Këto kushte duhet t`ia vendos Kosova Serbisë për t`i vazhduar bisedimet

Politika

Këto kushte duhet t`ia vendos Kosova Serbisë për t`i vazhduar bisedimet

Nga: A.SH Më: 17 maj 2022 Në ora: 22:44
Pamje nga takimi i mëparshëm Kurti-Vuçiq me praninë e kreut të diplomacisë europiane, Josep Borrell dhe të ngarkuarit të BE për dialogun, Miroslav Lajçak. Qershor 2021

Agresioni rus në Ukrainë ka bërë që të ndryshohet bota, dhe fokusi të jetë në Evropë.

BE-ja dhe SHBA-ja, kanë vënë sanksione ndaj Rusisë, e që i kanë përkrahur shumica e shteteve demokratike, por Serbia është ajo e cila nuk i ka vënë as sanksione dhe as nuk i ka mbështetur ato.

Kosova së fundi i ka vendosur sanksione Rusisë.

Analisti politik, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se edhe pse Serbia ka humbur luftën më 1999, ajo ende shpreson, madje edhe kërcënon vendin tonë me luftë.

“Serbia edhe pse e humbi luftën në vitin 1999, nuk po i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës. Se çfarë kërkon Serbia e Vuçiqit më këto kërcënime, është histori e gjatë serbe, e cila i ka zgjeruar për disa hërë territoret e saj në kurriz të shqiptarëve. Shovenizmi serbomadh nuk ka përfunduar me epokën e Millosheviqit. Këtë kurs politik po e vazhdon edhe pasardhësi i tij, Aleksandër Vuçiqi. Pse Serbia nuk i ndali kërcënimet që edhe më luftë të pushtojë veriun e Kosovës dhe më gjerë, i kanë paraprirë shumë procese të mbrashta politike të palës shqiptare në maratonën e bisedimeve për normalizim të marrdhënieve të ndërsjella siç u quajtën”.

Sipas tij, gabim ishte procesi i decentralizimit, pastaj edhe asociacioni i komunave serbe, veprime këto të cilat pala serbe i shfrytëzojë mirë për pretendime territoriale.

“Unë nuk mund të kaloj e që mos të përmendi se procesi i decantralizimit të pushtetit lokal ishte gabim, e që edhe i parapriu Gjashtë Pikave të Ban Ki Munit, dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më kompetenca ekzekutive. Të gjitha këto lëshime i shfrytëzojë mirë pala serbe, për të mos i ndalur pretendimet territoriale, që edhe me luftë të shkëputë veriun e Mitrovicës nga Jugu. I përmenda më këtë rast të gjitha këto, se edhe struktura e BE-së nuk ishte e pa faj në gjithë këtë mesele te keqe politike për Kosovën. Kur nuk ju vu asnjë kusht Serbisë për fillimin e dialogut, as nga drejtuesit tanë të shtetit dhe as nga Evropa, që po rezulton se ishte gabim i madh”, ka thënë ai.

Mulliqi thotë se Serbia është ajo e cila po luan me dy karta edhe me BE-në edhe me Rusinë.

E së fundi, edhe Franca është duke e mbajtur Serbinë, e që ka ardhur koha që ky faktorizim të përfundojë.

“Serbia po luan lojën politike me dy karta, edhe me BE-në edhe me Rusinë si aleatin e saj natyror. Serbia nuk e pranojë pavarësinë e Kosovës, nuk bëri kërkim falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve, dhe natyrisht se doli deri në kohën e pushtetit të ri, shumë favorizuese dhe faktorizuese në bisedime më Kosovën. Duket se më së shumti Franca është duke e përmbajtur edhe tash Serbinë, edhe përkundër se ajo nuk po distancohet nga lufta e Rusisë në Ukrainë, dhe as nuk po zotohet se do t’i vë sankasione asaj. Ka ardhur koha që ky faktorizim i një shteti që shkaktojë gjenocid të përfundon me vazhdimin e këtyre bisedimeve”, deklaron ai.

Në fund, ai shton se kryeministri Kurti nuk duhet të vazhdojë bisedimet pa kushte me Serbinë edhe nëse ka presione nga BE.

“Takimi i Kurtit më kancelarin Sholc në Berlin, ka dhënë shpresa për një qasje të re më pozitive të bisedimeve për Kosovën. Nuk ishte dashur të vazhdohen bisedimet pa kushte si praktika më e keqe dhe me e dëmshme deri më tash. Të kërkohet nga Serbia që të hiqet nga preambula kushtetuese Kosova si pjesë përbërës e saj. Nuk ka asnjë logjikë të vazhdohen bisedimet edhe nëse vijnë presionet nga BE. Kjo strukturë evropiane pas invazionit rus në Ukrainë e ka të qartë nëse dëshiron, se Rusia dhe Serbia janë dy shtete që po kërkojnë toka të huaja, që janë vu haptazi kundër demokracisë liberale. Pa Amerikën më duket mua nuk do të ketë ndonjë marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Qeveria jonë duhet të bashkëpunon ngushtë me administratën e Joe Biden. Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës që po e kundërshton dhe po kërcënon Serbia, dhe pranimi në NATO janë detyrat më emergjente për Kosovën”, përfundon analisti për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat