtyre reformave është opozita, mirëpo që një ditë do të përballen me drejtësi pasi Kosova ka një qeveri të pakorruptuar.

“Pengesa kryesore e këtyre reformave është opozita, sepse ata janë aktorët kryesor të korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa të cilët këto fenomene nuk do të kishin ndodhur. Kritikat  dhe obstruksionet e opozitës, bëhen për t’i degraduar dhe penguar reformat e Qeverisë, sepse ata shumë mirë e dinë se një ditë do të përballen me drejtësinë, prandaj ata nuk e kanë hallin e qytetarit, por hallin e vet.

Për fat të mirë, Kosova ka një Qeveri të pakorruptuar, e cila është e vendosur t’i realizojë premtimet që ia ka dhënë sovranit”, nënvizoi Musliu për “Bota sot”.

Pa Vetting nuk mund të ketë përparim në sistemin e drejtësisë

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, e sheh të nevojshëm Vettingun për sistemin e drejtësisë.

Sipas tij është shumë e nevojshme të hetohen dhe të arrestohen të gjithë ata që i kanë bërë dëm popullit.

“Derisa nuk bëhet Vetting në sistemin e drejtësisë nuk do të ketë arrestime dhe as konfiskim të pasurisë të atyre që në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar. Kështu që, me këta prokurorë dhe gjykatës nuk mund të luftohet krimi dhe korrupsioni, janë ata të parët që duhet hetohen. Ndonëse është shumë e nevojshme që sa më parë të arrestohen të gjithë ata që i kanë bërë “zullum” popullit, me pak fjalë janë po të njëjtit njerëz që kanë privatizuar, janë po të njëjtit që merren me kontrabandë”, u shpreh analisti.

Ai shton se ndër të arrestuarit do të jenë ata person që kanë folur shumë për patriotizëm afër 22 vjet.

“Mos u habisni nëse ndër të arrestuarit, kur të fillojë një gjë e tillë pas Vettingut në drejtësi, të ketë edhe të atyre që na kanë lodhë me patriotizëm qe 22 vjet. Pa u ç’kapur drejtësia, pa u arrestuar trafikantët, hajnat, të korruptuarit, nuk mund të ketë perspektivë vendi. Janë po ata që po na lënë pa viza, të varfër dhe pa integrime, Kosova nuk mund të mbetet peng i një grupi të banditëve. Qeveria urgjentisht të fillojë Vettingun së bashku me SHBA-të si hapi i parë për të parë dritën në fund të tunelit”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat