Paralajmërimi: Kush po i fryn zjarrit në Ballkan? / Ja çfarë mund të përjetojë rajoni

Politika

Paralajmërimi: Kush po i fryn zjarrit në Ballkan? / Ja çfarë mund të përjetojë rajoni

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 maj 2022 Në ora: 20:20
Foto ilustrim

Lufta në Ukrainë ka filluar të marrë përmasa më të frikshme. Rusia e cila dështoi ta pushtonte të gjithë Ukrainën, i është kthyer luftës në zona të caktuara, duke e përdorur të gjithë arsenalin e saj të rrezikshëm, raketa, avionë, artileri të rëndë dhe gjithçka thuaja që ka në dispozicion, përveç atij më të frikshmit, armatimit bërthamor.

Po bëhen tre muaj, dhe ushtria ruse përkundër agresivitetit të saj, përfshirë edhe kryerjen e krimeve të luftës, po vazhdon të pësojë humbje të mëdha në njerëz-ushtarë, gjeneral e kolonelë, por edhe në pajisje dhe teknikë ushtarake.

Ukraina duke marr mbështetje nga pothuajse të gjitha vendet botërore po arrin të mbrohet mjaft shumë.

E ballafaquar që nga fillimi me humbje të mëdha, mbase edhe e mashtruar nga iluzioni se mund ta pushtonte Ukrainën lehtësisht në tri ditët e para, ajo po insiston, që të nis konflikte të reja, si në Moldavi, ku ka bombarduar disa caqe, ndërsa po vlerësohet nga shumë autoritete perëndimore, se ajo mund të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor.

Putini po e ndez rajonin

Mirëpo, alarmet se një konflikt i tillë do të përhapet në gjithë botën tashmë dita ditës po rritet, përcjell “Bota sot”.

Së fundmi Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar për Bosnjë-Hercegovinën, Christian Schmidt, paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin mund ta destabilizojë Ballkanin: “Ai po e ndez rajonin”.

Për shembull, Putini po përpiqet të përfitojë nga fakti se NATO nuk ka një reputacion të mirë, veçanërisht në Serbi, tha ai.

“Sulmet ajrore të synuara e të kufizuara nga aleanca gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, veçanërisht në kryeqytetin Beograd, nuk janë harruar”, tha Schmidt.

Përveç kësaj, ai thekson se ekzistojnë marrëdhënie tradicionale mes serbëve dhe rusëve.

Ndër të tjera, Christian Schmidt bëri thirrje që të forcohet misioni stabilizues i BE-së “Eufor Althea” në Bosnjë-Hercegovinë.

Por nëse një destabilizim i tillë mund të ndodhë dhe ta cenojë paqen në Kosovë, për “Bota sot”, flasin ekspertë të sigurisë dhe analistë politik.

Shala: Kosova ka garanci nga OKB-ja dhe NATO-ja për të ruajtur sovranitetin nga çdo tendencë për ta dëmtuar atë

Image
Drizan Shala

Në lidhje me këtë temë eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë ka arritur të merr vëmendjen e gjithë botës dhe të rris frikën që mund të ketë destabilizim edhe nga Serbia.

“Rajoni pas konfliktit në mes Ukrainës dhe Rusisë mori vëmendjen e duhur nga bashkësia ndërkombëtare dhe frika që mund të eskalojë situata nga influenca ruse në Serbi ka bërë që faktori brenda BE-së ta ngrit alarmin për tensionim”, tha ai.

Eksperti tutje thotë që Kosova ka një përparësi që ka një mbështetje nga OKB-ja dhe NATO-ja për ta mbrojtur sovranitetin e saj prandaj është një garanci e mirë për vendin tonë.

“Kosova ka një fat të mirë sa i përket kësaj situate eventuale sepse ka një garanci nga OKB-ja dhe një prezencë ushtarake të KFOR-it me mandat ekzekutiv për të garantuar sovranitetin territorial të Kosovës”, u shpreh Shala për “Bota sot”.

Për sa kohë ushtria e Putinit dështon në Ukrainë, situata në Ballkanin Perëndimor do të mbetet e qetë

Image
Gani Qarri

 

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që agresioni rus në Ukrainë po vazhdon të sjellë frikë në gjithë Ballkanin se mund të ketë edhe prekje të kufijve të Malit të Zi e FYROM-it, deri në Shqipëri.

“Në fakt duke qenë e mirinformuar deri në detaje, mbi planet e agresionit rus për okupimin ushtarak të Ukrainës, që faktikisht zbatimi i tyre në terren filloi me 24 shkurt, Serbia qysh para një viti nisi ti lansoj projektet e saja "anonime" të shfaqura si "non-paper" për gllabërime të reja territoriale dhe ndryshimin e kufijve ndërmjet shteteve të dala nga ish federata jugosllave, në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë në Kosovë e Bosnjë Hercegovinë, pa përjashtuar këtu as prekjen e kufijve të Malit të Zi e FYROM-it, deri në Shqipëri”, thotë analisti.

Mirëpo, përderisa ushtria e Putinit, nuk tregohet e suksesshme në operacionet okupuese në Ukrainë, situata në Ballkanin Perëndimor do të vijojë të mbetet e qetë, shton Qarri.

“Mirëpo përderisa ushtria e Putinit, nuk tregohet e suksesshme në operacionet okupuese në Ukrainë, situata në Ballkanin Perëndimor do të vijojë të mbetet e qetë, e vetëm nëse rastësisht ndodh e kundërta dhe forcat okupatore ruse, përparojnë në frontet e luftës pushtuese në Ukrainë, atëherë do të lind nevoja që NATO dhe vendet perëndimore, të ndërhyjnë urgjentisht, sepse Serbia, përparimin rus në Ukrainë, do të përpiqet me çdo mënyrë që ta shfrytëzojë si rast të favorshëm edhe për realizimin e pretendimeve të saj territoriale, jo vetëm në Bosnje e Kosovë, por ndoshta edhe më gjerë, për krijimin e Serbisë së madhe, apo "botës serbe" siç e emërtuan idenë e rritjes së Serbisë, jashtë kufijve të saj shtetëror, ministrat ekstremist si Vulini & Co”, thekson ai.

Gjithashtu analisti potencon fatin e mirë që ka Kosova që tashmë ka NATO-n për ta mbikëqyrur situatën e saj dhe për këtë arsye nëse mund të ketë një konflikt Kosova do ta ketë të siguruar mbrojtjen.

Dhe me gjithë faktin që së fundi Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, shprehu hapur brengën e tij, se Putini po e ndez rajonin dhe Bosnja është në rrezik për rikthimin e konfliktit dhe shpërbërjen e saj, në çastet aktuale, përderisa Rusia po pëson humbje marramendëse dhe ushtria e saj, po dështon në arritjen e caqeve të parapara në Ukrainë, nuk e shohë të kërcënuar, jo vetëm rajonin, por as Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.

Për aq më tepër, kur bëhet fjalë për Kosovën, vendi ynë ka fatin e mirë, që nuk e kishte edhe Ukraina, ngase ndodhet nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të trupave të NATO-s, aleancës më të fuqishme botërore, e cila jo vetëm se më 1999 e çliroi Kosovën, por ndihmoi në vijimësi edhe shtetndërtimin bashkë me SHBA-të, të cilat e kanë rolin kryesor edhe në mbarëvajtjen aktuale të shtetit tonë”, foli Qarri për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat