Rasti “Veteranët” / Zbulohet se kush janë fajtorët që sollën këtë skandal në vendin tonë!

Politika

Rasti “Veteranët” / Zbulohet se kush janë fajtorët që sollën këtë skandal në vendin tonë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 maj 2022 Në ora: 19:17
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ditë më parë Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”.

Nga ky rast janë nën hetime personat zyrtarë, të Komisionit qeveritar, që keqpërdoruan detyrën zyrtare.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga Gjykata e Apelit.

Në komunikatë thuhet se është aprovuar si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të njëjtës gjykatë i kthehet rasti në rigjykim.

“Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që ta aprovoj ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërsa ta anuloj aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.230/2018, i datës 16 prill 2021 dhe kjo çështje penale do t’i kthehet në rigjykim dhe rivendosje të njëjtës gjykatë“, thuhet në komunikatë.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Dyshimet për keqpërdorime dhe mashtrime

Por, që kur ka nisur procesi i përcaktimit të statusit të veteranëve, jo pak veta kanë treguar se ka përfitues, të cilët këtë status e kanë blerë.

Një nga mënyrat sipas një dëshmie dhënë gazetës “Bota sot”, thotë se, personin N.N. e ka marrë statusin, duke e dhënë si ‘taksë’, shumën që ai pritej ta fitonte brenda një viti, pasi duke llogaritur se do të fitonte, më shumë se 20 vjet të jetës, ai ‘investim’ ishte shumë i vogël, por që sipas një parallogarie kalon në rreth 2.500 euro. Ka pasur zëra se disa kanë paguar nga tre mijë euro, dhe të tjerë nga pesë mijë euro, pasi përfitimi i një pensioni dhe disa privilegjeve të tjera, ishte investim shumë mirë.

Nëse vetëm 20 mijë e falsifikuan statusin, aq sa afërsisht dëshmonte ish prokurori Elezaj, atëherë, del se një përfitim mesatar i përgjithshëm i atyre që merreshin me falsifikim, do të ketë arritur deri në rreth 50 milionë euro, në rastin më të keq, nëse vetëm rreth mijë veta paguan ryshfet, sërish del një vlerë kapitale prej rreth 5 milionë euro!

Këto përfitime mund të jenë pengesë reale edhe për zbardhjen e drejtësisë, sepse ata që janë komprometuar do të provojnë ta mbrojnë veten me çdo kusht, duke u thirrë edhe me kërcënime si: “do ta mbyllim derën e Qeverisë”!, etj.

Shpërndarja e certifikatave filloi me 5 tetor 2015.

Statistikat të dhënave të publikuara nga ASK-ja, tregojnë se numri i përfituesve nga skemat e pensioneve për veteranët e luftës është mbi 38 mijë. Nga buxheti i shtetit, çdo muaj paguhen 6.3 - 6.4 milionë euro për këtë kategori të skemës pensionale. Në vitin 2020 numri i veteranëve në Kosovë që përfitonte nga statusi i atillë, ishte mbi 38 mijë, numri më i madh i përfituesve është nga komuna e vogël e Deçanit me mbi katër mijë veta apo mbi 10,5% të numrit të përgjithshëm, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK-së).

Sipas ASK-së, rreth 20 mijë veteranë marrin mbi 3.2 milionë euro në vit, dhe për rreth shtatë vite, buxheti i Kosovës, i bie se i ka humbur mbi 20 milionë euro.

Mirëpo se sa ka humbur shteti nga ky keqpërdorim i detyrës dhe dëmet që kanë shkaktuar për “Bota sot”, kanë folur juristët.

Gashi: Rasti i “Veteranëve”, skandali i partive politike që qenë 20 vite në qeverisje

Image
Avokati Tomë Gashi.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.

Ai u shpreh se rasti “Veteranët” është një temë shumë serioze dhe shumë e pakuptueshme si mund të ketë rritje të numrit të veteranëve në këto përmasa kaq të mëdha.

“Tema e “Veteranëve” është temë mjaft serioze, është shumë e pakuptueshme se si dhe kush lejoi, që të rritet numri i veteranëve në përmasa aq shumë sa që ta ndryshoj edhe karakterin e luftës çlirimtare që e kishim përjetuar të gjithë”, u shpreh ai.

Avokati tutje thotë që kushdo që ka ndikuar në këtë rritje të madhe të numrit të veteranëve e din partitë politike që kanë qeverisur për 20 vjet, mirëpo sipas tij, ky ka qenë skandal që ka pasur për qëllim edhe t’i sigurojnë votat ato parti.

“Si dhe kush ndikoj që ky numër të rritet në përmasa të tilla e dinë udhëheqësit e partive politike që ishin në pushtet për 20 vjet deri më 14 shkurt 2021.

Ka informatë se ky ishte një vendim siç thuhet, politikë por esenca ishte se kjo u bë për shumë arsye. Ajo kryesorja, për të siguruar votues për ata që lejuan këtë skandal duke u thirrur në emër të luftës dhe në emër të UÇK-së”, tha avokati.

Ndërsa sa i përket dëmeve të shkaktuara, Gashi thotë që kemi pasur shumë dëme pasi qindra e miliona euro janë humbur pabesisht.

“Sa i përket dëmeve që u shkaktuan janë shumë të mëdha edhe në aspektin financiarë, janë paguar dhjetëra e nëse vazhdohet kështu do të paguhen qindra miliona euro për ata që janë mashtrues duke u paraqitur dhe regjistruar rrejshëm si veteranë”, foli Gashi për “Bota sot”.

Kelmendi: Kategorinë e dal nga lufta e UÇK-së mund ta vlerësojë vetëm Gjykata kompetente në Kosovë

Image
Juristi Muhamet Kelmendi

 

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që të drejtën për të qenë veteran i UÇK-së nuk mund ta mohojnë organet e shtetit me akte administrative ose ligje, mirëpo duhet me aktgjykim të gjykatave.

“Të drejtat e veteranëve të luftës dhe të invalidëve, përkatësisht statusin e kategorive të UÇK-së, nuk mund ta kufizojnë ose ta mohojnë organet e shtetit me akte administrative dhe as me ndonjë ligj të ri, pavarësisht të dhënave. Mohimi i të drejtave të dhëna me ligj ndalohen vetëm me aktgjykim të gjykatave dhe atë vetëm atëherë kur e merrë verdikti fuqinë e plotë juridike. Çdo intervenim nga Qeveria nëpërmjet Kuvendit për të bërë rivlerësimin e veteranëve të luftës së UÇK-së, të invalidëve dhe të drejtave të tjera, është antiligjore dhe në Gjykatën Kushtetuese e fiton çdo paditës të drejtën ligjore”, theksoi juristi.

Ndër të tjera ai shton se forma juridike e Qeverisë së Kosovës që nëpërmjet intervenimit ligjor për të bërë rivlerësimin e kategorive të luftës është kundër Kushtetutës së Kosovës dhe krijon konflikte juridike në Republikë.

“Kategoritë e luftës së UÇK-së janë zgjidhur me ligj. Ato janë parimisht të pakontestuara. Ligje mund të nxirren nga Kuvendi dhe Qeveria apo Kuvendi mund të krijojë edhe komisione, mirëpo, ato nuk mund të rivlerësojnë vendimet e nxjerra në bazë të ligjit. Këtë e bënë Gjykata me padi nga prokuroria. Prandaj, del se forma juridike e Qeverisë së Kosovës që nëpërmjet intervenimit ligjor për të bërë rivlerësimin e kategorive të luftës është kundër Kushtetutës së Kosovës. Ajo formë e rivlerësimit vetëm krijon konflikte juridike në Republikë. Shqyrtimin e çdo lënde veç e veç e bëjnë prokuroritë në Kosovë dhe e vendosin gjykatat me aktgjykim. Mundësi tjetër juridiko-ligjore nuk ka”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

Ata që akuzohen janë për shpërdorim detyre janë: ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, ish-deputeti Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, ish-ministri Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Përkufizimet sipas ligjit për statusin e veteranit

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Lufta Çlirimtare e Kosovës (LÇK) – është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK – ja, me qëllim të çlirimit të Kosovës dhe sjelljes së lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës, me karakter mbrojtës dhe çlirimtar, e drejtuar ekskluzivisht kundër forcave ushtarake, policore dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë;

1.2. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) – Formacion ushtarak i armatosur dhe i organizuar në baza vullnetare me uniforma dhe shenja dalluese, me njësi organizative dhe zinxhir komandues të drejtuar nga Shtabi i Përgjithshëm, nën kontrollin civil të udhëheqjes politike, me mision të qartë për mbrojtjen e popullit të Kosovës dhe çlirimin e vendit nga forcat ushtarake, policore dhe administrata okupuese e Serbisë në Kosovë;

1.3. Veteran i UÇK–së - pjesëmarrës në luftën për çlirimin në Kosovë si:

1.3.1. Invalid i luftës së UÇK–së – luftëtari, pjesëtari dhe i internuari (burgosuri) i UÇK-së, i cili ka pësuar plagë, lëndime (dëmtime) fizike dhe psikike apo sëmundje të rënda gjatë luftës ose në burgjet dhe kampet e armikut, gjatë periudhës së luftës, me shkallë të invaliditetit së paku 10%;

1.3.2. Veteran luftëtarë i UÇK–së – është qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së, dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandat, shtabet e zonave operative të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, dhe i cili ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës;

1.3.3. I internuar i UÇK-së – secili person i cili për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtarë i UÇK-së është arrestuar gjatë periudhës 1997 -1999, dhe mbajtur në burg nga forcat e Serbisë;

1.3.4. Pjesëtarë i UÇK-së - çdo person i cili me vendim apo akt tjetër është caktuar të kryej detyra konkrete në mbështetje politike, logjistike, financiare dhe detyra të tjera të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht shtabi i përgjithshëm i UÇK- së, gjatë periudhës 1997-1999;

1.3.5. Pjesëmarrës i Luftës - ushtari, i cili është radhitur në radhët e UÇK-së, ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive për të kontribuar në luftë, por për arsye të ndryshme i ka lëshuar radhët e UÇK- së, para përfundimit të luftës;

1.3.6. Ushtari i zhdukur (i pagjetur) i UÇK-së - veterani ose pjesëtari i UÇK-së, fati i të cilit ende nuk është zbardhur.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat