“Kosova nuk është Krime, as Donbask dhe as Lugansk!

Politika

“Kosova nuk është Krime, as Donbask dhe as Lugansk!

Nga: A.M. Më: 30 prill 2022 Në ora: 18:04
Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin vazhdon të merret me Kosovën.

Së fundi, ai gjatë një takimi me sekretarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përmendi Kosovën, të cilën e mori si shembull që mund të ndjekin dy krahinat në lindje të Ukrainës, Donetsk e Lugansk, e që sipas tij, nuk po lejohen që ta ushtrojnë të drejtën për sovranitetin e tyre, të konfirmuara në referendum.

Vladimir Putini në vazhdimësi, por edhe në këtë takim, ka treguar se ka një lidhje të ngushtë e direkte me shpalljen e pavarësisë nga republika e Kosovës në vitin 2008.

“Unë e mbaj mend mirë dokumentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth Kosovës. E kujtoj mirë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, i cili thotë se, ‘zbatimi i së drejtës për vetëvendosje për territorin e secilit vend dhe nuk duhet të kërkojë leje për ta deklaruar sovranitetin nga ai vend’. Kjo është e shkruar në relacion me Kosovën dhe ky vendim është përkrahur nga të gjithë. Nëse është kështu, atëherë Republika e Donbasit dhe ajo e Donetskut kanë të njëjtat të drejta duke mos zbatuar autoritetin qendror në Kiev për ta deklaruar sovranitetin, pasi që precedenti ekziston”, ka thënë Putin gjatë këtij takimi.

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” tha se Putini po e përdor Kosovën për qëllime të tij.

Ai u shpreh se krahasimi i shtetit tonë me Donetsk e Lugansk nuk është real.

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

“Në luftën speciale që po e bënë Putini kundër të gjithëve në Evropë, po e përdorë shumë Kosovën. Pushtimet dhe agresionin rus ndaj Ukrainës po e arsyeton me të paqenurit e faktit, lidhur me Kosovën. Në takim me Guterres, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, në Moskë, pushtimin agresiv dhe dhunën gjenocidale e mbështeti dhe e krahasoi me intervenimin e NATO-s në vitin 1999 dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Të dy këto aksione i quajti si "aksione kundër parimeve bazike të OKB-së mbi lirinë dhe pavarësinë e shteteve dhe të popujve". Një krahasim i tillë nuk është real. Ai nuk i përgjigjet gjendjes aktuale dhe është pikërisht kundër çdo norme ndërkombëtare mbi lirinë dhe pavarësinë e popujve”, deklaroi ai.

Tutje, Kelmendi radhiti disa fakte mbi të cilat shpjegoi edhe dallimet e Kosovës me Krimenë, Donetsk e Lugansk.

Ndër të tjera profesori potencoi se fashizmi serbomadh në Kosovë kundër shqiptarëve ishte dhe është i njëjtë me fashizmin rus në Ukrainë kundër ukrainasve.

“Konkretisht:

1. Kosova ishte gjatë ekzistencës së Jugosllavisë një subjekt konstitutiv i Federatës, si gjashtë Republikat përbërëse të shtetit;

2. Njësit e shpallura në shtete të pavarura, si Krimenë që e pushtoi me forcë, ashtu Donetsk e Lugansk, kurrë nuk ishin njësi konstituive të BRSS-së;.

3. Kosova e fitoi pozitën e subjektit juridiko-politik e shtetëror të pavarur me Rezolutën 1244. Mbi ato norma u ndërtua shteti dhe në mënyrë pikë mbështetëse edhe e shpalli pavarësinë në vitin 2008.

4. Populli i Kosovës është mbi 90% i përkatësisë nacionale shqiptare. Ndërsa në Krime, në Donetsk dhe në Lugansk janë nën 50% rusë, të tjerët janë ukrainas.

5.Fashizmi serbomadh në Kosovë kundër shqiptarëve ishte dhe është i njëjtë me fashizmin rus në Ukrainë kundër ukrainasve.

6. Shtetet që janë të tilla, përkatësisht që kanë urrejtje nacional raciste dhe

që për pikësynim kanë gjenocidin mbi popullatë jo të njëjtë nuk kanë dhe nuk respektojnë rregulla ndërkombëtare”, nënvizoi Kelmendi.

Bazuar në këtë, profesori theksoi se të gjitha këto fakte tregojnë dallimet rrënjësore të Donetsk e Lugansk me Kosovën.

Madje, ai tha se me Kosovën shtet është arritur paqja dhe Ballkani Perëndimor po merr frymë lirshëm.

“Faktet, pra, flasin se jo vetëm që nuk ka ngjashmëri midis Kosovës dhe Krimes, Donetsk e Lugansk, por edhe vetë përbërja kombëtare dallon. Në Kosovë ishin dhe janë mbi 90% shqiptarë. Po kështu flet fakti se Kosova si shtet i pavarur është treguar e denjë në kuadër të familjeve të shteteve. Me Kosovën shtet është arritur paqja dhe Ballkani Perëndimor po merr frymë lirshëm.

Çdo normë ndërkombëtare e respekton shteti dhe ky shtet, Kosova, është vend që garanton lirinë dhe barazinë për çdo komb dhe kombësi në vend. Shteti i Kosovës është subjekt i respektuar dhe i njohur nga mbi 120 shtete të botës. Tash është para inkuadrimeve të rëndësishme në kuadër të mekanizmave euroatlantik”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat