Kryeministri Kurti me vizitat në SHBA a i dha “goditje” opozitës – ja si e komentojnë analistët!

Politika

Kryeministri Kurti me vizitat në SHBA a i dha “goditje” opozitës – ja si e komentojnë analistët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 maj 2022 Në ora: 08:01
Pamje nga vizita e kryeministrit Kurti në SHBA

Kryeministri Kurti ka disa javë që ka qëndruar në SHBA për të takuar zyrtarë të lartë amerikanë.

Ai nisi vizitën e tij më 6 maj, ndërsa ishte në qendër të kritikave për shkak të mungesë së takimeve me përfaqësues të lartë të shtetit amerikan.

Takimet e tij kanë qenë kryesisht me kompani të teknologjisë së informacionit për t’ju dhënë garanci për investime në Kosovë.

Ndërsa, nuk kanë munguar as takimet me mërgatën, të cilat ishin disa nga momentet më të mira që kryeministri Kurti ndau me ta.

Mirëpo, e pakënaqur ende mbetet opozita e cila assesi të pajtohet me takimet e organizuara nga kryeministri Kurti, duke dhënë kritika të pabaza ani pse më herët kritikonte që nuk po ka takime në Amerikë.

Në këto takime, sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka treguar për potencialin e Kosovës në IT, infrastrukturën dhe burimet njerëzore, duke synuar që të bind këto kompani të investojnë në Kosovë.

Kujtojmë që vizita e Kurtit në Shtetet e Bashkuara llogaritet të jetë ndër më të gjatat e një lideri shtetëror të Kosovës në një vend tjetër.

Njohësit e çështjeve politike për “Bota sot” u shprehen që këto vizita të Kurtit po arrijnë të sjellin sinjale pozitive për Kosovën sidomos për imazhin e diplomacisë së Kosovës në botë, kjo sepse ka 20 vite që Kosova nuk është përfaqësuar kaq dinjitetshëm në arenën ndërkombëtare.

Kuçi: Diplomacia mbahet nga shumë nivele dhe jo vetëm nga kryeministri, e madje rolin pothuajse më të rëndësishëm e ka Ministria e Punëve të Jashtme

Në lidhje me këtë temë ka folur për “Bota sot”, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi, u shpreh se vizitat e kryeministrit janë shumë të rëndësishme dhe uron të jetë frytdhënëse.

Image
Gurakuq Kuçi

Ai specifikon takimin me këshilltarin kryesor të Biden dhe nënshkrimi i marrëveshjes me MCC.

Vizitat e kryeministrit të Kosovës në SHBA janë të rëndësishme dhe shpresoj të jenë frytdhënëse në të ardhmen, mirëpo nuk mund të vlerësohen nga aspekti diplomatik, pasi vizita të tilla nëpër biznese kryesisht bëhen nga atashe ekonomik, ndonjë legatë ekonomike e drejtuar nga Kosova me grupe biznesmenësh dhe të rinjsh. Sigurisht është shumë i rëndësishëm takimi me këshilltarin kryesor të Biden dhe nënshkrimi i marrëveshjes me MCC. Diplomacia mbahet nga shumë nivele dhe jo vetëm nga kryeministri e madje rolin pothuajse më të rëndësishëm e ka personi, i cili ekskluzivisht merret vetëm me politikë të jashtme, e që është Ministria e Punëve të Jashtme”, u shpreh ai.

Ndërsa, sipas Kuçit dallimi mes diplomacisë së tashme me atë të kaluarën tashmë nuk ka synime për ndryshime territoriale siç ka pasur më herët, mirëpo thekson që duhet punuar edhe më shumë.

Dallimi i “diplomacisë” së tashme me atë të kaluarën është se tani askush nuk ka synime të ndryshimeve territoriale apo ndarjen e Kosovës, por që të tjerat mbetën prapë në nivelin shumë joefektiv. Mirëpo, ky ndryshim nuk e përbën gjithë diplomacinë, sepse diplomacia ka një kuptim global dhe jo vetëm raporti ynë me Serbinë. Gjërat e tjera pra mbesin prapë në nivelin zero. Madje Kosova po tregohet tërësisht e paaftë të shfrytëzoj momentumin e tanishëm ndërkombëtar”, tha Kuçi për “Bota sot”.

Mehazi: Kryeministri Kurti me vizitat në SHBA po dëshmon që është në shërbim të qytetarëve

Ndërsa profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kryeministri Kurti po arrin të përfaqësoj Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme duke vënë në pah vizitat e mërgimtarëve.

Image
Sulejman Mehazi

Udhëheqësit politikë të mëparshëm të Kosovës ishin inferior ndaj diplomatëve botëror të cilët me servilosjet e tyre nënçmonin Kosovën, me kryeministrin e tanishëm të Kosovës, Albin Kurtin, ndodh e kundërta, ai, çdo lëvizje politike e diplomatike e bën dinjitetshëm si i ka hije një burrështetasi. Vlen të përmendet shkuarja disa javëshe e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në SHBA, i cili ka menaxhuar me shumë kujdes e gradualisht së pari me qytetarët shqiptaro-amerikan, pastaj me Shoqatat e atjeshme shqiptare në krye me Shoqatën Panshqiptare "Vatrën" e Fan Nolit dhe Faik Konicës, me diskutimet e mrekullueshme politike para studentëve nëpër universitetet e ndryshme amerikane, me Guvernatorë e sekretarët shtetëror të SHBA-ve”, thekson ai.

Profesori thotë që me këto lëvizje politike e diplomatike të kryeministrit Kurtit në SHBA Republikës së Kosovës ia ka shtuar e dhënë atë autoritetin e një shteti serioz.

Kryeministri i Kosovës pa ekuivoke e qartë në SHBA shpreh principet politike të shtetit e qytetarëve të Kosovës, shpreh luftë të pakompromisshme ndaj korrupsionit e zhvatjes. Shpreh tërësinë territoriale të Kosovës e jo shkëmbime territoresh me Serbinë, shpreh gjenocidet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës, shpreh kundërshtitë e tij politike e gjeostrategjike ndaj Ballkanit të hapur serbe-ruse, me këto lëvizje politike e diplomatike të kryeministrit Kurtit në SHBA Republikës së Kosovës ia ka shtuar e dhënë atë autoritetin e një shteti serioz duke u munduar që Kosovën ta bënte konkurruese të denjë me shtetet e Ballkanit Perëndimor”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat