Pse po rritet numri i vrasjeve në Kosovë/ A janë konflikte me kanun, apo manipulim!?

Politika

Pse po rritet numri i vrasjeve në Kosovë/ A janë konflikte me kanun, apo manipulim!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 maj 2022 Në ora: 15:17
Foto ilustrim

Numri i vrasjeve në Kosovës duket se ka filluar të rritet ndjeshëm. Motivet në mungesë të hetimeve të shpejta, dhe ta publikuara mbesin të panjohura.

Së fundi, raportimet për vrasjet janë të shumta, qytetarët duket se zgjidhjen e vetme të problemeve të tyre e shohin në dhunë dhe vrasje.

Kësisoj, me rritjen e numrit të vrasjeve, po krijohet një ambient i pasigurt për qytetarët e Kosovës, e kjo pasiguri rritet edhe më shumë kur dorasit nuk dënohen apo edhe rastet e tilla marrin vite të tëra deri në një vendim përfundimtar.

Pak ditë më parë, me 10 maj një përplasje për motive të panjohura çoi nnë vrasjen e një mërgimtari në Kaçanik, që sapo kishte ardhur në Kosovë.
I vrarë kishte mbetur 30 vjeçari Hasan Berisha nga fshati Dubravë, komuna e Kaçanikut, ndërsa i plagosur vëllai I tij, 32 vjeçar.

Një vrasje tjetër edhe më makabre pat ndodhur në një restorant në resortin turistik te Ujëvara e Mirushes.

Aty u vra me 28 prill 23-vjeçari Fazli Hoxha dhe u plagosën dy vëllezërit e tij, njëri prej të cilëve sipas raportimeve është lënduar me lopatë. Dy të mbijetuarit pas ndihmës mjekësore, pa lejen e mjekëve kishin ikur nga aty. Sipas raportimeve dyshohet se motivi për vrasjen e 23-vjeçarit ishte hakmarrja për një incident që familjet kishin pasur më herët në Itali.

Me 15 prill në fshatin Zllakuqan të Klinës pas një përleshje është vrarë 51 vjeçari Mark Ademi, nga dorasi Anton Ndrecaj, i cili është prangosur.

Numri i rasteve të tilla nuk mbyllet këtu, por për shkaqet e tyre flasin ekspertët e fushave përkatëse.

Numri i vrasjeve dhe konflikteve të tilla, duket se po shënon rritje.

Rrjedhimisht, mos trajtimi adekuat i këtyre rasteve, po ndikon negativisht në besimin qytetarëve të vendit në institucionet e drejtësisë.

E një nga arsyet që edhe nxiten personat e caktuar për ta realizuar një vrasje, është fakti se nuk besojnë se sistemi i drejtësisë në vend mund t’i zgjidh problemet dhe konfliktet e tyre.

Prokshi: Mungesa e komunikimit dhe bashkëpunimit me institucione ka ulur besimin në efikasitetin e institucioneve

Image
Sociologia, Dhurata Prokshi.

 

E në lidhje me këtë temë, për gazetën “Bota sot” foli sociologia, Dhurata Prokshi.

Sipas Prokshit rritja e numrit të vrasjeve është sinjal se shoqëria jonë, konfliktet nuk ka gatishmëri t’i zgjidh me komunikim apo rrugë ligjore, por me dhunë dhe vrasje.

“Rastet e shumta të vrasjeve në Kosovë të raportuara kohët e fundit tregojnë që kemi ngritje të trendit të vrasjeve, dhe viktimave që pësojnë nga këto konflikte dhe dhuna si e tillë. Arsyet apo më mirë të themi shkaktari për një formë të tillë të zgjidhjes së konflikteve në këndvështrimin social mund të interpretohen, se kemi një shoqëri e cila fatin e zgjidhjes së çfarëdo konflikti nuk ka gatishmëri, durim që t’i zgjidhë me komunikim, bisedë. Si dhe nëse konflikti është i përmasave më të mëdha nuk kemi praktikë që shqetësimet t’i adresojmë duke ndjekur rrugët institucionale, duke njoftuar policinë, ushtruar kallëzim penal dhe të gjitha hapat tjerë që duhet ndjekur”, deklaroi sociologia.

Krahas kësaj, Prokshi beson se kjo tregon se besimi i qytetarëve në organet e drejtësisë është shumë i ulët, prandaj vendosin që konfliktet apo problemet t’i zgjidhin vetë.

“Një mungesë e komunikimit dhe bashkëpunimit me institucione mund t’i përshkruhet faktit që besimi në efikasitetin e institucioneve është i ulët dhe problemet apo konfliktet e çfarëdo natyre që ndodhin krijohet përshtypja nga qasja që zbatohet që janë personale dhe në mënyrën më të duhur zgjidhen kur e marrim vetë situatën në duar”, theksoi ajo.

Më tej, sociologia potencoi se vrasjet e shumta, tregojnë se ekziston ende mendësia zakonore dhe ‘gjyqi i Kanunit’.

“Mendësia e tillë e veprimit gjen mbështetjen në të drejtën zakonore më tepër, përkundër faktit që motivet e vrasjeve nuk mund të përgjithësohen, forma të tilla të zgjedhjes së problemeve dhe atë me pasoja drakonike siç është vrasja-shuarja e jetës nuk kanë qenë të shpeshta dhe janë dashur motive të pranuara “në gjyqin e popullit” që të ndodhin edhe në kohën e zbatimit të Kanunit”, nënvizoi Dhurata Prokshi për “Bota sot”.

Gjevukaj-Tolaj: Mentaliteti, kushtet ekonomike, momenti i nervozes janë disa nga arsyet që shtyjnë deri te vrasjet

Image
Psikologja klinike, msc. Kosovare Gjevukaj-Tolaj

Ndërsa, psikologja klinike, msc. Kosovare Gjevukaj-Tolaj thotë se është fatkeqësi që numri i vrasjeve po rritet vazhdimisht.

Ajo në prononcimin e saj për “Bota sot” thotë se personave që kryejnë vrasje iu është thyer durimi dhe zgjidhjen e vetme të problemeve të tyre e shohin te vrasjet dhe kërcënimet.

“Fatkeqësisht dhuna në mes shqiptarëve dhe vrasjet, çdo ditë e më shumë po rriten.

Mburoja e durimit të këtyre personave është thyer dhe mendojnë se duke kërcënuar, vrarë janë zgjidhjet e të gjitha problemeve të tyre”, shpjegoi psikologja.

Po ashtu, Gjevukaj-Tolaj përmendi disa shkaqe, të cilat shtyjnë personat deri te vrasjet, e ndër to janë: mentaliteti, kushtet ekonomike, momentet e nervozes dhe humbja e logjikës.

“Ne e kemi në të kaluarën tonë se zgjidhjet duhet të bëhen me dru. Kjo fatkeqësisht po reflektohet edhe sot dhe po pasqyron edhe me fatalitete si është edhe vetë vdekja.

Deri në atë pikë nuk mund të jetë vetëm mentaliteti, mund të jenë kushtet ekonomike që shtojnë konfliktet, mund të jetë edhe vetë çasti apo momenti i një nervoze të kapitulluar, ku mendja turbullohet dhe logjika nuk ka arsyetim, përfundimi pastaj është tragjik”, theksoi ajo.

Në fund, psikologia shpreson që shoqëria duhet të vetëdijesohet sa më shpejtë dhe ta kuptojë se problemet nuk zgjidhen me dhunë, vrasje, kërcënime.

Ajo kërkoi nga të gjithë të gjendet gjuha komunikuese ndaj problemit dhe të lihen anash inatet.

“Mendoj se njerëzit në përgjithësi duhet të mësohen të kenë komunikim, pa britma, pa ngritje zëri e aq më pak me dhunë. Të lënë anash “unë jam burri” apo “unë jam gruaja”, por të jenë së bashku pa dallim, ta dinë se nuk janë ata kundër njëri-tjetrit në një problem, por së bashku kundër problemit. Shpresoj shumë që arsyeja dhe vetëdija të vijë sa më shpejt tek ata, të cilët u është mësuar agresiviteti, dhuna, vrasja, gabim që nga fëmijëria dhe ka lulëzuar e është përhapur pa pikë kuptimi e vjen e shtohet çdo ditë e më shumë”, përmbylli Kosovare Gjevukaj-Tolaj për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat