“Deçani, pika e dobët”/ Loja e dyfishtë e Vuçiqit dhe ndihma e Ramës- ja pse Kurti e Osmani s`do ta kenë të lehtë përballjen me kancelarin Scholz

Politika

“Deçani, pika e dobët”/ Loja e dyfishtë e Vuçiqit dhe ndihma e Ramës- ja pse Kurti e Osmani s`do ta kenë të lehtë përballjen me kancelarin Scholz

Nga: M.L. Më: 30 maj 2022 Në ora: 19:07
Kancelari gjerman, Olaf Shcholz

Kancelari gjerman, Olaf Shcholz pritet që në fillim të qershorit do të vizitoj Kosovën dhe Serbinë.

Nga zyra e kancelarit Scholz kanë ripërsëritur një deklaratë të liderit evropian se para mbledhjes së radhës të Këshillit të BE-së do të qëndrojë për vizitë në Ballkanin Perëndimor.

Kurse, burime të të Deutsche Ëelle-s, kanë deklaruar se më 10 qershor do të arrijë për vizitë zyrtare në Serbi dhe Kosovë kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz

Kjo vizitë vjen në një moment kur Kosova dhe Serbia ende nuk e kanë përmbyllur dialogun me njëra tjetrën që zhvillohen nën ndërmjetësimin e Brukselit, shkruan "Bota sot".

Kosova vazhdon të jetë vendi më i izoluar në rajonin e Ballkanit për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave, derisa Serbia sapo ka lidhur marrëveshje me Rusinë për vazhdimin e furnizimit me gaz.

Këtë vizitë e ka komentuar për gazetën “Bota sot” njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Prof. Dr. Enver Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Scholz do të vijë në Serbi e në Kosove me një ndjenje pasigurie”

Ai çështjen e ka ndërlidhur me telefonatën 80 minutëshe të kancerlarit Olaf Sholz dhe presidentit francës Emanuel Macron me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Javën që sapo filloj kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka njoftuar se do të vizitojë kryeqytetin e Serbisë dhe atë të Kosovës. Ndërkaq ditën e fundit të javës që lamë pas pati dy zhvillime të tjera. Vet kancelari se bashku me presidentin francez folën 80 minuta në telefon me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Por para kësaj telefonate një bisedë e tillë u zhvillua midis presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe presidentit rus Putin.

Në bisedën e dy bosëve të Evropës me diktatorin rus, së paku nga deklarata përfundimtare, del se Putin u është imponuar atyre. Më sakte nuk ka pranuar asgjë nga kërkesat e evropianeve.”, ka thënë Bytyçi.

Kësisoj, ai thekson se i është krijuar përshtypja se Scholz do të vijë në Serbi e në Kosove me një ndjenje pasigurie dhe pesimizmi për arritjen e një stabiliteti të qëndrueshëm edhe në Ballkan.

“Së paku ai do të përpiqet të ruaje statuskuone, pra të neutralizojë përpjekjet e Beogradit në shërbim të Moskës për de stabilizimin e rajonit.

Por, Aleksander Vuçiq sot përfitoi shumë nga biseda me Vladimir Putin. Ai siguroi furnizimin me gaz nga Rusia të vendit të tij, madje me çmime të favorshme. E nga ana tjetër i dha garanci presidentit rus se Serbia do të thellojë marrëdhëniet e saj strategjike tradicionale me Rusinë. Me këto dy arritje e veprime, Vuçiq e ka të garantuar mbështetjen e elektoratit serb. Ky është në fund të fundit qëllimi i tij. Autokratët nuk kanë asnjë objektiv tjetër veç pushtetit. Dhe Vuçiq e garanton pushtetin me marrëdhënie strategjike, ekonomike e ushtarake me Rusinë. Në këto kushte vizita e kancelarit gjerman do të jetë pa ndonjë rezultat të dukshëm”, ka potencuar profesori.

Kështu, sipas Bytyçit, nëse kancelari arrin të qetësojë situatën e ta mbajë atë nën kontroll, do të ishte arritje shumë e madhe.

“Sepse presidenti i Serbisë e di se këtë jave Scolz do të jetë në Beograd. Megjithatë e sfidoi atë me garancinë që i dha Putin-it, sipas deklaratës ruse, për thellimin e marrëdhënieve strategjike, d.m.th të aleancës strategjike Serbi-Rusi. Kjo është injorim i kërkesave të Evropës”, ka shtuar profesori.

Loja e dyfishtë e Vuçiqit

Për më tepër, ai thotë se presidenti i Serbisë do të vazhdojë lojën e dyfshitë BE-Rusi.

“Megjithatë unë pres që Aleksander Vuçiq të vazhdoj lojën e dyfishte: - Europianëve t’u thotë se është me Perëndimin dhe pro-integrimit në BE. Ndërsa në fakt lidhjet t’i mbajë me Moskën dhe diktatorin rus. „Oooo! Jemi të detyruar zoti kancelar të mbajmë këtë lloj marrëdhënieje me Rusinë. Ndryshe populli im nuk do të më kuptonte! Por ju siguroj se ne do të kujdesemi për stabilitetin e rajonit! Duam të integrohemi në BE“! Kjo është formula që ka përgatit presidenti serb për kancelarin gjerman. Dhe do ta kalojë paq këtë situatë. Scholz do t’i besojë buzëqeshjes së Vuciq. Dhe kaq merr fund loja”, shprehet ai.

“Deçani do të jetë pika e dobët”

Sipas profesorit, me lidhjet e përforcuara me Rusinë, Beogradi zyrtar luan edhe në fushën e Kosovës, sepse eviton ndonjë presion të pazakontë për njohjen e saj.

“Përkundrazi, në veshët e Scholz do të tingëllojnë ankesat e presidenti serb kundër kryeministrit të Kosovës. Deçani do të jetë pika e dobët, me të cilën ai do ta thyejë kancelarin gjerman. Sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës prej vitit 2016 ka marrë një vendim si ai i Milosheviçit gjatë kolonizimit të tij të Kosovës. Kësaj i thonë ta vrasësh veten me gishtin e madh të dorës. Ndërkaq Edi Rama për t’i ardhur në ndihmë mikut e vëllait të tij në Beograd, shpejtoi të dërgojë në Manastirin e Deçanit pelegrinë dhe priftërinj nga Berati e Vlora, me qëllim që të dëshmojë solidaritetin e Shqipërisë me kërkesën për ta shtrirë sundimin e kësaj kishe në 24 hektarë tokë. Dhe po e përmend këtë për të theksuar se zoti Kurti dhe zonja Osmani nuk do ta kenë të lehtë të përballen me kancelarin gjerman në Prishtinë. Do të ketë më shumë kërkesa konkrete për Kosovën, sesa për Beogradin sa i përket Kosovës”, ka theksuar ai.

Bytyçi e sheh vizitën e zotit Scholz si një rast të mirë për të sqaruar këto situata.

“Kurti dhe Osmani duhet të përgatiten mirë me argumente. Të flasin pa emocion. Të dëshmojnë se gjithçka që kërkohet ka për qëllim që Kosova të vazhdojë edhe më tej të jetë viktimë e Serbisë. Madje duhet të flasin hapur me zotin Scholz edhe për pasojat destabilizuese të Open Ballkan dhe të bashkëpunimit të ngushtë Rama-Vuciq. Nëse nuk do të sjellin argumente se aleanca midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit zyrtar sjell destabilizimin e rajonit, zor se do ia dalin në të tjerat”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat