Lajm i keq për ‘nëntokën kriminale’ në Kosovë/ Po iu vjen fundi!

Politika

Lajm i keq për ‘nëntokën kriminale’ në Kosovë/ Po iu vjen fundi!

Nga: N. Sh. Më: 1 qershor 2022 Në ora: 22:43
Ilustrim

Ligji për burimet financiare të partive politike po vlerësohet si një hap pozitiv dhe shumë i mirë.

Nëse duam ta kemi shtetin e pastër funksional në bazat ligjore, ai shtet duhet të jetë në çdo pikëpamje i pastër nga krimi dhe gjërat tjera të dyshimta që vijnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Kështu vlerëson ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava, i cili shton se po i vjen fundi financimit të partive politike nga nëntoka kriminale.

Ai thekson se, deri më tani për periudhat zgjedhore janë kërkuar donator të ndryshëm që duan për të investuar edhe për çështje politike e partiake.

“Kjo praktikë ka vazhduar kështu që nga çlirimi e deri më tani, dhe po ata investitor është e kuptueshme që i kanë pasur kërkesat e tyre si kompensim në tenderë të ndryshëm që shteti është dashur tua kompensoj ato harxhime, prandaj duke i pasur këto situata të tilla e që në shumë raste ka pasur edhe keqpërdorime, është shumë e kuptueshme që është dashur të krijohet dhe të miratohet një ligj që i zgjedh këto çështje”, thotë Tërnava.

Ai pohon se, tash e tutje, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të financimit të partive politike, ato mënyra të sigurimit të ndihmave  do të marrin fund.

Image
Hajrullah Tërnava

“Është një hap përpara që do ta kemi në sigurimin e informacioneve lidhur me burimet e financimit të partive, dhe nuk do të ketë më mungesë të transparencës në financimin e partive politike, pasi që  do ta kemi një ligj të harmonizuar plotësisht me standardet e BE-së dhe i konsultuar dhe miratuar edhe nga Komisioni i Venecias”, potencon ai.

Sipas tij, me hyrjen në fuqi e këtij ligji do të jetë  fundi i financimit të partive nga paratë e pista të krimit të organizuar dhe nëntoka  kriminale, një mundësi që e ka lejuar dhe nuk ka arritur për ta sanksionuar ligji i kaluar.

“Pas dështimit në dy seancat e kaluara, Kuvendin e Kosovës, në seancën e fundit e ka miratuar me 63 vota për Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike, i cili është vlerësuar lartë edhe nga organizatat e shoqërisë civile që mbikëqyrin financimin e partive politike. Kjo është hera e tretë, përkatësisht legjislatura e tretë me radhë, që ky projektligj kalon nëpër procedurë ligjvënëse në parlament duke ju nënshtruar plotësimit dhe ndryshimit, në funksion të sigurimit të transparencës sa më të madhe dhe burimeve legale e ligjore të financimit të partive politike”, shton ai.

Sipas KDI-së, organizatë kjo që mbikëqyr afër financat e partive politike, Projektligji i ri për Financim të Subjekteve Politike adreson në masë të madhe shqetësimet e vazhdueshme lidhur me mungesën e transparencës financiare të subjekteve politike.

“Në opinionin pozitiv pas miratimit të ligjit, KDI thekson se duke i ditur dështimet dhe vonesat e shumta në përzgjedhjen e auditorëve nga Kuvendi, me anë të këtij projektligji, kompetenca për përzgjedhjen e auditorëve kalohet tek Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, të cilës i është siguruar një nivel i lartë i pavarësisë funksionale dhe buxhetore. Po ashtu, janë definuar kontributet që mund të marrin subjektet politike, si dhe masat sanksionuese në rast të shkeljeve”, shton ai.

Ky projektligj është në përputhje me opinionin e Komisionit të Venedikut si dhe kërkesave dhe rekomandimeve të kamotshme të shoqërisë civile.

“Me miratimin e këtij ligji tani e tutje do të thjeshtësohet situata e financimit të aktiviteteve të partive politike gjatë periudhave zgjedhore, dhe nga tani edhe zgjedhjet do të ngjajnë në zgjedhje legjitime shtetërore ku jetësohet ligji i financave, dhe pamundësohen ato veprimet e dyshimta të njerëzve që ishin donator të konsiderueshëm, e që edhe këto donacione për zgjedhjet nuk po bëheshin transparente”, potencon ai.

Ai thekson se, janë të paktë njerëzit që kanë qenë të njoftuar me ato donacione që ju kanë ofruar partive gjatë zgjedhjeve.

“Me këtë ligj pamundësohen keqpërdorimet dhe shteti edhe në këtë pikëpamje i eliminon mundësit e keqpërdorimeve. Me këtë zhvillim të ri pozitiv edhe shteti po e merr kahen e shtetit juridik si shumë shtete tjera të demokracive të avancuara dhe tani rrugëtimi i shtetit tonë drejtë BE-së do të jetë  më i lehtë”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat