Limaj akuzoi Kurtin për lajthitje – vjen reagimi, ja çfarë akuzash ia kujtojnë “Çelikut”!

Politika

Limaj akuzoi Kurtin për lajthitje – vjen reagimi, ja çfarë akuzash ia kujtojnë “Çelikut”!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 maj 2022 Në ora: 17:16
Fatmir Limaj dhe Albin Kurti

Opozita po vazhdon të jetë e zëshme çdo ditë e më shumë, mirëpo zëri i tyre po mbetet i pabazë dhe i pa argumentuar ndaj pozitës.

Ata po mundohen që me çdo kusht ta vendosin në një pozitë të vështirë qeverisjen e kryeministrit Kurti, duke e kritikuar për gjërat që në të vërtetë të njëjtit nuk kanë as të drejtë të flasin e lëre më të kritikojnë.

Të njëjtit qëndruan për 20 vite në pushtet duke mos bëre asgjë, përveçse duke vjedhur popullin e tyre.

Kësaj vjedhjeje po besohet se ia solli fundin qeveria e Kurtit, por si duket këto ndryshime në favor të zbatimit të ligjit, po u sjellin pakënaqësi ish-pushtetarëve, përkatësisht atyre që vodhën për vite me radhë.

Së fundmi është kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka lajthitur një popull.

Limaj thotë se Kurti ka arritur që një popull prej 2 milionësh ta vë në lajthitje, duke ua ngritur atyre shpresat, sipas tij, pa pasur asnjë bazë.

“Unë besoj që tani është ardh momenti për të rikujtuar, duke parë që vendi ka stagnuar. Nuk ka ndodhur kjo me ne, elitën politike. Ai në fakt ka arritur që një popull prej 2 milionësh me vu në lajthitje. Ju ka lajthit juve. Ju ka ngrit shpresat pa një bazë… Ngritja e pritjeve dhe shpresës tek njerëzit pa bazë, ka qenë një situatë që duhet të bëhen krahasime”, thotë Limaj.

Tutje ai përmendi rrugën Prishtinë-Mitrovicë, ku thotë se ka filluar para 12 vitesh dhe ajo nuk ka përfunduar ende.

“Sot kur ju thua qytetarëve të Mitrovicës, Vushtrrisë, Prishtinës, në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, rruga që ju ka mbetur pa u përmbyllur ka filluar në 2008 -2010 aty ka mbetur. Po bëhen 12 vite, mos me bo asnjë lëvizje, kjo tregon më së miri qa ka ndodh pas nesh, po flas për Ministrinë e Transportit. Me ju thonë sot qytetarëve, rruga Prishtinë-Fushë Kosovë, rruga Prishtinë-Sllatinë, a e mbani në mend kryqin e Fushë Kosovës, a ju kujtohet kolona prej Sllatinës në Prishtinë. Këto janë gjëra që njerëzit e Kosovës, e kujtojmë se në çfarë gjendje ka qenë vendi”, u shpreh Limaj.

Mirëpo, duhet kujtuar që për të gjitha këto kritika drejtuar kryeministrit Kurti, i njëjti ka mundur t’i rregulloj gjatë qeverisjes, por që zgjodhi të mos e bëjë.

Andaj sa është e drejtë apo jo të flasë në këtë mënyrë, për “Bota sot”, kanë folur analistët politikë.

Mehazi: Fatmir Limaj, së bashku me miqtë e tij kanë lajthitur qytetarët e Kosovës për njëzet vjet

Image
Sulejman Mehazi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori dhe njëherësh njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, i cili u shpreh se Limaj nuk ka të drejtë të kritikojë qeverisjen e kryeministrit Kurti, pasi i njëjti ka qenë në qeverisje dhe ka vjedhur me miliona euro.

Lajthitja më e madhe është zhvatja e shtetit e varfërimi i qytetarëve të Kosovës, këto lajthitje korruptive i ka bërë vetë kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, së bashku me miqtë e tij Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, të cilët njëzet vjet të pushtetit lajthitën e lajthitën rëndë qytetarët e Kosovës e jo kryeministri i tanishëm Albin Kurti me një vit qeverisje. E pyesim, zotëri Fatmir Limajn, se, a s'janë lajthitje ordinere miliona eurot e tij të vjedhura nga shteti i Kosovës aq sa me bandat koalicionuese qeverisëse kanë ndarë pasurinë e Kosovës sikurse me qenë mall babe e jo pasuri shtetërore. E pyesim Fatmir Limajn se a s'është pasuria e tij lajthitje?, kur të gjithë qytetarët e Kosovës e dinin si patriot e luftëtar i lirisë, pas luftës lajthiti pas pasioneve qeverisëse e u bë milioner së bashku me të tjerët e UÇK-së”, u shpreh ai.

Profesori gjithashtu nuk e sheh të arsyeshme kritiken për rrugën Prishtinë-Mitrovicë pasi të njëjtën kanë mundur ta rregullojnë 12 vite më parë, kur edhe ka filluar rruga të rregullohet.

“Më e keqja Limaj përmend se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lajthitur popullin me rrugën, Prishtinë-Mitrovicë, që thotë se ka filluar para 12 vitesh dhe nuk ka përfunduar ende dhe për shkak të kësaj rruga të papërfunduar i paska fajet, Albin Kurti, me një vit qeverisje të pandemisë botërore duke mos llogaritur se vetë qeverisja e Limajt për njëmbëdhjetë vite nuk e ka përfunduar rrugën Prishtinë-Mitrovicë për shkak lajthitjeve korruptive”, thotë profesori.

Dallimi i Albin Kurtit prej Fatmir Limajt është, se, kryeministri i Kosovës, Kurti, sakrifikon veten për Kosovën, kurse Fatmir Limaj me anë të lajthitjeve sakrifikoi Kosovën për t'u pasuruar vetë, nënvizon ai më tej.

“Dallimi i Albin Kurtit prej Fatmir Limajt është, se, kryeministri i Kosovës, Kurti, sakrifikon veten për Kosovën, kurse Fatmir Limaj me anë të lajthitjeve sakrifikoi Kosovën për t'u pasuruar vetë. Limaj me partinë e tij të vogël bënte lathitje koalicionuese me partitë e mëdha për të mbetur gjallë politikisht, kurse portreti i Albin Kurtit dhe LVV-së është i mëvetësishëm, i pavarur dhe i fuqishëm para qytetarëve të Kosovës”, foli Mehazi për “Bota sot”.

Ahmeti: Soji i Limajt nuk mund të kritikojë kryeministrin Kurti

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që nuk ka arsyetim për kritikat e Limajt për Kurtin pasi i njëjti gjatë qeverisjes e ka vjedhur popullin për t’u pasuruar.

Realiteti shoqëror, ekonomik e politik na jep një mesazh shumë të mirë për ata që kanë qeverisur. Nuk ka asnjë mënyrë arsyetimi nga zoti Limaj e të tjerët që kanë qeverisur me vendin për të amnistuar të këqijat që ia kanë shkaktuar vendit. Prandaj, çdo kamuflim, manipulim e propagandë politike që bëjnë ata që kanë qeverisur është e kot, pasi populli ka gjykuar, gjykon dhe do ta gjykoj më së miri”, thekson ai.

Në fund, analisti nuk e sheh të pagabueshëm Kurtin, mirëpo potencon që këtë nuk mund ta vlerësojë soji i Limajt, por vet populli.

“Edhe zoti Kurti mund te gaboj, por nuk mund ta vlerësoj me këto cilësime soji Limajt. Mendoj se sovrani është ai, i cili do ta gjykojë qeverisjen Kurti pas përfundimit të mandatit. Gjykatësi më i mirë është populli, ai gjykon vazhdimisht dhe në fund për kohën që qeveriset do ta jep verdiktin e tij me anë të votës”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat