Sulmet ndaj Policisë në veri/ Kosovës i bëhet thirrje të hartojë një plan të vetëmbrojtjes

Politika

Sulmet ndaj Policisë në veri/ Kosovës i bëhet thirrje të hartojë një plan të vetëmbrojtjes

Mimozë Lakna  Nga Mimozë Lakna  Më 29 prill 2022 Në ora: 16:54
Foto ilustrim

Ditë më parë, në një intervistë për gazetën “Bota sot” Christian Lequesne, një nga ekspertët më të njohur për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ka ftuar drejtësinë që të tregojë se kush ishte përgjegjës për sulmet e fundit ndaj policëve të Kosovës në veri të vendit.

Ai ka thënë se nuk beson që Rusia qëndron prapa orkestrimit të këtyre sulmeve, pasi sipas tij ajo tani është e fokusuar të dalë nga lufta në Ukrainë.

Sipas tij, këto sulme po zhvillohen në një klimë tensionesh ndërkomunitare që duket si “luftë guerile”.

“E kuptoj që këto sulme kanë ndodhur në një komunë me shumicë serbe. Nuk jam në gjendje t'ju them nëse këto sulme ishin të orkestruara nga Beogradi. Kjo është një çështje e një hetimi gjyqësor për të thënë se kush është përgjegjës. Mbi të gjitha, mund të themi se këto sulme po zhvillohen në një klimë tensionesh ndër-komunitare që duket si luftë guerile”, ka thënë eksperti.

Këtë deklaratë për gazetën “Bota sot” e kanë komentuar ekspertët e sigurisë.

Meha: Është e pritshme që Rusia të zbatojë plan tjetër, atë të ndonjë lufte guerile

Image
Eksperti i sigurisë, Xhevat Meha

Kështu, eksperti i sigurisë, Xhevat Meha ka thënë për gazetën se aksionet e organizuara kundër Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës janë dëshmi e një përpjekjeje për destabilizim të Kosovës.

“Aksionet e organizuara kundër Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës janë dëshmi e një përpjekjeje për destabilizim të Kosovës. Ambiciet e Rusisë në Ballkan janë të gjera, mirëpo fuqia e tyre është duke rënë. Planet eventuale për ndonjë ndërhyrje të ushtrisë së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës si po shihet konsiderohen si të pamundura. Është e pritshme që Rusia të zbatojë plan tjetër, atë të ndonjë lufte guerile. Aksionet e deritanishme kundër Policisë se Kosovës i shoh si pjesë të këtij plani”, thotë Mehaj.

Ai ka theksuar se deri tani nuk ka shenja se këto aksione kanë mbështetjen e qytetarëve të pjesës veriore.

“Kësisoj, pres që aksione të ngjashme të ndërmerren edhe në të ardhmen, mirëpo këto do të janë sporadike dhe jo të një karakteri të luftës guerile”, është shprehur ai.

Tërnava: Sinjal jo i mirë

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë për gazetën “Bota sot” se situata globale e krijuar tani në regjion e pse jo edhe në tërë botën duket e acaruar.

Sipas tij, kjo mund të shndërrohet edhe në luftë gjithëpërfshirëse, si luftë botërore.

“Posaçërisht tani me këto sulme të Serbisë në pjesët veriore të Kosovës, ndaj Policisë së Kosovës që nga data 13.04.22 e këndej, janë sinjale jo të mira, që po mban këtë situatë të acaruar, e që po shkakton shqetësim te populli në ato pjesë ku jetojnë, sepse edhe në ato pjesë ku në shumicë jeton populli serb, edhe në formacionet policore janë pjesëtar të përbashkët si të shqiptarëve njashtu edhe të serbëve, dhe sulmet po bëhen ndaj veturave të policisë në mënyra të ndryshme dhe me armë sulmuese si me bomba dore, armë AK-47 dhe të tjera, që deri më tani kanë shkaktuar përpos frikës dhe shqetësimeve në popull dhe në policinë, megjithatë në këto sulme janë dëmtuar edhe veturat e policisë, që në të mirën e krejt situatës ato vetura ishin të blinduara prandaj nuk pati të lënduar”, thotë Tërnava.

Tërnava ka komentuar edhe vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtarë sikur të atij francez Christian Lequeane.

“Serbia me politikat e saja është e njohur që kur do t`i arrij qëllimet e saja në opinionin ndërkombëtar, është në gjendje ta viktimizojë edhe popullin e sajë serbë. Sigurisht na kujtohet kur në vitet e ’90-ta në një restorant në Pejë, në aksionin që e kishin përgatitur policia serbe në aksionin “PANDA” e që u sulmua ai restorant, ku të pranishëm në atë restorant kishte vetëm serbë dhe pati viktima të konsiderueshme e që sulmi ndodhi nga vete serbët”, është shprehur ai.

Sipas ekspertit të sigurisë, situata e tanishme e tensionuar me këto sulme ndaj policisë së Kosovës ka qëllimin e saj që në mes të Serbisë dhe Kosovës të mbretërojë një gjendje e tillë konfliktuoze.

“Nëse fiton Rusia ndaj Ukrainës, konflikti edhe mund të ndodhë si luftë guerile apo gjithëpërfshirëse, meqenëse se Serbia është në këto kohë i vetmi shtet mik në Evropë i Rusisë dhe nëse fiton Rusia, ka gjasa që kjo situatë konfliktuoze të shndërrohet edhe në luftë për ato pjesë të veriut. Por, marrë në tërësi zhvillimet e situatave të tanishme, Rusia do të pësoj humbje të madhe në këtë luftë kundër Ukrainës, e sidomos edhe sanksionet që i kanë ushtruar shtetet demokratike të botës ndaj saj”, ka deklaruar ai.

“Kosova të bashkëpunojë me ndërkombëtarët”

Tërnava thotë se Rusia si shtet ka mbetur edhe e izoluar nga bota demokratike.

“Serbia sikur që është e njohur mbasi ta krijojë qeverinë e re me 09 maj 2022, e dalë mbas zgjedhjeve, do ta ndryshojë politikën e saj të deritashme dhe mund të krijojë një qeveri më të përshtatshme për kohën, e jo si deri tani që e kishte nacionaliste.

Vlerësimet janë të tilla që kjo situatë nxitëse e luftës do të ndryshojë në të ardhmen jo të largët, dhe Serbia duhet të pajtohet me situatën e deritashme dhe të përafrohet si në bisedime me Kosovën edhe të ndodhë edhe njohja reciproke me Kosovën, sepse të gjitha shpresat janë të bazuara në atë drejtim, që edhe faktori ndërkombëtar në krye me Amerikën i ka intensifikuar veprimet e tyre diplomatike dhe dojnë që Ballkanin e deritashëm, ta shpejtojnë procesin e përafrimit drejt shteteve të BE-së. Edhe vetë Vuçiqi para disa ditëve e pranoj se investimet e shteteve të BE-së e sidomos të Gjermanisë janë më të mëdha në Serbi, dhe sikur të ndryshonte situata e përkrahjes së investimeve dhe po të tërhiqet Gjermania nga ato investime në Serbi”, është shprehur ai.

Tërnava ka shtuar se Kosova si deri më tani me politikat e saj duhet të jetë bashkëpunuese me shtetet mike në krye me Amerikën dhe shtetet tjera të NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat