Provokimi i ri/ Skenari serb: Si po tentojnë ta bëjnë objektin e Millosheviçit qendër terroriste e raciste në Kosovë

Politika

Provokimi i ri/ Skenari serb: Si po tentojnë ta bëjnë objektin e Millosheviçit qendër terroriste e raciste në Kosovë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 qershor 2022 Në ora: 12:01
Kisha kontestuese serbe në kampusin e Unisersitetit të Prishtinës

Në mëngjesin e së enjtes (2 qershor) ndodhi edhe një provokim i klerikëve serb në qendër të Prishtinës. Ata i ishin drejtuar objektit të papërfunduar, të cilin Sllobodan Millosheviçi, “Kasapi i Ballkanit” donte ta bënte kishë, por as ai gjatë regjimit të vet gjenocidal nuk e përfundoi dot.

Ajo tokë asokohe iu mor Universitetit të Prishtinës në mënyrë të dhunshme, dhe me vendime të paligjshme, të shpallura të pavlefshme nga UNMIK-u me rregullore, për të gjitha aktet shtypëse ndaj shqiptarëve pas suprimimit të autonomisë.

Pas luftës shqiptarët në vazhdimësi janë përpjekur ta kthejnë gjendjen normale në pronën universitare, por janë penguar nga UNMIK-u dhe ndikimet e propagandës serbe.

Në mes të debatit për vendimin kontestues nga Gjykata Kushtetuese për pronën e Manastirit, që ia dha në zotërim 24 hektarë, të ish pronave të ndërmarrjeve publike, të cilat prona gjithashtu gjatë një sistemi komunist, iu ishin konfiskuar shqiptarëve patriotë, me qëllime shtypëse, serbët e nisën një provokim të ri.

Mirëpo, ata u ndaluan nga Policia e Kosovës nuk u lejuan të hynë në pronën universitare.

Çka e bën edhe më të dyshimtë këtë rast është fakti se vetëm ditë më parë ka pasur disa alarme të rrejshme për bombë në objektin e Rektoratit të UP-së, pikërisht në afërsi të objektit, që Millosheviçi me dhunë dhe plaçkitje të pronës së UP-së, donte ta bënte një kishë politike.

Ndërsa, në lidhje me këtë rast u deklaruan edhe nga policia e vendit, ku Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës dha detaje në lidhje me këtë ngjarje.

“Rreth orës 04:30, njësia patrulluese policore përgjatë kryerjes së detyrave të zakonshme në zonën qendër, ka ndaluar një veturë me tre persona, dy nga të cilët shtetas të huaj. Ndërkohë që janë kryer veprimet e nevojshme verifikuese nga ana e policisë, të njëjtit janë lënë të lirë për të vazhduar më tej”, shtoi ai.

Shala: Ndoshta është duke u përgatitur ndonjë skenar nga ana e strukturave që operojnë në kuadër të kishës serbe në Kosovë

Për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Fillimisht, ai u shpreh se kjo është një situatë hipotetike, ku kërkoi nga organet e drejtësisë që të realizojnë disa hetime për të parë nëse alarmet e rrejshme për bomba në objektin e Rektoratit të UP-së kanë lidhje me përpjekjen për ta përdorur objektin e papërfunduar, për qëllime liturgjike nga Kisha Ortodokse Serbe.

“Në lidhje me situatën e krijuar nga tentativa për të hyrë në objektin e kontestuar në një proces gjyqësor në mes UP-së dhe pretendentëve për të shfrytëzuar objektin në mënyrë të kundërligjshme që është Kisha ortodokse serbe.

Kjo po paraqet në mënyrë hipotetike që duhet organet e sigurisë dhe prokurorisë të mirren me rastin e ndodhur para disa ditëve për alarme të rrejshme për mjete eksplozive në objektin e Rektoratit të UP-së, nëse kanë lidhje me aksionin e djeshëm", deklaroi eksperti.

Krahas kësaj, Shala paralajmëroi se Beogradi dhe Kisha serbe në Kosovë mund të kenë përgatitur një skenar, ku përmes të cilit synojnë destabilizimin brenda komuniteteve dhe kulteve fetare.

“Apo ndoshta është duke u përgatitur ndonjë skenar nga ana e strukturave që operojnë në kuadër të kishës serbe në Kosovë dhe që për qëllim kanë krijimin e një destabilizimi brenda komuniteteve dhe kulteve fetare që mundet pastaj të paraqitet situata që institucionet vendore nuk janë duke kryer punët e tyre në mbrojtje të kulteve fetare etj.”, theksoi ai.

Në fund, kërkon kontrolle të rrepta në të gjitha objektet ortodokse të kultit, në mënyrë që të shmanget përdorimi kriminal i tyre.

“Pra vigjilenca, observimi dhe kontrolli i hapësirave rreth objekteve të kultit duhet të jetë primar që mos t’i jepet hapësirë askujt të keqpërdor situatën e sigurisë”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Kelmendi: Kisha neoraciste serbe në oborrin e Universitetit "Hasan Prishtina" në Prishtinë duhet të rrënohet nga prona universitare

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot” kërkoi të rrënohet objekti për qëllime kishtare, i papërfunduar, në pronën e Universitetit.

“Objekti i ndërtuar me qëllime kishtare nacional-fashiste serbe i ndërtuar me masa të dhunshme në kohën e neofashistit Millosheviq në pronën e Universitetit "Hasan Prishtina", kërkohet të rrënohet (largohet) nga ana e organeve nga prona e Universitetit”, deklaroi ai.

Kelmendi potencoi se Serbia përmes ndërtimit të këtij objekti dhe objekteve të tjera pas viteve 1989, tentoi serbizimin e Kosovës.

Madje, ai beson se ndërtimi i një kishe të atillë, ishte për qëllime të nacionalfashizmit serbomadh, në mënyrë që të jetë në qendër të krimit.

“Ndërtimi i atij objekti ka karakter serbizues të Kosovës. Vetë ky fakt tregon se Serbia kishte synime shovenofashiste dhe çdo gjë që u krijua pas vitit 1989, atëherë kur u mor me dhunë statusi i autonomisë, është objekt i cili kërkon shkatërrim. Kështu është me kishën në pronën (oborrin) e Universitetit.

Serbia me masa të tilla pretendonte të krijonte një punkt tjetër mu në qendër të Prishtinës si bazë e nacionalizmit serbomadh. Objekti në pronën e tillë është e ndërtuar për këtë qëllim dhe për të qenë qendër e krimit. Nëpër këto punkte po krijohen edhe grupe të armatosura serbe që kanë për qëllim kryerjen e veprimeve terroriste në Kosovë”, theksoi njohësi i çështjeve kushtetuese.

Sipas tij, është e çuditshme që organet kompetente nuk marrin masa për ta rrënuar këtë objekt, pasi ai është ndërtuar me masa të dhunës fashiste.

Ai beson se nëse ai objekt lejohet të shndërrohet në kishë në oborrin universitar, më pas mund të bëhet edhe temë diskutimi në dialogun Kosovë-Serbi.

“I çuditshëm është mosveprimi i organeve kompetente. Universiteti "Hasan Prishtina" nuk ka nevojë të marrë leje nga askush për të vepruar. Është e ndërtuar me masa të dhunës fashiste dhe në pronën e Universitetit. Kjo mjafton për ta mënjanuar nga aty.

Në të kundërtën, ka mundësi, që ky objekt nacionalfashist të shndërrohet në temë të dialogimit midis Kosovës dhe Serbisë”, vlerësoi Kelmendi.

Ndër të tjera, njohësi i çështjeve kushtetuese paralajmëroi se nëse kjo çështje bëhet pjesë e dialogut, Kosova mund të kushtëzohet dhe ta pranojë atë, me ç’rast do të krijohej një qendër terroriste serbe në Prishtinë.

“Këtë duhet rrënuar, përndryshe, shndërrohet në temë diskutimi, prej nga Kosova detyrohet ndoshta ta pranojë. Me këtë vetë ne e krijojmë një qendër terroriste e raciste serbe në Prishtinë. E këtë e ka profesion Beogradi. Ka me qindra e mijëra vepra terroriste të bëra nga Serbia dhe kurrë nuk u arrestua askush për të dhënë përgjegjësi. Kisha në qendër të Prishtinës synon të bëhet bazë e terrorit serb në Kosovë. Këtë nuk duhet lejuar”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat