Edi Rama po bën agresion të hapur kundër Kosovës / Rama ia kaloi edhe Enverit me Titon

Politika

Edi Rama po bën agresion të hapur kundër Kosovës / Rama ia kaloi edhe Enverit me Titon

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 maj 2022 Në ora: 09:42
Edi Rama

Kosova ka vendosur që të aplikojë në Këshill të Evropës, pasi ka siguruar paraprakisht mbështetjen e shumicës së duhur për t’u anëtarësuar aty.

Ky vendim i marrur nga Qeveria e Kosovës, është mirëpritur nga partitë politike në Kosovë të opozitës, por më e rëndësishmja edhe nga SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe etj. Për këtë vendim është alarmuar Serbia, e cila është aleate e Rusisë, dhe është kundër këtij vendimi, duke e kërcënuar Kosovën edhe me luftë madje.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se në këtë rast e mbështesim Kosovën, por ai e ka pasur të pamundur për shkak të miqësisë me Serbinë, të mos shprehë keqardhje për këtë shtet gjenocidal.

“Por, kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do ta mbështesim Kosovën!”, ka deklaruar ai.

Bytyçi: Kjo që bën Edi Rama drejtohet kundër shqiptarëve e sidomos kundër Kosovës

Image
Profesori Enver Bytyçi

Profesori Enver Bytyçi në përgjigje për “Bota sot” thotë se si Partia e Punës, tash afërsisht po shfaqet edhe Partia Socialiste me Serbinë, derisa Serbia është aleate e ngushtë e Rusisë, dhe nuk qëndron në të njëjtën anë me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët.

“Keqardhja e Edi Ramës ndaj Serbisë në rastin e kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Europës është linjë e politikës së tij nëntëvjeçare, por edhe më parë. Është i njohur fakti që Partia e Punës dhe Partia Socialiste kanë shfaqur historikisht afërsi me Serbinë dhe me serbët. Por, një ngjizje e tillë si në këtë periudhë të qeverisjes së Edi Ramës nuk ka ndodhur kurrë, as në periudhën e bashkim-vëllazërimit të viteve 1944-1948, kur Enver Hoxha deshi ta bënte Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Jo. As atëherë nuk është ndjerë ky lloj afeksioni shpirtëror midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit e Serbisë. Dhe në fund të fundit asokohe kishte një alibi, se gjoja të dy vendet ishin fituese në luftën kundër pushtuesve e në një anë me perandorinë sovjetike. Sot nuk ka e nuk mund të ketë asnjë alibi përkrahja që kryeministri i Shqipërisë i bën Serbisë. Sepse Serbia nuk qëndron në të njëjtën anë me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët. Ajo është aleate e një agresori dhe shkelësi flagrant të së drejtës ndërkombëtare në Ukrainë, pra në anën e Rusisë”, thotë ai.

Sipas tij, kjo çfarë po bën Edi Rama është kundër shqiptarëve dhe kundër Kosovës, me këtë ‘keqardhje’, në fakt është kundërshti e kësaj iniciative.

Ai hedh akuza mbi kryeministrin Rama se, me deklarimet e tij, veprimtarinë, fjalitë shpjegon faktin se ai punon për Beogradin.

“Serbia nuk ka zgjidhur konfliktin me Kosovën. Dhe në këtë rast nuk mund të krijohet asnjë lloj alibie për një aleancë midis Shqipërisë dhe Serbisë. Kjo që bën Edi Rama drejtohet kundër shqiptarëve e sidomos kundër Kosovës. Keqardhja e tij pse Kosova po bën përpjekje për t'u pranuar në Këshillin e Europës është në fakt kundërshti e kësaj iniciative. Në vend që ai t'u thotë liderëve të Kosovës se çfarë mund të bëjë për ta për ta përmbyllur me sukses këtë aksion politik e kombëtar, shpreh keqardhje se po mërzitet miku i tij, Aleksandër Vuçiqi. Kaq hapur e kaq në flagrancë nuk ka ndodhur kurrë të shpalosen marrëdhëniet e Tiranës me Beogradin kundër Kosovës. Kurrë nuk ka pasur një bashkëpunim të tillë kaq të ngushtë dhe një agresion si ky nga ana e Shqipërisë kundër Kosovës. Edi Rama është zhgënjimi më i madh i shekullit! Është etaloni i tradhtisë kombëtare! Është heroi i popullit serb dhe armik i shpallur i shqiptarëve, sidomos të Kosovës!

Ajo që unë vlerësoj te kryeministri i sotëm fatkeq i Shqipërisë, ka të bëjë me faktin se ai nuk i fsheh qëndrimet e as qëllimet e veta. Është stoik në prapësinë e vet. Deri te përkrahja pa kushte e parezerva ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit. Nuk ka aksion politik e nacional të Serbisë që ai nuk e ka mbështetur në rajonin tonë. Gjithçka, çdo veprimtari, çdo fjali dhe deklaratë e Edi Ramës na shpjegon faktin se ai punon për Beogradin. Madje edhe deklarata e nëntorit 2014 në Beograd, me kërkesën që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës, rezultoi se kishte prapavijë maskimin e veprimtarisë së mëvonshme anti-kombëtare të kryeministrit shqiptar”, deklaron profesori.

Ai shpjegon edhe miqësinë siç e quan ai të, Rama-Vuçiq-Dodik, duke thënë se këta të tre duan kufij të rinj në Ballkan me synimin krijimin e Serbisë së Madhe.

"Ndërkaq miqësinë me Serbinë dhe serbët e shpalosi edhe në Bruksel, kur i bëri shoqëri të ngushtë jo vetëm presidentit Vuçiq, por edhe anëtarit të presidencës boshnjake, mikut të ngushtë të Vladimir Putin, liderit të serbëve boshnjakë, Milorad Dodik. Dodik është person non-grata për veprimtari destabilizuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por, kjo nuk do të thotë asgjë për Edi Ramën. Simbolika e miqësisë Rama-Vuçiq-Dodik është e thjeshtë: Këta të tre duan kufij të rinj në Ballkan me synimin krijimin e Serbisë së Madhe. Në këtë veprimtari destabilizuese dhe luftë-nxitëse dy autoritetet serbe të lartpërmendura janë të motivuar nga programet antishqiptare të Serbisë. Por është ende e paqartë se nga se është i motivuar kryeministri i vendit tim, Edi Rama!

Sidoqoftë, shfaqja hapur e qëndrimit të tij pro-serb është një ndihmesë e madhe për opinionin publik, për të kuptuar se Shqipëria dhe ekzekutivi i saj drejtohet nga element anti-shqiptar e pro-serb. Duke kuptuar këtë fakt, shqiptarët mund të arsyetojnë edhe shkakun pse vendi është në prag të humnerës. Pse ky vend është i vjedhur përveçse i tradhtuar? Pse Shqipëria është degraduar në atë pikë sa ta mallkojnë shqiptarët! Pse kjo po ndodhë për herë të parë në historinë e saj!? Të gjitha këto dilema shpjegohen me faktin se kryeministri i Shqipërisë nuk punon për vendin e tij, por për armiqtë e vendit të tij! Kaq e thjeshtë është!”, përfundon Bytyçi.

Mehazi: Detajet politike tregojnë se Shqipëria e Edi Ramës është nën ndikimet serbe të Vuçiqit.

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Edhe profesori Sulejman Mehazi thotë se veprimet politike tregojnë se rrugëtimi shtetëror i Shqipërisë është i robëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Detajet politike të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, tregojnë se rrugëtimi shtetëror i Shqipërisë s'është i mëvetësishëm e i pavarur, por i robëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi. Varësinë politike shtetërore të Edi Ramës ndaj Vuçiqit mund ta krahasojmë me varësinë e një gruaje ndaj burrit të vet, e cila për shkak të veprimeve të gabuara i shpreh bashkëshortit të vetë keqardhje. Në këtë rast bashkëshortja politike, Edi Rama i shpreh keqardhje bashkëshortit serb, Aleksandër Vuçiqit, për shkak mbështetjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, nënvizon ai.

Ai ka numëruar disa nga veprimet e Ramës, të cilat janë pro-serbe, duke filluar nga Ballkani i hapur e deri te ftesa e këngëtarit serb Goran Bregoviq në Korçë për të provokuar qytetarët e Kosovës me këngën “Kallashnikovë”.

Rrugëtimet politike të udhëheqësve shtetëror më së miri mund të kuptohen me anë të detajeve e jo ndryshe. E detajet vepruese të qeverisë së Edi Ramës e parlamentit të Shqipërisë janë pro-serbe e kundër Kosovës e shqiptarëve të diasporës, janë argumentet detajuese proserbe të Edi Ramës:

- "Ballkani i hapur" proserb i Ramës;

- Miqësia e qëllimshme politike e Ramës me Vuçiqin kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit;

- Vota e deputetëve të Shqipërisë kundër njohjes së gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës e ka kuptimin e mosnjohjes së gjenocideve serbe në Kosovë;

- Ftesa e këngëtarit serb Goran Bregoviq në Korçë për të provokuar qytetarët e Kosovës me këngën "Kallashnikovë";

-Takimi i Edi Ramës me udhëheqësin nacionalist serb të Bosnjë-Hercegovinës, Dodikun, të cilit Uashingtoni dhe Londra i kanë vendosur sanksione për ndarjen e serbëve nga Bosnja e Hercegovina dhe për shkak të bashkëpunimit të hapur me Rusinë.

Të gjitha këto detaje politike tregojnë se Shqipëria e Edi Ramës është nën ndikimet serbe të Vuçiqit”, përfundon profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat