Aksionet në veri të rrezikshme/ Eksperti i sigurisë kërkon të bëhet kujdes nga këta persona, dyshon se...

Politika

Aksionet në veri të rrezikshme/ Eksperti i sigurisë kërkon të bëhet kujdes nga këta persona, dyshon se...

Nga: A.M Më: 24 maj 2022 Në ora: 23:01
Pamje nga aksioni në veri

Gjatë ditës së djeshme, në veri të Kosovës, Policia ka zbuluar një laborator për kultivimin e marihuanës me mbi 10.000 fije bimë të gatshme, për  t’u shitur në treg ilegalisht.  

Mirëpo, jo çdo gjë shkoi siç duhet, pasi gjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por fatmirësisht nuk kishte të lënduar. 

Këtë lajm, më pas e konfirmoi edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, sipas të cilit aksioni i policisë është ndërmarrë në afërsi të kufirit me Serbinë, përkatësisht në vendin e quajtur Izvor. 

Ministri potencoi se pavarësisht se zyrtarët e policisë dhe doganave u gjuajtën me armë zjarri, aksioni vazhdoi me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material.  

“Ky është rezultat i vendosmërisë së madhe duke bërë kështu që çdo ditë e më shumë vendi ynë të çlirohet nga krimi. Ju lumtë Policia dhe Dogana e Kosovës!”, shkroi Sveçla në Facebook. 

Në lidhje me këtë temën, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala. 

Fillimisht, ai bëri të ditur se aksionet të cila po zhvillohen kohët e fundit në veri të vendit, janë pjesë e planit operativ për identifikimin e grupeve kriminale.   

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala. 

“Aksionet në veri të vendit janë në vazhdën e punëve që janë duke kryer Policia e Kosovës nëpërmjet pjesës operative mbi 1 vite në identifikimin e grupeve kriminale të kontrabandës dhe veprimeve kriminale”, deklaroi eksperti i sigurisë.                                                                                                                               

Shala e vlerësoi lartë aksionin e zhvilluar gjatë ditës së djeshme, duke thënë se kjo është një punë e jashtëzakonshme, ku po tregon se strategjia e re e Kosovës nuk toleron më grupet kriminale.   

“Ky aksion që ishte një punë e e jashtëzakonshme nga ana e institucioneve të sigurisë po e dëshmon faktin që kemi tani më një strategji e cila është duke jetësuar në Kosovë dhe e cila është zero tolerante për këto grupe. 

Në aksionin anti- kontrabandë policia ka hasur në një laborator ku ishte duke u kultivuar substanca narkotike dhe që ende nuk dihet se a ka pasur për treg vendor kjo substancë e sasi, apo ka pasur për destinancion Serbinë. Kjo duhet të analizohet pas marrjes se masave tjera hetimore”, theksoi ai. 

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë vlerësoi se shkalla e rrezikshmërisë gjatë aksioneve në veri është tejet e lartë.   

Prandaj, ai kërkoi të bëhet kujdes nga individët dhe grupet kriminale që kërcënojnë dhe bëjnë rezistencë.   

“Në çdo aksion në veri të vendit, shkalla e rrezikshmërisë është tejet e lartë dhe duhet të pritet që do ketë gjithmonë rezistencë nga këto grupe kriminale, herë të mbështetur nga Serbia e herë të mbështetura nga individ dhe grupe kriminale me pedigre rajonale”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat