Politikat kriminale në energji / Kush do të jap llogari - kërkohen hetime rrënjësore

Politika

Politikat kriminale në energji / Kush do të jap llogari - kërkohen hetime rrënjësore

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 9 maj 2022 Në ora: 08:02
Kuvendi i Kosovës

Pas debateve të ashpra e zhurmës së PDK-së me shishe uji, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për themelimin e dy komisioneve hetimore për energjinë elektrike.

Komisionin hetimor të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës do ta kryesojë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Ky komision pritet të hetojë të gjitha masat e ndërmarra gjatë periudhës së gjendjes emergjente për energjinë, që Kuvendi kishte votuar për ta shpallur vitin e kaluar.

Masat e ndërmarra në periudhën e gjendjes emergjente ishin: vendosja e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosja e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë etj. 

Po ashtu, si pasojë e krizës energjetike, Kosova u përball me shtrenjtim të rrymës.

Kurse, komisionin hetimor të iniciuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, do ta udhëheqë deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj.

Ky komision hetimor kërkon që të hetohen aktivitetet në sektorin e energjisë në periudhën kohore 2006-2022.

Këtu përfshihet hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës pas privatizimit të distribucionit në këtë kompani.

Qarri: Të gjitha gjetjet duhet t`u servohen menjëherë, organeve të drejtësisë

Image
Gani Qarri

Por, cili pritet që të jetë efekti i këtyre dy komisioneve që u formuan pas shumë përplasjeve ndërmjet pozitës dhe opozitës?

Analisti politik, Gani Qarri thotë për gazetën “Bota sot” se pozita dhe opozita duhet të ndërtojnë një strategji të përbashkët veprimi, për konstatimin dhe zbardhjen e devijimeve, pa lënë hapësirë për dyshime.

“Në fakt, duke ditur se për themelimin e një komisioni parlamentar kërkohet mbështetja me vota e një të tretës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në momentet kur ka dyshime se kanë mundur të ndodhnin keqpërdorime, jo vetëm në energji, por në cilindo sektorvital të shtetit, nga të cilat janë rrezikuar interesat e qytetarëve, për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe mënjanuar dëmet e më tejme,  pozita dhe opozita duhet të ndërtojnë një strategji të përbashkët veprimi, për konstatimin dhe zbardhjen e devijimeve, pa lënë hapësire për dyshime. Dhe të gjitha gjetjet e grumbulluara nga hetimi, duhet t`u servohen menjëherë, organeve të drejtësisë për shqyrtime rrënjësore dhe zhvillimin e procedurave të nevojshme ligjore, për vendosjen e fajtorëve para drejtësisë dhe tejkalimin e krizave që rëndojnë mbi vendin”, theksoi Qarri.

Qarri ka theksuar se deputetët kanë të drejtë të kërkojnë që sektori i energjisë t’i nënshtrohet hetimit të detajuar të komisionit parlamentar, por jo edhe të fyejnë në mënyrë aq banale njëri-tjetrin.

“Kështuqë po qe se deputetët e Kuvendit të Kosovës, vërtetë posedojnë fakte për keqpërdorime, ata kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë që sektori i energjisë t’i nënshtrohet hetimit të detajuar të komisionit parlamentar, por jo të fyejnë në mënyrë aq banale njëri-tjetrin, siç veprojnë veçanërisht elementë të caktuar të PDK-së, para syve të të gjithë opinionit të Kosovës dhe përfaqësuesve të shteteve të huaja në shtetin tonë. Për aq më tepër ata duhet të kenë të paktën vetëdije minimale dhe kuptojnë se seancat e Kuvendit, përcillen jo vetëm nga të rriturit, por edhe nga fëmijë të moshave të ndryshme minore, të cilët shpesh qëllojnë në prani të prindërve, ndaj kjo sjellje rrugaçërie, po mbjellë një kulturë degjeneruese edhe te gjeneratat e reja, në vend se deputetët të bëheshin shembull i dijes, emancipimit dhe mirësjelljes”, thekson ai.

“Zgjidhja e problemit të fillojë nga rrënjët”

Qarri e konsideron si të duhur hetimin e krizës energjetike që nga viti 2006, pasi sipas tij, kjo problematikë është pasojë e problemeve të vazhdueshme të politikës së inkriminuar.

“Madje duke pasur parasysh faktin se kriza energjetike, është pasojë e problemeve të vazhdueshme që politika e inkriminuar, për gati dy dekada ka instaluar në këtë sektor, në mënyrë që zgjidhja e problemit të fillojë nga rrënjët, duhet që ashtu siç propozon edhe partia në pushtet, hetimet të bëhen për gjithë periudhën, brenda sektorit të energjisë në 16 vitet e fundit, mbi manipulimet me investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit, burimet e investimeve dhe shumat e investuara në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si dhe keqpërdorimet e mundshme nga viti 2006 deri në vitin 2022”, është shprehur ai. 

Kështu Qarri thotë se në vend të përplasjeve për interesa të ngushta grupore e partiake, nga Kuvendi i Kosovës, hetime duhet të kryhen edhe për manipulimet me punësime, kontratat e lidhura, mënyrat e shit-blerjes së energjisë elektrike deri në muajin aktual të vitit 2022, si dhe manipulimet e tjera brenda sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës.

“Vetëm kështu të dy komisionet hetimore do të sillnin të gjeturat e tyre, për çështjen e energjisë elektrike, nga viti 2016 deri në muajin maj 2022 dhe ditët e sotme në gjithë sektorin energjetik të shtetit tonë të brishtë”, përfundon Qarri.

Duhanaj: Qasja e qeverisë Kurti, e dyshimtë

Image
Leon Duhanaj

Kurse, sipas analistit Leon Duhanaj, situata e cila u krijua pas publikimit të raporteve mbi furnizimin me energji elektrike, përkatësisht bilancin tregtar në import, prodhim dhe eksport, nxori në pah një skandal të pashembullt.

“Sistemi i energjetik ka qenë vazhdimisht problematik, por mënyra se si i është qasur qeveria Kurti këtij problemi, është tejet e dyshimtë.

Për ta bërë ketë edhe më të dyshimtë dhe nevojë imediate për hetim, ndodhi edhe skandali i publikuar në mediat sllovene, në të cilat ambasadori i Kosovës ishte i përfshirë si person kyç në këtë skandal”, vlerësoi Duhanaj.

Sipas tij, Qeveria Kurti, duke instrumentalizuar grupin parlamentarë të VV-së bëri ç'mundi për ta penguar këtë komision hetimor.

“Deri këtu gjithçka që kishte ndodhur ishte në suaza të së mundshmes.

Por, reagimi i Qeverisë së Kosovës në raport me këto zhvillime ishte koka e skandalit.

Mënyra se si u munduan ta mbrojnë ambasadorin dhe pasqyra raportuese e tij ndaj Qeverisë, lë të kuptohet se kjo marrëdhënie biznesore ka qenë e koordinuar me qeverinë dhe se përgjegjësia për këtë skandal është shumë më e gjerë.

Këtë dyshim, edhe më të besueshëm e bën përpjekja e pushtetit që me çdo kusht ta pengojë themelimin e komisionit hetimor parlamentar, gjë që ishte edhe në kundërshtim me kushtetutshmërinë e vendit”.

Opozita e shfrytëzoi mundësinë dhe të drejtën e saj kushtetuese

“Qeveria Kurti, duke instrumentalizuar grupin parlamentarë të VV-së bëri ç'mundi për ta penguar themelimin e këtij komisioni hetimor”, shprehet ai.

Po kështu, sipas analistit LeonDuhanaj, opozita e shfrytëzoi mundësinë dhe të drejtën e saj kushtetuese për hetim, derisa pozita u detyrua ta mundësoj formimin e komisionit, duke propozuar edhe komisionin tjetër sipas kërkesës së saj.

“Grupi parlamentar i VV-së, u mundua ta sabotonte maksimalisht këtë përpjekje të opozitës dhe, kur e pa se situata ishte e komplikuar dhe se nuk mund ta ndalnin, dolën me kundërpropozim, në mënyrë që të themelohej një komision sipas dëshirës së tyre me të vetmin qëllim, që në fund mos të nxjerrë asnjë rezultat, njëherësh edhe ta hetojë opinionin publik duke u shërbyer me akuza të rëndomta për kuazi dështimet 20 vjeçare”, thotë ai.

Sipas mendimit të tij, opozita e shfrytëzoi mundësinë dhe të drejtën e saj kushtetuese për hetim, ndërsa pozita pasi që nuk arriti ta bllokojë, u detyrua ta mundësonte atë, duke propozuar edhe komisionin tjetër sipas kërkesës së saj.

“Tani këto dy komisione janë të ndara dhe si njëri, si tjetri duhet ta bëjnë punën e vetë. Uroj që të dyja komisionet të arrijnë ta nxjerrin të vërtetën në shesh dhe, në fund secili, sipas nivelit të përballet me përgjegjësitë para ligjit”, thotë ai.

Terren i vështirë për opozitën

Sipas Duhanajt qeveria Kurti, po e demonstron hapur arrogancën e numrave, e sipas tij në shumë raste po e keqpërdor fuqinë e votës.

Në anën tjetër, ai thotë se opozita po e ka të vështirë opozitë-bërjen.

“Kjo, pasi që nga njëra anë, përpos mungesës së numrave, kishte probleme fillestare dhe, nga ana tjetër kemi një pozitë Qeveri, e Kuvend që vazhdojnë të krijojnë skandale në baza ditore, aq sa bëhet edhe e pamundur të zhvillohet debat i mirëfilltë për to.

Pra, kjo Qeveri i mbulon skandalet me skandale të reja dhe, përbën problem tejet serioz dhe të pashembullt në politikë”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat