Dritan Abazoviçi fitoi, por çka do të fitojnë shqiptarët në Mal të Zi!

Politika

Dritan Abazoviçi fitoi, por çka do të fitojnë shqiptarët në Mal të Zi!

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 2 maj 2022 Në ora: 11:44
Dritan Abazoviq

Të enjten në Mal të Zi kryeministër i ri u zgjodh për herë të parë një shqiptar, Dritan Abazoviqi.

Ai u zgjedh kryeministër me 45 vota pro, kurse kundër ishin vetëm tre deputetë socialdemokratë.

Qeveria e re e Malit të Zi do të ketë 18 ministri, katër zëvendëskryeministra që janë edhe ministra të kabinetit qeveritar dhe dy ministra pa portofol.

Por, çfarë mund të bëjë për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve autokton në Mal të Zi, që dikur ishin shumicë, por nën trysnitë e regjimeve malazeze e jugosllave, shqiptarët u shpërngulën masivisht dhe një pjesë u detyruan të konvertohen në ‘mysliman’.

Duke e pasur parasysh që shqiptarët në Mal të Zi, janë diskriminuar gjithmonë nga qeveritë e kaluara, sa do të jetë ndikuese tani që të ndryshohet kjo qasje, pasi tani në krye të qeverisë është Abazoviqi, analisti politik Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se zgjedhja e Abazoviqit kryeministër është diçka pozitive, e në veçanti për shqiptarët.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas tij, tani Abazoviqi duhet ta “rikonstruktojë konceptin mbi rolin e shqiptarëve në Mal të Zi”.

Me zgjedhjen e kryeministrit shqiptar në Mal të Zi është një mundësi e mirë për shqiptarët, pasi qeveritë e kaluara me përbërje malazeze kanë diskriminuar në forma të ndryshme shqiptarët. Kryeministri, Abazoviq duhet ta rikonstruktojë konceptin mbi rolin e shqiptarëve në Mal të Zi, jo si komunitet pakicë, por si komunitet me të drejta të barabarta në shtet. E ka shansin dhe mundësinë që t'i tregoj botës se mundet të qeveriset më ndryshe, duke qeverisur pa dallime”, theksoi Ahmeti.

“Me Abazoviqin në krye do të hiqen kufijtë shqiptarë?”

Ndërsa, analisti politik Skënder Mulliqi, theksoi se tani në krye me Abazoviqin, shqiptarët duhet t’i fitojnë të drejtat e tyre, po ashtu sipas tij, duke i pasur parasysh meritat e shqiptarëve, do të marrin nën kontrollë edhe një pjesë të administratës publike.

Image
Skënder Mulliqi

Me ardhjen në krye të ekzekutivit për herë të parë të një shqiptari në Mal të Zi, janë krijuar parakushtet që pakica shqiptare në këtë republikë t’i fitojë të drejtat e tyre legjitime që u kanë munguar bukur shumë deri më tash. Abazoviqi do të interesohet që shqiptarët edhe të kenë përfaqësim më të mirë institucional, duke filluar nga pushteti lokal deri te niveli qendror. Përpos resorit qeveritar për pakicat, shqiptarët do të marrin me gjasë edhe Administratën Publike, se kanë shumë merita edhe para se me ardhë Abazoviqi në krye të qeverisë, për shkëputje me referendum nga Serbia”, thotë ai.

Tutje shtoi se kjo do t’i hapë rrugë të re politike, përfshirë këtu edhe një atmosfere të integrimeve rajonale, në veçanti për Kosovën.

Pra, Abazoviqi do të hap një dritare të re të integrimit brenda të të gjitha subjekteve politike atje, që nuk kishte ndodhur më parë. Rrëzimi i qeverisë paraprake dhe formimi i qeverisë pakicë është meritë e madhe e Abazoviqit. Programi i tij politik është që të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike, për çka edhe arriti të bëhet kryeministër në Mal të Zi. Kjo do ti hap rrugë një politike të re shumë më kreative. Abazoviqi do të tentojë të zbusë edhe theksimin e nacionalizmave si dhe krijimit të një atmosfere të integrimeve rajonale e veçmas me Kosovën. Me Abazoviqin shpresohet, pra që të ndryshohet shumë statusi politik i shqiptarëve duke i avancuar edhe të drejtat elementare njerëzore”, shtoi Mullliqi.

Do të rritet bashkëpunimi Kosovë- Mal i Zi

Sipas Mulliqit, zgjedhj e Abazoviqit ishte meritë edhe e Gjukanoviqit, megjithatë, zgjedhje e Abazoviqit është diçka pozitive për shqiptarët e të gjitha trojeve etnike.

Ai më tej u shpreh se me Abazoviqin në krye, do të fitohet edhe statusi i vendit kandidat në BE, po ashtu bashkëpunim do të ketë edhe me Shqipërinë, për heqjen e kufijve shqiptarë.

Ai bashkoi rreth veti partitë politike minoritare, e që ato ishin deri më tash në opozitë. Dritani si politikan i ri, ka ide dhe vizion që Malin e Zi me dërgu përpara në pikëpamje politike, ekonomike dhe sociale, por edhe të integrimeve evropiane. Shpresohet dhe ekziston gatishmëria edhe e shteteve të BE-së e Amerikës, që të thellohet bashkëpunimi me kryeministrin, Dritan Abazoviq. Duhet pranuar se Abazoviqi erdh në pushtet edhe me përkrahjen e presidentit, Millo Gjukanoviq, i cili shqiptarët nuk i ka shikuar përmes syzeve të diskriminimit të hapur. Mendoj, se zgjedhja e pro evropianit siç cilësohet nga shumëkush Abazoviqi, është lajm i mirë për shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për shqiptarët në trojet tjera etnike. Me Abazoviqin kur bëhet fjalë për Kosovën do të hapet një kaptinë e re e bashkëpunimit në të gjitha fushat e jetës me këtë Republikë. Do të këtë një bashkëpunim më të ngushtë edhe institucional për çështje të ndryshme, në kuadër të integrimeve rajonale, por edhe të integrimeve ndërkombëtare. Thellim bashkëpunimi do të këtë edhe me Shqipërinë, si rrugë e heqjes edhe formale të kufijve të shqiptarëve në Ballkan”, thekson Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat