LDK synon t’i rikthejë me trurin e diasporës edhe votat që ia mori Lista Guxo

Politika

LDK synon t’i rikthejë me trurin e diasporës edhe votat që ia mori Lista Guxo

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 11 maj 2022 Në ora: 08:01
Pamje nga tubimi i LDK-së në Zvicër

Ditë më parë, dega e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) në Zvicër shënoi 32 vjetorin e themelimit të saj.

Në këtë manifestim morën pjesë krerët e LDK-së, që shkuan nga Kosova enkas për të kremtuar këtë përvjetor.

Po ashtu, të pranishëm u panë një numër i madh i anëtarësisë së kësaj partie në diasporë.

Ky tubim u cilësua edhe si rikthim i LDK-së pas humbjes së zgjedhjeve dhe renditjes në vendin e tretë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Mjaft entuziast në këtë manifestim u paraqit edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai pas publikimit të fotografive nga ngjarja, tha se po rikonfirmohet qartë rikthimi i LDK-së në Diasporë.

Entuziazmi i jashtëzakonshëm i njerëzve tanë këtu, ishte rikonfirmim i qartë i rikthimit tonë në diasporë. Për mua, për bashkëpunëtorët e mi, pjesëmarrja këtu ishte nder i veçantë. Takimi me njerëzit punëtorë, të drejtë, atdhetarë, patriotë e kontributdhënës të të gjitha kohërave është detyrim politik i lidhjes sonë”, ka shkruar ndër tjera Abdixhiku, përcjellë “Bota sot”.

Ai premtoi angazhim edhe më të madh në mërgatë duke theksuar se ky është vetëm fillimi.

Lidhja jonë në mërgatë është lidhje e vlerave, e ideve, e kontributit kombëtar - është besëlidhje për një Kosovë që e duam të gjithë. Në mërgatë, angazhimi ynë do të jetë shumë më i madh sepse LDK do të udhëtojë me bashkatdhetarët tanë në çdo hap të vetin politik. Ky është veçse fillimi”, u shpreh ai.

Por, në gjithë këtë eufori e entuziazëm padyshim se duhet të shtrohet pyetja se a po ringjallet LDK-ja dhe a është diaspora burim i votave nga ku ajo mund të ringritet?

“LDK-ja sot ka për borxh të kthehet thellë në identitetin e saj”

Për këtë, gazeta “Bota sot” ka biseduar me Haki Latifin, ish-kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër dhe veprimtarin e LDK-së, Fatmir Bajraj.

Image
Haki Latifi

Ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Latifi, thotë për “Bota sot” se roli i mërgatës ka qenë dhe është jetik për zhvillimin dhe përparimin ekonomik të vendit.

Në këtë kuptim, sipas tij, LDK-ja duke punuar intensivisht në bashkërendimin e aktiviteteve në degët e saj në mërgatë, duhet të ketë synim kryesor, rritjen dhe hapjen e dyerve për kuadro të reja, gra e të rinj që janë shkolluar dhe po shkollohen jashtë vendit, të profesioneve të ndryshme në qendrat më të mëdha botërore.

Njëherazi, LDK-ja sot ka për borxh të kthehet thellë në identitetin e saj, duke pasur një kujdes të veçantë në artikulimin e programit të saj burimor dhe me ripërtëritje të brezave, apo të përgatitjes për ta marrë misionin brezat që vijnë. Por, asnjëherë të kapërcej jashtë asaj filozofie të trasuar nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova.

Duke pasur parasysh synimin e saj themelor që t’i mbetet besnik rolit që ka pasur dhe kujdesit ndaj atyre që kanë dhënë shumë për LDK-në, në mënyrë që të ndërtohet, forcohet dhe zhvillohet edhe më tutje”, theksoi Latifi.

Ndërsa, sa i përket ringjalljes së aktivitetit të degëve të LDK-së jashtë vendit, Latifi thotë se ky subjekt politik nuk duhet të shtyhet me askënd aq më tepër me partitë rivale.

Degët e LDK-së nuk duhet ta shohin veten si parti jashtë vendit, por si një Lidhje e fortë me qendrën, që ka për synim bashkimin e të gjithë demokratëve me orientim të djathtë me frymë perëndimore, të kontribuojnë në forcimin e LDK-së dhe Kosovës në veçanti. Duke mos anashkaluar bashkëpunimin dhe këmbimin e përvojave me partitë popullore simotra në shtetet ku jetojnë, e vepron LDK-ja.

Mendoj se, organet udhëheqëse të LDK-së dhe kryetari, zotni Lumir Abdixhiku gjatë takimit me veprimtarë të LDK-së në kuadër të shënimit të përvjetorit të 32 të Degës së LDK-së në Zvicër dha shenja pozitive duke i falënderuar çdo anëtar të LDK-së, me përkushtim dhe përkulje për ndihmën që kjo Degë dhe simotrat e saja jashtë vendit, i kanë dhënë Kosovës dhe institucioneve të saj në kohë të vështira para dhe gjatë luftës. Ishte një falënderim i sinqertë i kryetarit z. Abdixhiku dhe mjaft domethënës, në të cilën ngrohi zemrat e të gjithë veprimtarëve të LDK-së që kurrë s‘u ndalen së vepruari për të mirën e LDK-së dhe Kosovës”, potencoi Laifi.

LDK-ja nuk do të shikojë vetëm xhepin e mërgimtareve

Ai theksoi se gjatë fjalimit të tij, kryetari Abdixhiku dha premtimin se LDK-ja nuk do ta shikojë vetëm xhepin e mërgimtareve, për të ndihmuar, por do të angazhojë edhe inkurajojë edhe mendjen e tyre duke investuar në Kosovë.

Natyrisht krahas këtyre synimeve ishte edhe premtimi se do të ringjallë mësimin plotësues në gjuhën shqipe jashtë vendit ku jetojnë shqiptarët”, potencoi ai.

Por, Latifi nuk la pa përmendur edhe disa anëtarë nga Lista “Guxo” të cilët morën pjesë në këtë tubim.

Njëherit, duhet dinjitetshëm të kenë kujdes dhe t’i ruajnë lidhjet me ushtarët e parë të viteve të ’90-ta të LDK-së. Ashtu siç duhet të ketë kujdes ndaj disa „guximtarëve“ të z.Vjosa Osmanit që me eufori vrapojnë në tubimet e LDK-së për të bërë një foto me kryetarin e LDK-së z. Lumir Abdixhiku sa për t’u reklamuar në rrjete sociale, ndërsa kokrrat i hedhin në koshin e kojshisë”, përfundoi Latifi.

Testi demokratik

Kurse, Fatmir Bajraj, veprimtar i LDK-së në diasporë, rikujtoi se kjo parti ishte më e madhja në të gjitha trojet tona etnike, përfshi edhe Shqipërinë amë, e cila numëronte rreth 700 mijë anëtarë.

Image
Fatmir Bajraj

E tillë ishte edhe jashtë atdheut, në Europë, Amerikë, Australi, Kanda dhe deri n'Zelanden e Re, duke qenë po ashtu lëvizja politike ma masovike shqiptare në gjithë historinë kombit.

Kontributi i saj në dobi të çështjes së Kosovës, po ashtu është unik dhe i jashtëzakonshëm, duke e bërë të pakrahasueshme brenda kombit dhe atdheut në gjithë historinë tonë nacionale.

LDK-ja, edhe sot e gjithë ditën në mërgatë, ka shtratin dhe substancën e pa krahasueshme me të tjerat, për faktin se ishte e vetme atëherë kur organizimi i saj i ishte n’ funksion të projektit nacional për Kosovën e lirë e t‘pavarur”, potencoi ai.

Bajraj theksoi se LDK-ja në mërgatë, përjetoi fatin e LDK-së në Kosovën e çliruar, duke u fragmentarizuar pas shkuarjes në amshim të Presidentit historik Rugova.

“"Testit demokratik" histerik, dhe më pas kontaminimit të saj nga autorët e "Testit demokratik" me metoda diversive përmes "Kolonës së pestë" e cila përfundimisht e dëmtoi LDK-në me 14 shkurt 2021, duke u bërë edhe zyrtarisht pjesë e boshtit anti-LDK, pra pjesë e VV-së me listën "Guxo" !

Për Fatmir Bajrajn, janë dy arsye që e kthejnë fuqishëm LDK-në në skenën politike të vendit:

Dëshpërimi i votuesve të VV-së, dhe konkretisht i atyre të Listës "Guxo", pas mashtrimit të madh në emër të ndryshimit në njërën anë, dhe distancimi politik & divorci përfundimtar i LDK-së nga Lista "Guxo", në anën tjetër, duke ndihmuar vetën, votuesin dhe anëtarësinë e saj qëndrestare, e cila e mbështeti edhe në ditët e vështira të saj.

Pa lidhjen kauzale të këtyre dy premisave, rezultati i dëshiruar, mund të ngelet në tentativë”, është shprehur ai.

Rikthimi i votave

Bajraj, ka treguar se nga ku LDK-ja e ka në plan që t`i rikthejë votat.

Me lumin e madh të votuesve të dëshpëruar nga mashtrimi i quajtur Vjosa Osmani & Donika Gërvalla-Schëarz, kryesisht në mërgatë, LDK-ja në qendër, përmes Konventës Programore dhe projektit politik për mërgatën, me mekanizmat përkatës, përfshirë ekipin politik, të angazhuar specifikisht në Degët e LDK-së në Evropë, Amerikë dhe gjithandej, do t'ia dalë mbanë në konsolidimin dhe ringritjen e saj, fakt ky që do ta nxirrte LDK-në subjekt të parë politik jashtë atdheut dhe me vet këtë fakt, edhe në Republikën e Kosovës”, thekson Bajraj.

Ai ka theksuar se kësaj fryme të fitores dhe rikthimit, i parapriu qasja e re e lidershipt të LDK-së, dhe liderit Abdixhiku.

Me zotimin se në LDK nuk do të ketë vend për ata të cilët na dëmtojnë, shantazhojnë e luftojnë nga agu deri në mbrëmje në emër të rugovizmit, e në anën tjetër, i shërbejnë një lëvizjeje populiste dhe një lideri mosbesues ndaj shtetit të Kosovës, siç është provuar katërçipërisht z. Albin Kurti”, thotë ai.

Në anën tjetër, Bajraj thotë se LDK-ja në mërgatë mirëpret votuesit dhe “të mashtruarit”.

LDK-ja përmes ekipit politik për mërgatën, në përbërje: Anton Quni, Armend Zemaj, Sokol Haliti dhe Shkumbin Gashi, me gjasë edhe lideri i saj, z.Abdixhiku, do të vazhdojnë tutje me platformën: "Lidhja për të ardhmen", të kontaktojnë me mërgatën përmes infrastrukturës së saj të sofistikuar, degët e LDK-së jashtë atdheut, sikurse në Gjermani, Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar, Suedi, Norvegji dhe deri në Amerikë përtej Atlantikut”, theksoi ai.

Këndellja dhe rikthimi i LDK-së në mërgatë

Zvicra, sipas Bajrajt dha shembullin e parë, se si vullneti dhe respekti reciprok; Atdhe-Mërgatë, sjell frymën dhe klimën e besimit dhe shpresës, e cila kapitalizohet në të mirë të atdheut.

Kur çmohet dhe vlerësohet mërgata si pjesë vitale e kombit dhe pjesë qenësishme e shtetit të Kosovës, kontributi i së cilës është i pamatshëm dhe krucial, në themel të tij.

Këndellja dhe rikthimi i LDK-së në mërgatë, për çfarë s'ka asnjë dilemë se do të ndodhë dhe po ndodhë, ripushton hapësirën dhe terrenin e braktisur për arsyet e mësipërme, dhe krijon premisat bazike të fuqizimit të saj edhe në atdhe.

Suksesi i LDK-së, është njëkohësisht edhe suksesi i Kosovës pa mëdyshje!”, përfundoi ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat