U rizgjodh pas nëntë vitesh/ Profesori tregon skenarin që pritet nga rikthimi i Berishës – paralajmëron Ramën

Politika

U rizgjodh pas nëntë vitesh/ Profesori tregon skenarin që pritet nga rikthimi i Berishës – paralajmëron Ramën

Nga: M.H. Më: 24 maj 2022 Në ora: 10:45
Sali Berisha

Situatë e tensionuar politike po vazhdon të mbetet në Shqipëri, kjo për shkak të ngjarjeve që dita ditës po bëhen dramatike.

Së fundmi një nga ngjarjet që mori vëmendjen e opinionit publik është rizgjedhja e ish-kryeministrit Sali Berisha në krye të PD-së, pas nëntë vitesh.

Në garë për këtë post ishin ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryetari i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi.

Pas një procesi votimi prej 12 orësh, anëtarët e PD-së kanë votuar në 108 qendra votimi në të gjithë vendin, ku fitues u shpall ish-lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha, me afër 94% të votave. Në zgjedhje morën pjesë 43.680 anëtarë të Partisë Demokratike, prej tyre 40.840 kanë votuar për Sali Berishën, dhe vetëm 2532 veta kanë votuar për Ibsen Elezin.

Menjëherë pas rizgjedhjes pas nëntë vitesh së Berishës në krye të PD-së, ai u deklarua për media.

Berisha duke falënderuar të gjithë për përkrahjen e dhënë ka theksuar se Shqipëria ndodhet në një regjim që nuk e meriton dhe se shpejt do të shpëtojnë prej tij.

Me këtë deklaratë, Berisha paralajmëroi fundin e kryeministrit Rama, duke u shprehur që misioni i tij është ta shpëtojë Shqipërinë.

Në lidhje me këtë temë në një bisedë me “Bota sot”, flet profesori universitar Enver Bytyçi.

Ai e sheh të vështirë rikthimin e plotë të Berishës pasi ka arrogancë të vazhdueshme nga grupimi Basha-Alibeaj.

Gjithashtu profesori thekson që rikthimi i Berishës do të thotë se Basha nuk ka arritur të bëjë opozitën e duhur.

Image
Enver Bytyçi

Pas nëntë vitesh Sali Berisha u rikthye në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë e të opozitës shqiptare. Gjithçka ndodhi për shkak se ish-kryetari, zoti Basha, nuk bëri opozitë, duke bashkëpunuar në shumë raste në forma të ndryshme me pushtetin e Edi Ramës. Lidhjet midis Bashës dhe Ramës u forcuan pas 17 majit të vitit 2017, kur ata të dy bënë takimin jo transparent të mesnatës së asaj date.

Procesi i rikthimit të Sali Berishës ishte dhe mbetet ende i vështirë. Sepse këtë proces e komplikoi dhe vazhdon ta komplikojë arroganca e pakicës së grupit Basha-Alibeaj me veprime aspak konstruktive për vetë Partinë Demokratike dhe opozitën. Berisha u rikthye me mbi 41 mijë vota të demokratëve, të numëruara para kamerave televizive. Basha para një viti garoi për kryetar të PD-së dhe megjithëse kishte mbështetjen e Berishës, mori vetëm 33 mijë vota të demokratëve, të numëruara në kulisa dhe pa komisionarë të kandidatëve alternative”, u shpreh ai.

Basha dhe Rama me planë për të shkatërruar PD

Në bashkëbisedim Bytyçi bën një përmbledhje të aktiviteteve që u bënë nga grupi i Bashës, duke vënë në theks bashkëpunimin që ky i fundit bëri me kryeministrin Rama për të shkatërruar PD-në.

Megjithatë grupi i Bashës vazhdon kontestimin. Tashmë demokratët shqiptarë janë të bindur se gjithçka ka ndodhur dhe po ndodh ka qëllim përçarjen dhe dobësimin e opozitës. Ky është interes i Partisë Socialiste të Edi Ramës. Këtë qëllim kishin blindimi i selisë së Partisë Demokratike, akuzat që as socialistët nuk kishin guxuar t'i bënin kundër Sali Berishës. Madje Basha dhe mjeshtërit e tij botuan për herë të parë foto që synonin diskreditimin e Doktorit, foto që as Gramoz Ruçi nuk i kishte publikuar në 30 vitet e post-diktaturës.

Ngjarjet e tetë janarit synuan shkatërrimin e plotë të PD-së. Ato ngjarje, me gaz lotsjellës dhe me sulme me xhama e mjete të forta kundër demokratëve, ishin turpi i opozitës. Demokratët gjithçka e kuptuan si përpjekje të ish-kryetarit të tyre për ta denigruar dhe shkatërruar në themel Partinë Demokratike dhe opozitën. Për pasojë panë se ish-kreu i tyre po bashkëpunonte ngushtë me kreun e mazhorancës, autokratin, Edi Rama”, thotë Bytyçi.

Sipas profesorit këto komplote të Bashës me Ramën arritën të rikthejnë liderin historik duke potencuar që procesi i rikthimit ishte transparent dhe demokratik.

“Për këtë arsye ata vendosën të rikthejnë liderin historik, pavarësisht shpalljes së tij non-grata nga Departamenti i Shtetit. Ky rikthim erdhi përmes një procesi transparent dhe demokratik. U legjitimua në disa etapa. Së pari me Kuvendin e PD-së të 11 dhjetorit 2021 dhe referendumin e 18 dhjetorit 2021 për shkarkimin e Lulzim Bashës. Por, Basha nuk i njohu këto vendime. Demokratët e dhanë verdiktin e tyre me 6 mars në pesë bashki për zgjedhjen e kryetarëve të bashkisë. Votuan për Sali Berishën. Ishte një rezultat shkatërrues për reputacionin e Lulzim Bashës. Ky dha dorëheqjen nga kryetari i Partisë, por la "gozhdën e Nastradinit", emëroi Alibeajn si pasardhës. D.m.th Basha vendosi t'i vazhdojë përpjekjet për të mos e njohur mazhorancën pro Berishës, me qëllim ndarjen dhe përçarjen e partisë. Në vend që ta linte të lirë këtë parti në zgjedhjen e saj”, flet tutje profesori.

Skepticizmi i Bytyçit për të rrëzuar lehtë mafien dhe krimin

Nga ana tjetër në bisedë e sipër profesori shprehet skeptik për deklaratën e Berishës për rrëzimin e Ramës, pasi sipas tij nuk është e lehtë të rrëzosh një qeverisje mafioze dhe kriminele.

Do të ishte mrekulli që PD dhe opozita të kishin prodhuar politikanë të formatit të tij, shton tutje ai.

Berisha përdori përsëri mjete demokratike për ta legjitimuar lidershipin e tij. Bëri organizimin e partisë me parimin një anëtar, një votë. Zhvilloi Kuvendin Kombëtar për ndryshimet statutore. Dhe më 22 maj zhvilloi zgjedhjet për kryetarin e partisë, zgjedhje të cilat i fitoi me rreth 94 për qind të votave. Ky demonstrim i demokracisë brenda partisë bëri që në të gjitha çështjet vendimet t'i marrë anëtarësia. Kjo rriti besimin e liderit historik dhe në antitezë me praktikën e mëparshme të Lulzim Bashës ai mundi të fitojë bindshëm e të krijojë frymë te demokratët.

Me zgjedhjen e tij, Berisha premtoi rrëzimin e regjimit të Edi Ramës. Askush nuk mund të vejë bast për këtë, sepse ky regjim përfaqëson një qeverisje mafioze, kriminale. Nuk është aq e lehtë ta rrëzosh mafien dhe krimin që posedon miliarda! Megjithatë ka një lloj aritmetike. Pyetja është kush mund ta rrëzojë këtë regjim autoritar e arrogant përveç Sali Berishës? Do të ishte mrekulli që PD dhe opozita të kishin prodhuar politikanë të formatit të tij”, nënvizon Bytyçi.

Profesori për fund thotë që Berisha është i aftë ta rrëzoj Ramën mirëpo thjesht duhet sa më shpejt të ofrojë programin dhe projektin e tij për një Shqipëri tjetër.

Por kjo nuk ka ndodhur deri më sot. Atëherë mbetet të besohet se Sali Berisha është i vetmi politikan që mund ta rrëzojë diktaturën kriminale në pushtet në Shqipëri. Kjo sepse ai nuk është i kapur, nuk është peng. Ka përvojë dhe intuitë politikë të jashtëzakonshme. Pavarësisht moshës, dëshmoi se ruan energji të jashtëzakonshme. Demokratët i besojnë. Ne do të shohim se cila do të jetë oferta e tij për të marrë edhe besimin e qytetarëve shqiptarë, sepse për fitoren e rrëzimin e Ramës, nuk mjaftojnë demokratët. Duhet të krijohet fryma e besimit te qytetarët. Mendoj se Berisha është i aftë ta realizojë këtë. Ai mbetet ende politikani më i besueshëm edhe për qytetarët shqiptarë. Thjesht duhet sa më shpejt të ofrojë programin dhe projektin e tij për një Shqipëri tjetër, të ndryshme nga ajo që ndërtoi Edi Rama”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat