Lufta ndaj krimit të organizuar dhe reformat po shpërblehen?! / Deputetët flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Politika

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe reformat po shpërblehen?! / Deputetët flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 maj 2022 Në ora: 20:56
Këshilli i Evropës.

Një nga temat më të përfolura kohëve të fundit mbetet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi në KE padyshim që Kosovës do i hapte rrugën edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare gjithashtu do të përfitonte shumë si shtet.

E duke qenë se nevoja për t’u anëtarësuar ditëve të fundit është diskutuar edhe më furishëm gjatë ditës së djeshme ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Gërvalla këtë e ka bërë të ditur përmes një adresimi në Facebook.

“Sapo dolëm nga takimi me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të KE-së dhe në emër të Kosovës propozuam kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, asamblesë parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror”, tha Gërvalla.

Ajo u shpreh e bindur se aplikacioni i Kosovës do të pranohet, përcjell “Bota sot”.

Përveç kësaj duhet theksuar që kancelari gjerman më 4 maj priti në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku premtoi që do të këmbëngulë tek të gjitha shtetet e BE-së që të largohen vizat për qytetarët e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur.

“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet tani edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale e ka fiksuar këtë si objektiv në marrëveshjen e koalicionit dhe për këtë unë angazhohem me këmbëngulje në Bashkimin Evropian, në bisedat me partnerët angazhohem me këmbëngulje”, tha Scholz.

Kujtojmë që Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Bajrami: Gjermania ka qenë dhe vazhdon të mbetet aleate e Kosovës

Image
Deputeti nga radhët e LVV-së, Alban Bajrami.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV-së, Alban Bajrami.

Ai u shpreh se Kosova më shumë se kurrë është duke u përfaqësuar në mënyrën më të duhur të mundshme dhe një pritje e tillë duhet që sa më shpejt të shpërblehet pasi Qeveria është duke punuar mjaft shumë.

“Përfaqësimi politik i Kosovës asnjëherë nuk ka qene më i denjët dhe më meritor. Gjithashtu avancim më të madh në fushën e luftës kundër korrupsionit e në reformat që po fillojnë në drejtësi bëjnë që vende që në të kaluarën kanë qenë skeptike të fillojnë të ndryshojnë qasje në raport me procese, në të cilat Kosova për një kohë të gjatë është në pritje sikurse procesi i liberalizimit.

Neve nuk bëjmë deklarata pompoze e hapje të shampanjave se po liberalizohen vizat, ama Qeveria dhe legjislativi është duke punuar fuqishëm që të ndodhë një gjë e tillë sa më parë”, shprehet deputeti.

Më tej, Bajrami thotë që Gjermania ka qenë gjithmonë aleate e Kosovës duke theksuar që pavarësisht luftës në Ukrainë, një mbështetje e tillë nga Gjermania është një sinjal pozitiv.

“Gjermania ka qenë dhe vazhdon të mbetët aleat i Kosovës dhe se kjo është edhe një konfirmim i angazhimit të kancelarit të ri Sholz se pavarësisht vëmendjes në Ukrainë, Ballkani dhe Kosova mbetet prioritet për integrim të mëtutjeshëm për sa kohë ne arrijmë që punët e bëra mbrapsht për 20 vitet e fundit t’i rregullojnë në këtë kohë kaq të shkurtër sa jemi në Qeveri”, thotë ai.

Deputeti ndër të tjera shton se rizgjedhja e Macronit për një mandat tjetër është për të u përshëndetur pasi mund të kemi një vendimmarrje racionale.

“Gjithashtu vlen të përshëndetet rizgjedhja e Macron edhe një mandat pasi kjo jep mundësi për një vendimmarrje më racionale dhe e zhveshur nga kalkulimet elektorale që nganjëherë din të jenë shumë të dëmshme edhe në shoqëri të avancuara demokratike”, thekson deputeti nga LVV-ja.

Kërkesa e Bajramit për deputetët është një përkushtim i përgjegjshëm pasi sipas tij në këtë mënyrë mund të kemi përparim në arenën ndërkombëtare.

“Vlen gjithashtu të ceket se tashmë Kosova ka aplikuar në Këshillin e Evropës dhe se tashmë një punë e madhe na pret para, ku secili politikan e person me ndikim duhet të jap maksimumin që ky proces të përfundoj me sukses dhe se Kosova të arrijë anëtarësimin e shumë merituar në Këshillin e Evropës”, shpjegoi deputeti Bajrami për “Bota sot”.

Batusha: Ne duhet të vazhdojmë takimet dhe vizitat në kryeqytetet evropiane për të komunikuar, avokuar e lobuar për përshpejtim të procesit

Image
Deputeti Agon Batusha

Ndërsa, deputeti tjetër nga LVV-ja e njëherazi anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, Agon Batusha, thotë që stërzgjatja e procesit nga ana e BE-së, respektivisht nga shtetet anëtare për liberalizim të vizave për Kosovën, po e humb arsyen, e në anën tjetër mbështetja e shumicës së shteteve është siguruar për anëtarësim në KiE.

“Gjërat kanë filluar të lëvizin. Stërzgjatja e procesit nga ana e BE-së, respektivisht nga shtetet anëtare për liberalizim të vizave për Kosovën, po e humb arsyen, e në anën tjetër mbështetja e shumicës së shteteve e mbi gjitha kthimi i tyre në shtete lobuese është një hap i jashtëzakonshëm për ne. Gjithsesi, ne duhet të vazhdojmë takimet dhe vizitat në kryeqytetet evropiane për të komunikuar, avokuar e lobuar për përshpejtim të procesit”, thotë deputeti.

Ai shton tutje se mbështetja nga shtetet e tjera që po vjen për shkak të përparimit të Kosovës në fushën e luftës ndaj krimit të organizuar është një ndihmë e madhe për shtetin tonë.

“Ndihma më e madhe është ose janë raportet e shumta ndërkombëtare që po e vlerësojnë pozitivisht përparimin e Kosovës në të gjitha fushat, e në veçanti në luftën ndaj krimit të organizuar, reformat në drejtësi, thellimin e demokracisë, përmirësimin e lirisë së mediave, rritjen ekonomike dhe seriozitetin e qeverisë si partner i besueshëm në raport me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare”, foli Batusha për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat