"Ballkani i hapur", pa BE-në është shumë i rrezikshëm për paqen në rajon

Politika

"Ballkani i hapur", pa BE-në është shumë i rrezikshëm për paqen në rajon

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 2 maj 2022 Në ora: 08:27

Përkundër zhvillimeve të fundit në Evropë, përkatësisht me nisjen e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, është pritur që të ketë lëvizje politike dhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor.

Deri më tash përkundër demonstrimit të forcës dhe armatosjes së vazhdueshme të Serbisë, nga vende të Lindjes, Rusia dhe Kina, dhe thirrjes nga SHBA dhe BE-ja, që të mos e bëjë këtë, ajo të paktën nuk ka guxuar deri më tash të zbatojë asnjë projekt sekret ushtarak e politik të bërë me Moskën, si ndarjen e Republikës Serbe me forcë apo një inkursion ushtarak në veri.

Serbia, i vetmi shtet në Europë që ka vazhduar ta përkrahë Rusinë, dhe ka refuzuar t’i vë sanksione, madje oligarkë dhe biznesmenë rus, kanë zbarkuar atje të veprojnë e jetojnë.

Por, këto relacione proruse nuk e kanë penguar Shqipërinë, përkatësisht Edi Ramën, që të bëjë marrëveshje dhe madje ta mbroje Serbinë, për pozicionin e saj prorus, duke gënjyer dhe paraqitur atë se është pozicionuar përkrah Perëndimit. Këtë nuk e thotë asnjë shtet perëndimor, as SHBA-ja, e cila në mënyrë ultimative sikurse BE-ja i ka kërkuar të pozicionohet qartë, duke nënkuptuar shkëputjen nga Rusia.

Madje Rama duke e valëvitur flamurin proserb, as në këtë kohë që po i bëhet presion Kosovës për arritjen e një marrëveshje me Serbinë, nuk po i përkrahë aspak institucionet e Kosovës, të cilat s’kanë rrugë tjetër veçse ta mbrojnë interesin jetik të vendit, por ai më shumë është përkrah Beogradit. Madje ai këtë po e bën në emër të nismës së ashtuquajtur “Ballkani i hapur”.

Për qëndrimin e Ramës, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për mediat vendore, e cila ka hedhur kritika ndaj tij.

“Unë nuk e di pse Shqipëria do të pranonte një iniciativë të tillë ku Kosova nuk do të trajtohet si shtet sovran dhe ku rol të rëndësishëm ka Vuçiqi, udhëheqësi i një shteti që në baza ditore tenton ta destabilizojë Kosovën dhe ta shkel sovranitetin e saj”.

“Për mua është e pakuptueshme pse një gjë e tillë përkrahet nga ana e Shqipërisë, ne i kemi dhënë argumentet tona, ndërsa pse po vazhdojnë ta përkrahin një nismë të tillë? Kjo ështëpyetje që duhet t’i bëhet Shqipërisë”, ka deklaruar Osmani.

Përkundër kësaj deklarate të Osmanit, Rama ka marr një goditje nga kancelari gjerman, OlafScholz, i cili ka bërë të ditur se do ta ringjallë Procesin e Berlinit, i cili nënkupton veç tjerash se nuk ka anëtarësim të Serbisë në BE, pa njohjen e Kosovës.

Me qëndrimin e presidentes Osmani pajtohen edhe njohësit e çështjeve politike në Kosovë.

“Ballkan i hapur”, ide apo obligim?!

Image
Milazim Maraj

Profesori Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot” ka treguar për historikun e shqiptarëve për ruajtjen e identitetit shqiptarë.

“Qysh nga koha e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut luftërat për ruajtjen e identitetit kombëtar janë zhvilluar kryesisht në veri nga Nishi. Kjo tregon nga vjen kryesisht, rreziku. Lufta për pushtet e shqiptarëve nuk ka kushtuar shumë më pakë e më lirë se lufta për shtet. Në luftën për pushtet gjithmonë janë infiltruar interesat e huaja. Pas vitit 1912 kur për shkaqe që tani nuk do të ndalemi në to, Shqipërisë ju hoqën shumë territore. Kombi shqiptarë u zhvillua i ndarë në të dy anët e kufirit më probleme të ndryshme dhe vuajtje të rënda. Kjo ishte pasojë e robërisë së gjatë dhe vuajtjeve të mëdha që synonin shfarosjen e këtij etniteti vendas, mjaft të kulturuar, human por pa mundësi qëtë bashkohen. Derisa shqiptaret e Dardanisë vuanin nga okupatori i huaj serbo-rus ata kaliteshin për këtë luftë dhe mobilizoheshin të motivuar për ruajtjen e tokave të tyre, vlerave të tyre të lashta e të larta njerëzore dhe identitetin e tyre. Në Shqipëri shqiptarët vuanin nga shpirtshiturit që për pushtet e interesa të ulëta dhe luks, standarde familjare mohonin qenien e tyre kombëtare. Atdhedashuria në Shqipëri nuk u zhvillua njësoj si të shqiptarët, në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Në Kosovë dhe viset tjera të mbetura jashtë Shqipërisë, përkundër shtypjeve në të gjitha format çnjerëzore, mbizotëronte ideja se pa Atdhe të lirë nuk ka fe, as jetë të mirë, në Shqipëri nuk funksiononte thënia e A.Z. Çajupit, “Mëmëdhe quhet toka ku më ka rënë koka”. Atje ishte imponuar ideja se Atdheu është vendi që më siguron jetë të mirë, luks dhe pushim të qetë. Ky botëkuptim ndryshon, pra nuk kërkohet diçka që ta bëjmë ne, për veten tonë, por të jetojmë diku në botë si të huaj, të asimiluar, të tjetërsuar, pa dinjitet dhe pa identitet. Me shumë endje përdoren barbarizmat duke lënë fjalët shqipe plotë kuptim dhe domethënie. Ky ishte një degëzim fillimisht fizik e pastaj edhe shpirtëror. Një kastë politike e shitur ka funksionuar fuqishëm në Shqipëri gjithmonë, ka funksionuar si virus në momentet më delikate të Shqipërisë dhe vendimeve kyçe për vendosje të fatit të shqiptarëve në Gadishullin Ilirik. Po përmendim vetëm disa raste kur institucionet shqiptare u gjetën në anën e kundërt të interesit kombëtar. Politika antikombëtare e Esat Pash Toptanit”, kashpjeguar ai.

Roli negativ historik ndaj Kosovës, në procese

Po ashtu, Maraj ka treguar edhe një pjesë tjetër të historisë se çfarë ndodhi në Kosovë dhe çfarë lidhje kishte Shqipëria me Serbinë.

“Brigadat e Shqipërisë u bënë pjesë e masakrave serbe në Kosovë nën yllin komunist. Nuk u punua kurrë për zbatimin e vendimit të mbledhjes së Bujanit, që pas luftës antifashiste të lejohet bashkimi i shqiptarëve; por lejuan DushanMugoshën dhe MilladinPopoviqin të formojë Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetin komunist shqiptarë duke likuiduar krahun më fisnik dhe kombëtarë shqiptarnë Shqipëri, Kosovë dhe të gjitha vendet e banuara më shqiptarë. Largime të shqiptarëve nga tokat e veta pati gjithmonë që nga viti 1876 e më herët. Por vazhdoj edhe me pushtetin e ri në vitet: 1945-1948 dhe 1956-1968.Në vitin 1968, shteti shqiptarë nuk reagoi kurrë në OKB për vrasjen dhe burgosjen masive të studentëve shqiptarë në Kosovë, për shkak që kërkonin të drejtat e tyre legjitime të garantuara më konventa ndërkombëtare. Më 2 korrik të vitit 1990 pikërisht kur shqiptarët e Kosovë ishin organizuar dhe po shpallnin deklaratën e Pavarësisë para tytave të tankeve dhe autoblindave në Prishtinë; në Shqipëri u organizua ikja e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe futja në ambasada. Kjo nuk mund të quhet koincidencë, por organizim i spikatur i një force antikombëtare që shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë e vuri nën hije të ikjes së shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe futjen e tyre në ambasada. Vëmendjen e opinionit botëror e zhvendosi si çështje me të cilën duhej të merreshin institucionet ndërkombëtare vendimmarrëse. Kjo ngjarje mund të ndodhte më herët apo më vonë”, thotë ai.

  1. tej, Maraj ka zbuluar se çfarë kërkese kishte bërë Tirana ndaj presidentit Rugova në kohën e Jugosllavisë.

“Në Tiranë Presidentit Rugova ju kërkua që të merrte pjesë në zgjedhjet e Jugosllavisë për të fituar 30% të votave, në vend që të përkrahej dhe të bashkëpunojnë, të ndajnë detyrat për realizimin e aspiratave të arsyeshme dhe të domosdoshme për ekzistencën e shqiptarëve si komb. Në kohën kur në Kosovë shqiptarët u organizuan në pushtetin paralel. Në Shqipëri shpërthyen skemat piramidë. Në kohën kur në Kosovë po organizoheshim për rezistencë të armatosur në Shqipëri shpërthej një luftë civile, që shkatërroi institucionet shqiptare. Në këtë tollovi të pakuptimtë, në kufi të Greqisë rebelët e Fatos Nanos e ftonin Greqinë të futej në Shqipëri. Ishte presidenti BillKlinton ai që i qetësoi orekset e fqinjëve të Shqipërisë me një deklaratë `Kufijtë e Shqipërisë janë të garantuar`”, thekson Maraj.

Gjithashtu, ai ka treguar se nga cila kohë është pikënisja e projektit “Ballkani i hapur”.

“Pas ardhjes së Fatos Nanos në postin e kryeministrit të Shqipërisë ai e pranoi ftesën e kasapit të Gadishullit Ilirik dhe antishqiptarit më të rrezikshëm të kohës, që të takohen në Kretë në Greqi dhe pas atij takimi doli duke ju treguar shqiptarëve të orientohen kah Beogradi. Po në këtë takim merr projektin “Ballkani i hapur” jo me këtë emër, por meatë përmbajtje, që ia dorëzon më vonë Edvin Ramës për ta zbatuar”, thotë ai.

Sipas Marajt, këtë e ka pranuar edhe kryeministri Rama.

“Këtë e konfirmon vet Kryeministri i Shqipërisë EdvinRama, kur e pyesin gazetarët; pse e përkrahni idenë e Vuçiqit për “Ballkanine hapur” ide e Vuçiqit?”, ai përgjigjët: “Kjo ishte ide e imja, mua këtë ide ma kishte dhënë Fatos Nano”. Pra, kjo “ide” del herë si ide e herë si obligim, që Serbia ta merr edhe Shqipërinë dhe të mos bisedohet fare për Kosovën? “Ballkani i hapur”, është vetëm paketimi i kësaj “ideje” që ndryshon nga përmbajtja. Kategoria e njerëzve kundër shtetit të Shqipërisë ka evoluar që nga Perandoria turke,(E.P. Toptani), pastaj gjatë formimit dhe sundimit tështetit komunist dhe vazhdon edhe sot në forma mjaft të vrazhda duke dëmtuar proceset vitale të zgjidhjes së problemeve tona ende të pazgjidhura kombëtare. Hezitimi i kryeministrit të Shqipërisë që të distancohet plotësisht nga Rusia dhe Serbia del që nuk është ide, por obligim që nuk anulohet lehtë. Rama nuk reagon për ç’regjistrimine shqiptarëve nga adresat e tyre në Mevegjë, Bujanoc dhe Preshevë dhe të drejtat e tyre që Vuçiqi i kërkon për serbët në Kosovë”, deklaroi Maraj.

Në fund, Maraj i ka dhënë të drejtë presidentes Osmani, e cila ka reaguar kundër qëndrimit të Shqipërisë për “Ballkanin e hapur”.

“Presidentja e Kosovës Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, me shumë të drejtë ka reaguar dhe përsëritur këtë reagim, ky reagim do të ishte mirë që të kuptohet drejt jo vetëm te shqiptarët e Kosovës, por edhe te ata shqiptarë që e ndjejnë veten shqiptarë në Shqipëri dhe kudo që gjendën në botë. Reflektimi i shqiptarëve me ndikim kudo në botë është mëse i domosdoshëm. Vetëm të bashkuar, të vendosur, duke shfrytëzuar resurset tona njerëzore dhe miqtë tonë shumë të mirë do ta zgjidhim çështjen e tokave tona dhe identitetit tonë kombëtarë”, përfundon Maraj për “Bota sot”.

"Ballkani i Hapur" mekanizëm i dëmshëm

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërkaq, profesori Muhamet Kelmendi, e ka komentuar qëndrimin e Kosovës karshi “Ballkanit të hapur”.

“Kosova ka deklaruar se "Ballkani i hapur" është një subjekt antiproduktiv dhe si i tillë, pa BE-në dhe Gjermaninë brenda, nuk ka perspektivë.

Kuptohet se bazat e këtij subjekti janë katër çështjet e përcaktuara nga "Procesi i Berlinit". Megjithatë, për BE-në dhe Gjermaninë duket si mekanizëm jo funksional.

Dhe, natyrisht, mbështetur në përbërjen, Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni i Veriut, është ky mekanizëm tepër nën ndikimin e shtetit serb”, thotë ai.

Po ashtu, ai e ka përmendur edhe goditjen që e ka marr Rama gjatë vizitës së fundit në Gjermani për “Ballkanin e hapur”.

“Në Berlin, gjatë vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë, z.EdiRama, iu dha goditja përfundimtare e "Ballkanit të hapur" dhe po vihet në zbatim ideja e një procesi të ri, me katër të drejtat themelore, siç quhet "Procesi i Berlinit". Kancelari gjerman, z.OlafScholz, ia dha goditjen "Ballkanit të hapur" dhe kërkoi të vazhdohet me "Procesin e Berlinit".

"Këto çështje do të vihen në spikamë dhe RF e Gjermanisë është shume e interesuar për vazhdimin e "Procesit të Berlinit". Me këtë "Ballkani i hapur" mori fund”, ka deklaruar Kelmendi.

Më tej, ai ka treguar se pse “Ballkani i hapur” është rrezikim për Kosovën.

“Aq më parë kur Serbia si bashkëthemeluese është jashtë përcaktimeve politike, ekonomike dhe financiare ndaj Rusisë si shtet agresor në Ukrainë. Serbia nuk pranoi t’ia vendoste sanksionet ekonomike, financiare, si dhe ato politike. Mbeti shteti i vetëm në Evrope që doli përkrah Rusisë.

Kjo, në njërën anë dhe, në anën tjetër, vartësia e Serbisë nga Rusia si dhe rrezikimi i paqes në Ballkan nga Serbia, duke e kërcënuar Kosovën dhe BH me luftë, ishin faktet që "Ballkani i hapur", pa prezencën e BE-së dhe konkretisht të Gjermanisë, është shumë i rrezikshëm për paqen në këtë anë të Evropës”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat