Opozita, PDK-AAK himnizon takimet e liderëve të tyre, edhe kur janë bërë me lobime financiare

Politika

Opozita, PDK-AAK himnizon takimet e liderëve të tyre, edhe kur janë bërë me lobime financiare

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 13 maj 2022 Në ora: 17:40
Osmani e Kurti takojnë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, nuk ndodhen aktualisht në Kosovë. Kryeministri po e vazhdon vizitën në SHBA, ndërsa presidentja nga atje kaloi në Europë, dhe ishte në Lituani ku u prit nga presidenti, kryeministrja dhe kryetarja e Kuvendit.

Paraprakisht Osmani ishte edhe në disa shtete amerikano-latine, si Kostarikë, në Republikën Dominikane, në Panama dhe më pas në Konferencën e Mynihut në Uashington. Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ishte në Izrael ku nënshkroi marrëveshje bilaterale.

Por, as ky numër i jashtëzakonshëm takimesh, nuk po ia mbush syrin opozitës. Ata vazhdojnë të himnizojnë takimet e diplomacisë së Kosovës në të shkuarën, duke himnizuar takime nga Thaçi dhe të tjerë, që vështirë se janë bërë të gjithë, pandërhyrje miqsh, e madje edhe me lobime financiare.

E, kur numri i takimeve u bë mjaft i dkshë, opozita filloi një tjetër kritikë, po thonë se Kryeministri e Presidentja nuk po takohen me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan.

Opozita, saktësisht PDK-ja ishte ajo e cila publikoi disa fotografi të ish-presidentit Hashim Thaçi me presidentët e Amerikës.

Mulliqi: Takimet e burrështetasve maten me atë, sa çka ato i sjellin konkretisht shtetit

Image
Skënder Mulliqi

Analisti politik, Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se takimi i ish-zyrtarëve me ata të Amerikës apo edhe të Evropës, nuk e justifikon punën e tyre të keqe.

“Të merresh më atë së kush me kënd u takua në të kaluarën, me ish zyrtarë të lartë të shtetit të Amerikës, apo edhe të Evropës, nuk e justifikon punën e tyre të keqe ose të mirë për shtet dhe për qytetarë. Sa e sa pushtetarë të shteteve karrierën e tyre politike nuk e kanë përfunduar shumë lavdishëm”, shprehet ai.

Sipas tij, publikimi i fotove nga mbështetës të ish-presidentit Hashim Thaçi, të fotove të tij me zyrtarë të lartë amerikan, është humbje kohe, një lavd që vështirë se sot ju hyn në përdorim qytetarëve të Kosovës.

“Nxjerrja e fotove nga arkivat të ish presidentit, Hashim Thaçi, është humbje kohe, është lavd që nuk ju hynë sot asgjë në përdorim qytetarëve të Kosovës. Ata që kanë kohë me u marrë me gjëra të tilla, kanë qëllime të caktuara politike. Këto marifete nuk e bëjnë Thaçin më të madh dhe as më të vogël. Këto po bëhen më shumë për të zhvendosur vëmendjen nga problemet politike dhe problemet ekzistenciale, që i shkaktoi opozita për shumë vite, gjatë qeverisjes me Kosovën. Nuk dua që të them se në këtë valle jo të mirë, kanë qenë të inkuadruar të gjithë opozitarët, por që ka pasur mjaft syresh kjo është e saktë. Nuk do të thotë se takimet e tilla të zyrtarëve më të lartë të Kosovës, kanë ndodhur pa lobime me pagesë. Gjithkund sot në botë ndodhin lobimet, por shumë varet çfarë është natyra e këtyre lobimeve. Edhe nëse në atë kohë kanë pasur vlerë politike, ato takime i mbeten të së kaluarës, dhe është humbje kohe të merresh tash me to. Opozita do të ishte e udhës që mos të merret shumë me gjëra të tilla, kur dihet se sa ishin në pushtet nuk punuan mirë për shtetndërtim dhe mirëqenie të qytetarëve të Kosovës”, thotë ai.

Në fund, ai shton se pushteti dhe opozita duhet të orientohen në politikat e vendit, dhe të kërkojnë zgjidhje për problemet.

“Kulmuan keqpërdorimet e mëdha dhe të vogla, të cilat e varfëruan dhe e izoluan Kosovën nga bota demokratike. Pushtetet e kaluara kanë qenë shumë dorëlira aty ku ata kanë pasur leverdi, edhe me rastin e takimeve me personalitete të ndryshme të botës. Shpesh takimet e niveleve të larta kanë motiv kurtuazie, dhe aty përfundon gjithçka. Këto janë mashtrime optike politike, pa ndonjë peshë të madhe për atë vend që e përfaqëson. Kosova ka shumë halle dhe probleme të cilat kërkojnë zgjidhje, dhe ky është mirë të jetë fokusi i pushtetit dhe i opozitës. Duhet të shkëputemi nga praktikat e kaluara, të cilat nuk na sollën shumë të mira. Orientimi ynë i gjithmbarshëm duhet të jetë puna e madhe. Për të ardhmen e gjeneratave, të cilat po vijnë. T’u sigurohet atyre perspektiva për të jetuar në Kosovë, e jo të largohen nga Kosova. Vendit tonë nuk i duhen maskaradat politike pa asnjë dobi. Takimet e burrështetasve maten me atë, sa çka ato i sjellin konkretisht shtetit”, përfundon analisti për “Bota sot”.

Burjani: Lobimi bëhet me pagesë, jo rrallë ai është lloj promocioni

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, ka kritikuar Kryeministrin dhe Presidenten e Kosovës, për faktin se janë krerë të shtetit dhe nuk janë në Kosovë.

Ai ka thënë se lobimi është me pagesë, por jo rrallëherë ai është një lloj promocioni.

“Së pari dy zyrtarët më të lartë të shtetit është e dëmshme të qëndrojnë jashtë shtetit njëkohësisht, edhe Presidentja, e cila shëtit dhe merr pjesë në ceremoni që mund të mos shkohet fare, dhe kryeministri që ka shkuar jashtë shteti, pra shteti është boshatisur nga dy figurat e larta të shtetit. Lobimi bëhet me pagesë, jo rrallë ai është lloj promocioni, por lobimi mund të bëhet edhe falë, duhet analizuar dhe hetuar çfarëdo pagese për lobizim nëse veç ka ndodhë nga ndokush nga zyrtarët”, deklaron Burjani.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat