“Ka diçka tjetër”/ Zeqiraj zbulon arsyen pse Hashim Thaçi nuk pati asnjëherë guxim ta padis Dick Martin për shpifje  

Politika

“Ka diçka tjetër”/ Zeqiraj zbulon arsyen pse Hashim Thaçi nuk pati asnjëherë guxim ta padis Dick Martin për shpifje  

Nga: M.L. Më: 29 prill 2022 Në ora: 19:35
Dick Marty dhe Hashim Thaçi

Në pjesën e dytë të bisedës ekskluzive me gazetën “Bota sot” publicisti Idriz Zeqiraj ka folur rreth vrasjeve politike mosveprimit të drejtësisë në zbardhjen e vrasjeve politike, si dhe kërcënimit që iu bë së fundi ish senatorit zviceran Dick Marty.  

Zeqiraj ka thënë se vrasjet e kundërshtarëve politik, të filluara gjatë luftës, vazhduan edhe pas çlirimit të Kosovës, duke vënë në shënjestër edhe dëshmitarët e mundshëm.     

“Lufta dhe paslufta në Kosovë, kanë relativizuar shumë ndjenjën e drejtësisë dhe të solidaritetit ndër-shqiptarë. Një padrejtësi që i bëhet një personi, në fshat, lagje apo qytet, duhet të jetë shqetësim, për tërë fshatin, lagjen apo qytetin. Mjerisht, nuk ndodhi kështu. Vrasjet e kundërshtarëve politik, të filluara gjatë luftës, vazhduan edhe pas çlirimit të Kosovës, duke vënë në shënjestër edhe dëshmitarët e mundshëm. 

Viktimat nuk u morën në mbrojtje, nuk u hetuan dhe as nuk u zbuluan kriminelët! Tashmë, prokurorë e gjyqtarë, ishin shqiptarë. Edhe qeveritë, njëra pas tjetrës, i heshtën viktimat, e heshtën krimin! Asnjë përkujdesje nuk u tregua as për familjet e viktimave dhe as për fëmijët e tyre, të mbetur jetimë”, ka deklaruar Zeqiraj. 

Image
Idriz Zeqiraj

Deklaratat e Bukoshit dhe Gërvallës 

Ai ka rikujtuar se prej kuadrove të lartë të LDK-së, ishte i pari kryeministri Dr. Bujar Bukoshi, i cili denoncoi krimet seriale duke, alarmuar botën, se "komandantët" e LPK-së, me bandat e tyre të ideologjisë staliniste, po vrasin kundërshtarët politikë, për ta marrë pushtetin me dhunë.  

“Në intervistat e dhëna gazetës prestigjioze amerikane, "Neë Jork Times" dhe revistës gjermane "Der Spiegel", kryeministri Bukoshi dëshmonte se, "deri tani, bandat e kuqe kanë vrarë mbi 1.000 kuadro e veprimtarë, kryesisht, të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të, gjithë i dinë krimet e komandantëve, por, askush nuk guxon t`i denoncojë ato. Për këtë terror, akuzon drejtorin politik të UÇK-së Hashim Thaçin me shokë.  

 Po ashtu, Zeqiraj ka rikujtuar edhe deklaratat e ministres Donika Gërvalla lidhur me vrasjet politike në Kosovë.  

“Nënkryetarja e Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla, njëherësh veprimtarja e shquar, për çështjen e Kosovës, krahas përballjes, në debatet televizive të Gjermanisë dhe të qendave tjera evropiane, me gjeneralët dhe kryeqeveritarët serbë, ajo denoncoi, madje, botërisht, disa "komandantë" kriminelë, me emër e mbiemër, të cilët, përmes bandave të tyre, i ekzekutonin, pa gjyq e në pusira, ushtarakët luftë-bërës, kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së, si dhe kuadrot e hershëm të LPK-së. Krimi kulmoi, kur disa "komandantë" pa ushtarë, ekzekutuan, në mes të Tiranës, edhe Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin!”, ka rikujtuar ai. 

Në një emision televiziv gjerman, një gazetar i zëshëm, i cili kishte raportuar gjatë luftës nga Kosova, e pyet zonjën Gërvalla:    

- "A është komandanti x-y hero në Kosovë"? 

- Gërvalla përgjigjet: "Nëse ju i konsideroni kriminelët ordinierë heronj, atëherë edhe mund të jetë!”, shprehet ai.  

Sipas tij, edhe gazetari e kishte atë opinion për komandantin, i cili nuk kishte shënuar asnjë betejë të fituar; nuk kishte shmangur asnjë masakër në zonën e tij të luftës.  

“Përkundër, sipas gazetarit, të mirë-informuar, përflitej për burgje rurale, maltratime e vrasje të kundërshtarëve politikë. Por, propaganda e sponsorizuar, për-lavdëronte, fiktivisht dhe pa doganë fare, se "gjenerali" profanë, ka bërë namin, në luftën kundër armikut serb!?”, ka shtuar ai. 

Vrasja e shumë dëshmitarëve

 Kështu, sipas publicistit, krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, nuk është, thjeshtë, Rezoluta e Dick Martit, derisa ka rikujtuar edhe deklaratën e ish Presidentit Hashim Thaçi lidhur me Gjykatën Speciale.  

“Të vërtetën për krijimin e kësaj Gjykate, e ka shpenguar qartë Hashim Thaçi: Sistemi i Drejtësisë ka dështuar në Kosovë. Vrasjet e rënda nuk kanë arritur as të hetohen dhe as të ndëshkohen. Vrasja e shumë dëshmitarëve, sidomos në Dukagjin, pra, këto ia faturon Ramush komandantit, e bëri të domosdoshme themelimin e Gjykatës Speciale jashtë Kosovës. 

Manipulantët: Tomë Gashi dhe Milaim Zeka, po garojnë në sensacione e dizinformime të opinionit. Hapësirën e bollshme mediatike ua ka siguruar Berat Buzhala me SHIK-asit tjerë. Harroi varjen në pus (bunar) dhe burgun-torturë, të Likocit, të babës Bashar, (ndjesë pastë dhe u prehtë në parajsë)! Po të jetonte ai, do ta mallkonte djalin bastard, për memorien e dobët dhe faljen e padinjitetshme, për torturat dhe poshtërimin e babait”, ka nënvizuar ai.  

Tutje,  Zeqiraj i ka quajtur banale deklaratat e Avokatit Tomë Gashi lidhur me Prokurorin Williamson.  

 “Përrallisjet e Tomë avokatit, janë banale: "Raporti i prokurorit amerikan Clint Williamson, është zhdukur, sepse nuk janë provuar krimet"! Rrenë e kulluar! "Mungojnë gjetjet për transplacion organesh, - POR, KA DIÇKA TJETËR" -, shkruan prokurori Williamson. Pra, janë vrasjet politike, gjatë dhe pasluftës të shqiptarëve të pafajshëm, vetëm se i përkisnin partisë të Presidentit Rugova! Dhe, dosjen e atyre gjetjeve, krimeve faktike, e ka vazhduar bashkë-shtetasi i tij, Xhack Smith. Pra, lë t`i lejë dallaveret megallomani Tomë, sepse asgjë nuk ka fshehur dhe as nuk ka humbur prokurori Williamson, rrjedhimisht, as dosjet me krimet makabre. 

 Tomë zeza falsifikon se, gjoja, "shtëpinë e Katuçëve donin ta merrnin, me qera, UÇK-ja, për nevoja të "Rrugës së Arbërit", e cila do të fillonte më vonë"! Top gënjeshtër e Tomës! Unë i njoh Katuçët, prej pesë dekadash, si njerëz të mirë. Por, komandantët mund të kenë bërë ndonjë pisllëk tjetër? Realisht, shtëpinë e Katuçëve donin ta bënin burg, për ushtarakët e karrierës, pjesë e FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe të veprimtarëve të LDK-së. Pastaj, ndërruan mendje, sepse gjenerali kodosh, Kudusi Lame, ua vuri në dispozicion kazermën ushtarake në Cahan të Kukësit. Dhe, kjo për arsyen e vrasjes selektive të kundërshtarëve politikë, kryesisht, të LDK-së” 

Qindra vrasje politike të pazbardhura  

Zeqiraj ka thënë se bëhet fjalë për qindra vrasje politike në Kosovë.

“Përzgjedhja e burgut, në zonën kufitare, është bërë në stilin e Xh.Zh., kur, nga Hotel "Rogner", i Tiranës, i telefononte vartësit të tij: "Të burgosurit, (dihet, shqiptarë), i dërgoni natën, në pyllin më të afërt, i vrisni dhe ia faturoni armikut, duke përhapur lajmin se "i vrau policia serbe"! Dhe, udhëri u zbatua pa kundërshti. Dhe, këtë e thonë dhe e vërtetojnë shokët  dhe miqtë e Xh.. Prandaj, shifrat 1.826 apo edhe 1.920, që lakohen gjithandej në Kosovë, flasin jo për 100 apo 200 vrasje politike, por, janë disa qindra. 

Milaim Zeka sikur është ende në shërbim të aviacionit jugosllav dhe përcjellë se ku shkon Salustro e Marty! Çfarë fshehtësie ka nëse ata konsultohen me Beogradin për dosjet? Pse, a nuk e dinte Serbia, që komandantët e UÇK-së kishin, të paktën, 40 burgje rurale të improvizuara, ku torturoheshin deri në vrasje, kundërshtarët politikë të LPK-së, të dyshuar rrastë për lidhje agjenturore, me shtete armike të Kosovës?! Ajo vet i lejonte, që komandantët të zhytën sa më shumë në krime, për ta bindur botën, se shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet”,. 

Heshtja e Thaçit  

Zeqiraj, tha se ish Presidenti Hashim Thaçi premtoi të ngriste padi për shpifje, kundër Dick Martit, por, këtë nuk e bëri kurrë, nga frika se, edhe pse nuk ka pasur transplantim të organeve, -POR, KA DIÇKA TJETËR-, siç thotë prokurori Clint Williamson.  

Andaj heshti, me shpresën se me ndihmën e miqve francezë, duke e shpërblyer Serbinë me ndarjen e Kosovës dhe me servilizmin e pështirosur ndaj Amerikës, do ta "kalonte lumin". Por, letra e personaliteteve amerikane, drejtuar Presidentit Trump, në mes të nënshkruesve, edhe miq të tij, të cilët e sollën në Shtëpinë e Bardhë, ndryshoi gjithçka. Ai denoncoi Bolton me argatët e tij, për prapaskenat e ndarjes të Kosovës. SHBA nuk mund ta duronte që Serbia, por, edhe Rusia të vijë në pikën kufitare, në mes të qytetit të Mitrovicës”, është shprehur ai. 

Spas Zeqirajt, i gjithë aparati i Ministrisë të Punëve të Jashtme, ishte vënë në shërbim të ndarjes të Kosovës 

"Të panët" e bijave, këtyre herësh, që bënte Hashim dallaverja në Amerikë, filloi t`u "vinte era". I gjithë aparati i Ministrisë të Punëve të Jashtme, ishte vënë në shërbim të ndarjes të Kosovës. Hashimi, me Uk Lushin e tij, i cili, krejt i paautorizuar vazhdon të flasë në emër të "Batalionit Atlantiku", (duke i bërë thirrje popullit të Kosovës, të ngrihet në protesta, për lirimin e Thaçit me shokët e akuzuar për krime), lobonin edhe me pagesë, me paret e buxhetit të Kosovës.  

 Në këto ethe, ata përçanë edhe Mërgatën shqiptare në SHBA. Në mes tyre edhe Shoqatën shekullore "Vatra" të Nolit. I turpëruan burrat e zëshëm, që kishin punuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. I detyruan senatorë e kongresmenë, t`i lutën Presidentit Clinton - për zhbërjen e Gjykatës Speciale -! Megjithatë, krimi nuk falet”,
ka theksuar Zeqiraj. 

Kërcënimi i Dick Martit 

Sipas tij, kërcënimi me jetë, i bërë ndaj Dick Martit, siç thuhet nga Serbia, për t`ua faturuar krimin shqiptarëve, aktivizoi tellallët e partive-banda të PAN-it, duke ndërmarrë një fushatë të egër, kundër Gjykatës Speciale dhe vet Dick Martit.  

 “Arsyetimi se Rezoluta është votua nga Rusia dhe Serbia, tani, pas luftës në Ukrainë, po vjen një rend i ri botëror dhe akuza ka qenë për heqjen e trafikimit të organeve, e cila nuk u vërtetua, "qeveria e Kosovës duhet ta akuzojë  Dick Martin dhe të kërkojë zhbërjen e Gjykatës Speciale"!

Realisht, Rezoluta për krimet e luftës në Kosovë, është votuar dhe aprovuar nga Asambleja e Parlamentare e Këshillit të Evropës, ku bënin pjesë edhe dy shtetet e cituara më lart. As lufta në Ukrainë, nuk ka asnjë lidhje me Gjykatën Speciale të Kosovës. Qeveria e Kosovës, përveç reagimit ndaj Serbisë, për intrigimet e veprimet në dëm të Kosovës, që projekton, me qëllim diskriditues, nuk ka asnjë punë me Dick Marty-në dhe aq më pak me Gjykatën Speciale, të votuar nga Parlamenti i Kosovës. Thaçi e kishte rastin ta akuzonte atë për shpifje. Por, e humbi shansin, sepse "dardha e kishte bishtin prapa"! 

 Prokurori amerikan, Clint Williamson, me konstatimin e tij se "mungojnë gjetjet për transplacion organesh, - POR KA DIÇKA TJETËR -, e demanton Marty-në për organet, por, jo edhe për krimet tjera, të pasqyruara në Rezolutën dhe librin e tij, siç janë burgosjet e paligjshme, maltretimet dhe torturat, deri në vrasje, të kundërshtarëve politikë. Pasuesi i Williamson-it, bashkë-vendori i tij, Xhack Smith, i konfirmon gjetjet faktike kriminale të paraardhësit, duke emërtuar akuzën në grup, për të burgosurit në Hagë, si -Ndërmarrje e Përbashkët  Kriminale”. 

Për Idriz Zeqiran, partitë-banda të PAN-it, është e natyrshme t`i mbrojnë njerëzit e tyre, qofshin ata edhe kriminelë.  

“Sepse shumë nga ata, që janë më të zëshëm në mbrojtje, përfitonin nga shefat e tyre, që kishin kapur të gjitha institucionet dhe vet shtetin e Kosovës”, ka përfunduar ai.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat