“Kurthi” i kurdisur nga Vuçiqi/ Zbulohen prapaskenat e “Ballkanit të Hapur” në Ohër - ja si hyri në ‘lojë’ Abazoviqi!

Politika

“Kurthi” i kurdisur nga Vuçiqi/ Zbulohen prapaskenat e “Ballkanit të Hapur” në Ohër - ja si hyri në ‘lojë’ Abazoviqi!

Nga: A.M Më: 28 maj 2022 Në ora: 17:06
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me Kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazovic më 25 maj, në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit në Zvicër

Kohët e fundit, projekti i “Ballkanit të Hapur” është një nga temat më të diskutuara në rajon, ku presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama janë përfaqësuesit më të zëshëm të kësaj iniciative.

Siç dihet tash e një kohë, Qeveria e Kosova e ka konfimuar që nuk do t’i bashkohet në asnjë mënyrë këtij projekti, pasi që ky po cilësohet si projekt serbo-rus.

Megjithatë, këto ditë ajo që mori vëmendjen ishte që kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq ka konfirmuar më 26 maj se do të marrë pjesë në takimin e radhës së iniciativës “Open Balkan”, i cili në qershor do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.

Sipas tij, Vuçiqi me “Ballkanin e Hapur” po krijon rrëmujë në rajon, ku beson se brenda këtij projekti është një plan i kurdisur ndaj Kosovës.

Image
Opinionisti Dedë Preqi.

“Iniciativa e kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me «Ballkanin e hapur», po krijon më shumë një rrëmujë ndër rajonale se ndonjë përspektivë të vlerave, që e tërheqin njeriun në rrjedhën e vet dhe në një mënyrë pa iu cënuar e drejta e tij njerëzore.

Apo ta themi më qartë dhe hapur, se kjo iniciativë edhe pse në kuptimin figurativ dhe ekonomik i ka parimet e veta pozitive, brenda përbrenda saj, fshihet një bërthamë e kurdisur dhe e përgaditur enkas për ta futur Kosovën, nën kthetrat e Serbisë”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Preqi tha se kryeministri Kurti i di cilat janë vlerat e vërteta dhe se ky është vetëm një iluzion mashtrues i Vuçiqit.

Pasi që, presidenti serb njihet si njeri që është kundër lirisë dhe barazisë njerëzore.

“Kosova dhe kryeministri Kurti, janë të vetëdijshëm për vlera që në të vërtetë janë të qarta, por që, a mund të bëhen të dukshme në një atmosferë të tillë, sepse iniciativa e Vuçiqit, nuk është kurgjë më shumë se një iluzion mashtrues, gjë që për të tjerët do të duket normale, por vëshguesi i kujdesshëm duhet ta vërejë dhe ta studiojë më thellë dhe më mirë rolin e këtij iniciatori.

Ky këndvështrim do shprehet në forma të ndryshme por edhe në një mënyrë të veçantë, që të përfaqësohet në mënyrë të drejtë me të drejtat e njeriut, atëherë si mundet një projekt i Vuçiqit, të merr miratimin dhe pajtimin e vendeve të rajonit, që të zhvillohet dhe liberalizohet ekonomia e tregut të mallrave, kurse në anën tjetër, vetë ky njeri është kundër lirisë dhe barazisë njerëzore”, theksoi opinionisti.

Në vazhdim, ai u shpreh se nuk është i befasuar që Abazoviqi konfirmoi pjesëmarrjen në takimin me Ramën e Vuçiqin, por tha se me këtë gjë do të bie në kundërshtim me presidentin Gjukanoviq.

“Kush i beson iniciativës së Vuçiqit, me «Ballkanin e hapur» dhe me iniciativat tjera, të cilat i planifikon dhe i mjeshtëron kundër shtetit dhe popullit të Kosovës, dhe po të ishte Vuçiqi, një iniciator prej atyre njerëzve në kuptimin e qëllimeve të mira dhe njerëzore, nuk do t’i kërcënohej fqinjëve të vet për çdo ditë, sikur po i kërcënohet Kosovës, së cilës i ka borxh që nuk mund ta shpaguajnë me shekuj.

Konfirmimi i kryetarit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në takimin e radhës për «Ballkanin e hapur» që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë veriore, në qershor të këtij viti, nuk është e çuditshme edhe pjesëmarrja e tij në këtë takim me Vuçiqin, Edi Ramën dhe kryeministrin e Maqedonisë veriore, edhe pse Dritani, do bie në kundërshtim dhe mos pajtimin me kryetarin Gjukanoviq”,
vlerësoi Preqi.

Më tej, opinionisti potencoi se Abazoviq për pjesëmarrjen në “Ballkanin e Hapur” është ndikuar nga politikat që e sollën atë në krye të Malit të Zi.

Megjithatë, ai ia bëri të ditur përkrahësve të këtij projekti se nuk do iu funksionojë plani i tyre pa dy shtetet tjera, Kosovën dhe Bosnjën.

“Mirëpo, pjesëmarrja e kryeministrit të Malit të Zi, zotëri Abazoviq, e ka edhe domethënjën tjetër, sepse kryeministri në fjalë është i ndikuar nga politika e cila edhe e ka sjellë në rolin e kryeministrit të këtij vendi, por si do që të jetë nuk besohet se pa miratimin e Parlamentit dhe kryetarit Gjukanoviq, mundet të bëhet Mali i Zi, anëtarë i kësaj iniciative, duke ditur se deri më tani kjo iniciativë është kundërshtuar nga paraardhësit e kryeministrit në fjalë.

Po supozojmë se edhe Mali i Zi, do t’i bashkohet kësaj iniciative të Vuçiqit dhe bashkë «argatit» të tij Edi Rama, me Maqedoninë veriore, edhe pse këto katër shtete sikur do bëheshin të një mostrumi të tillë, nuk do funksionojë kjo iniciativë pa u kompletu edhe me dy shtetet tjera të Ballkanit, si Bosnja dhe Kosova”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, Preqi e vlerësoi lartë që udhëheqësit e Kosovës nuk po e mbështetin këtë projekt, pasi në të kundërtën ata do të bëheshin tradhtar si Edi Rama.

“Në një mënyrë, Kosova dhe qeveria e saj në kuptimin e epërm të fjalës, nuk ka aspak dëshirë që të jetë e veçantë në strukturën e vet dhe origjinale në reformat dhe zhvillimin e shtetit të vet, dhe stilin e jetës, as të krijojë një mjedis, i cili do të vinte përsëri për shtati dhe në shërbim të okupatorëve, por ky vend dhe ky popull i pranon format e jetës ashtu siq i parashtron nga planifikimi racional dhe standartit të njerëzor, si një përmbushje e drejtë e normave dhe lirive njerëzore pa dallim.

Duhet ta shtojmë edhe këtë, nëse shteti i Kosovës, dhe qeveria e këtij shteti, do të pësonte apo të pasonte edhe me një tradhëtar kryeministër shqiptar, në këtë rast kryeministri i Malit të zi D.Abazoviq, të bëhet sikur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si një «argat» i përbetuar i Vuçiqit, atëherë vaj halli për një komb, siç janë shqiptarët, të cilët po tradhëtohen dhe robërohen nga vetëvetja”, potencoi opinionisti.

Krejt në fund, ai ta se edhe sikur Kosova të pranonte t’i bashkohej kësaj iniciative, Vuçiq nuk do ulej në një tavolinë ku janë simbolet e shtetit të Kosovës.

Preqi beson se as ky projekt nuk ka mundësi të sigurojë zgjidhjen e problemeve të rajonit, pasi Serbia nuk është një shtet i paqes dhe stabilitetit.

“Por, edhe sikur po e supozojmë dhe para frazojmë se Kosova, do të ishte pjesë e kësaj iniciative, kush do ta merrete me mend se, Aleksandër Vuçiq, si një pasardhës i kryekriminelit Millosheviqit, do të ulej në një tavolinë, apo përballë simboleve të shtetit demokratik të Republikës së Kosovës.

Edhe këtu ka një dilemë dhe kontraditë e cila do të bie ndesh me personalitetin dhe tiparin jo vetëm të këtij iniciatori por me pjesën e madhe të këtij populli serb, për faktin se ky popull gjatë gjithë historisë së vet nuk ka kurëfarë tradite të paqës, që në këto rrethana do të përbënte një mundësi historike dhe kurrsesi po e dëshmon në të sotmen që të sigurojë zgjidhjen e problemeve në mes këtyre dy palëve, apo serbëve dhe shqiptarëve, pak a shumë të kthejë njëherë këtë pjesë të rajonit në paqe, në qetësi shpirtërore poashtu dhe fizike”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat