Ofensiva e LDK-së në diasporë, kjo është thirrja për Lumir Abdixhikun

Politika

Ofensiva e LDK-së në diasporë, kjo është thirrja për Lumir Abdixhikun

Nga: P.R Më: 31 maj 2022 Në ora: 22:41
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka filluar një ‘ofensivë’ në diasporë, me synimin që t’i rikthejë votuesit e LDK-së në mërgatë, pasi në zgjedhjet e fundit, shumicën e votave nga diaspora i mori Lëvizja Vetëvendosje.

Abdixhiku ka qëndruar në Zvicër dhe Bruksel, ku është pritur nga një numër i madh i simpatizantëve të LDK-së.

E këtë po e sheh si pozitive ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

“Takimet në mërgatë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, siç ishin në Zvicër dhe në Belgjikë në kuadër të shënimit të 32 vjetorit e veprimit të këtyre degëve të LDK-së i shohë si pozitive. Janë 32 vite të kontributit të jashtëzakonshëm të veprimtarëve e veprimtareve të këtyre degëve që i dhanë Kosovës mbështetje fundamentale në të gjitha etapat historike. Mos të harrojmë se, dikur LDK kishte degët e saja të fuqishme në gjithë Evropën, SHBA, dhe në Australi të cilat kanë luajtur rol të fuqishëm në bërjen e shtetit të Kosovës, ndërsa shumica prej tyre janë shuar falë mosinteresimit të qendrës dhe humbjes së kontakteve me këto degë”, thotë Latifi.

Image
Haki Latifi

Sipas tij, LDK po i rikthehet diasporës, pasi ka shumë vite që i ka injoruar votuesit e saj në diasporë.

“Njëherit, siç po shihet LDK ka filluar të kthehet tek degët jashtë vendit tani pas shumë viteve të injorimit të tyre, sepse mbështetja e madhe që mori Vetëvendosje për LDK-në ishte goditje e madhe elektorale. Dihet se në të kaluarën jo të largët Degët e LDK-së jashtë vendit, kanë mbajtur gjallë gjithë institucionet e shtetit paralel në Kosovë, që ka mbajtur me frymë shkollat, diplomacinë, qeverinë në emigracion, sot ka mbetur në një gjendje jo të mirë organizative. Fatkeqësisht injorimi ndër vite i këtyre degëve nga qendra ka ndikuar që të bjerë edhe interesimi për një organizim cilësor në këto Degë”, shprehet Latifi për “Bota sot”.

“Ky injorim vjen edhe si rezultat i mekanizmit shtetëror ku, përmes Ministrisë së Diasporës janë vënë nën kontroll përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës duke i vendosur njerëzit e tyre sidomos partitë; PDK, AAK dhe VV si dhe pothuajse të gjitha shoqatat, me organizime të ndryshme te nivelit amator, ku në krye të tyre ka vënë njerëzit e vet, të cilët janë me një nivel folklorik duke i injoruar kuadrat që kishte dhe posedon LDK-ë jashtë vendit”, shton ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

Por sipas Latifi, Abdixhiku nuk e njeh mirë strukturën organizative të LDK-së jashtë vendit.

“Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, kam përshtypjen se nuk e njeh mirë strukturën organizative të LDK-së jashtë vendit, kulturën dhe as traditën organizative të saj, meqë nuk ka kaluar shkallët e organizimit të këtyre degëve jashtë vendit. Ndaj duhet patur kujdes sepse nuk mjafton vetëm pjesëmarrja e tij në tubimet festive për të organizuar degët. Mendoj se dalja në teren nënkupton edhe fillimi me reformat që duhet ndërmarrë në riorganizimin e degëve, dobësitë organizative dhe mënjanimi i ndasive grupore e klanore që ekzistojnë në degët jashtë vendit”, thekson Latifi.

Ai thotë se në të gjitha degët e LDK-së në diasporë duhet të organizohen kuvendet zgjedhore.

“Në veçanti takimet duhet të kenë si qëllim parësor organizimin e kuvendeve të punës me degët e LDK-së jashtë vendit, duke i evidentuar dobësitë organizative, linçimet e nëndegëve, me fjalë të tjera, të kenë për qëllim forcimin e degëve të LDK -së jashtë kufijve, të cilat janë një domosdoshmëri për LDK-në në këtë fazë të zhvillimeve politike”, nënvizon Latifi.

Përveç diasporës, Latifi thotë së e njëjta duhet të ndodhë edhe në Kosovë.

“Paralel me degët jashtë vendit lidershipi i LDK-së duhet të merret edhe me degët e LDK-së në Kosovë, sidomos me degët që dikur ishin bastion e të LDK-së siç janë: Prizreni, Mitrovica, Gjakova, Ferizaj, Gjilani, Podujeva, Theranda, Rahoveci, Deçani, Klina,Vushtria, Malisheva, Kaçaniku, Kamenica etj., të cilat ka vite që kanë marrë teposhtëzën dhe nuk po mund të këndellën. Rikthimi i këtyre degëve, lidhet ngushtë edhe me rikthimin dhe fuqizimin e degëve të LDK-së jashtë vendit. Sepse janë lidhjet familjare dhe farefisnore që vazhdojnë të kenë ndikim tek mërgimtarët dhe anasjelltas”, shpjegon Latifi.

Latifi deklaron se LDK duhet të jetë forca kryesore opozitare në Kosovë, e jo të qëndrojë e heshtur.

“Kujtoj se, marrja rreth vetës të personave të dëgjueshëm, servil, pa kredibilitet moral, kombëtar e profesional, është duke i dëmtuar degët. Aktualisht, përgjegjësi më të madhe morale e kombëtare, duhet të ketë LDK-ja si forca kryesore opozitare e cila disi si e heshtur përgatitet për të ardhur në pushtet, por se ajo së pari duhet të zbres nga gjuha akademike në gjuhën politike apo thënë më drejt, në gjuhen popullore, sepse populli, nuk e donë më gjuhën akademike për t`i thënë gjërat troç në politikë”.

“Sigurisht, LDK së bashku me partitë tjera parlamentare do të ishte mirë që të rregullojnë ligjin që ua lehtëson bashkatdhetarëve votimin në Kosovë, po ashtu vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe duhet të emërohet një zëvendësministre për diasporën. Pra, ka shumë gjëra që mund të bëhen. Siç po shihet tani nuk ka interesim për këto tema, dhe vërehet një lloj ikje nga realiteti. Dhe partitë po mundohen të ‘thithin’ sa më shumë vota nga diaspora. LDK duhet ta kuptoj përgjegjësinë qe e ka dhe nuk duhet ta neglizhojë e as të harroj, se është në garë politike, posaçërisht tash, kur populli është ngopur me pallavra demagogjike të qeveritarëve aktual, të cilat pa fije kripe për çdo ditë shitën jo si dushk por si gogla”, përfundon për “Bota sot”, ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat