“Ose Albin Kurti në shtëpi, ose...”/ Çfarë skenari po përgatisin veteranët? Ja paralajmërimi i keq për Kosovën

Politika

“Ose Albin Kurti në shtëpi, ose...”/ Çfarë skenari po përgatisin veteranët? Ja paralajmërimi i keq për Kosovën

Nga: P.R Më: 7 qershor 2022 Në ora: 20:52
Albin Kurti dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku: Foto ilustrim nga "Bota sot"

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar të hënën para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale, ku disa nga ta u përplasen edhe me Policinë e Kosovës.

Në këtë protestë u lënduan dy zyrtarë policorë dhe një qytetar për shkak të gazit lotsjellës, që për të cilin, Policia deklaroi se nuk ka përdorur ndaj protestuesve, por ai dyshohet se është hedhur vet nga veteranët protestues.

E pas kësaj proteste, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka drejtuar një kërcënim të hapur ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Ka mu detyru me shku në shpi, se edhe në burg le të shkojmë se kemi problem. Albin Kurti po bon hajgare punë. Albin Kurti nëse kapet me veteranë ka me shku prej shpije se me punu s`ka me mujt. Ose në burg të gjithëve ose me punu në zyre nuk ka me mujt”, tha Faton Klinaku.

E kritika të ashpra ndaj Klinakut ka analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

“Ose Albin Kurti në shtëpi, ose krejt veteranët në burg”, është shprehja më brutale që mund të dalë nga goja e një personi të quajtur Faton Klinaku, qoftë ai edhe njëri prej udhëheqësve të përkohshëm të OVL e UÇK-së, kur dihet se Kosova është vend demokratik, i monitoruar dhe mbrojtur nga SHBA, NATO dhe shtetet e demokracive më të përparuara evropiane si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, vendet e QUINT-it etj, të cilat nuk janë këtu, për të parë se si shkatërrohet një shtet i lirë e demokratik i çliruar dhe ndërtuar me ndihmën e tyre, nga njëmendësia e elementëve envero-stalinist dhe argatët e Vuçiqit e të Edvin Kristaq Ramës, të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, Klinaku nuk e ka fuqinë që ta qojë në shtëpi Albin Kurtin.

“Madje edhe në shtetin e brishtë të Kosovës, ku vota e lirë e qytetarëve është e shenjtë dhe vendos, se kush do ta formojë qeverinë dhe udhëheq me shtetin, Faton Klinaku është tepër i vogël dhe tërësisht i pafuqishëm që ta qojë Albin Kurtin në shtëpi, për atë vendos vetëm populli i Kosovës dhe jo tepricat envero-staliniste, e për aq më tepër, ai nuk ka forcë, që t’i detyrojë as veteranët të shkojnë në burg, nëse ata ende vendosin vet, për vete dhe familjet e tyre. Veteranët secili kanë personalitetin dhe privatësinë personale në të cilat thirren me emër e mbiemër dhe në jetën e veprimet e tyre private, nuk guxon as nuk duhet të përzihet, as Faton Klinaku, ata nuk janë delet e Faton Klinakut as ai, bariu i tyre, që njëjtë si grigjën në vathë, ti qoj në tufë edhe veteranët në burg”, shprehet Qarri.

Më tej, ai thotë se deklaratat e Faton Klinakut janë fyerje për veteranët.

“Deklarimet e tij, bëjnë qytetarët e Kosovës, të dyshojnë me plot të drejtë, se veteranët nuk paskan dalë të protestojnë për hallet e veta, por për teket e Faton Klinakut, që është fyerje e rëndë edhe për unin dhe personalitetin e formuar të një veterani të njëmendtë, i cili di dhe është në gjendje të mendojë në mënyrë të pavarur dhe vendos vet-për vete, pa diktimet e Faton Klinakut”.

“Kështu që siç thotë fjala popullore, ka ardhur koha, "Për ti ndarë dhentë-dhishë", dhe Qeveria e Kosovës, në vend se të humb kohë me teket e envero-stalinistëve si Klinaku & Co, duhet të kërkojë urgjentisht nga Kuvendi i Kosovës, formimin e një komisioni të pavarur ndërparlamentar, që do të kishte për detyrë shqyrtimit një për një, deri në detaje, të të gjitha të dhënave të personave të regjistruar si veteranë, të sqarojë vërtetësinë e të qenët veteran i njëmendtë, të zbardhë vendndodhjen, moshën dhe veprimtarinë e secilit prej tyre gjatë viteve të luftës, për të parë nëse vërtetë të gjitha ata, ishin ushtarë të lirisë së Kosovës, apo ndonjëri, nëse jo edhe shumë sish, edhe shërbëtorë të Serbisë, por që tani marrin pagën e veteranit dhe rëndojnë pa të drejtë, buxhetin e varfër të Republikës së Kosovës”, shprehet analisti Gani Qarri.

Më tej, Qarri deklaron se protestat e veteranëve janë një kërcënim i hapur ndaj kryeministrit dhe qeverisë Kurti.

“Trazirat ishin kërcënim i hapur ndaj Kurtit dhe institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës, ato më tepër ngjanin në skenar të parapërgatitur nga OVL e UÇK-së, të dirigjuara nga Thaçi, Veseli e komandant të tjerë, që përmes njerëzve si Klinaku, të pushtonin me forcë sallën e Kuvendit, për shpërndarjen me dhunë të parlamentit dhe rrëzimin e Qeverisë, që në çfarëdo mënyre, të detyronin përmbysjen e institucioneve demokratike të shtetit, ti impononin Kosovës, një qeveri të përkohshme teknike, me skenar të para programuar, për shpalljen, pas disa muajsh, të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, siç janë mësuar ata të bënin në vend, me qëllim të rikthimit me dhunë të partive të inkriminuara në pushtet”, nënvizon Qarri.

E gjithë protestën e veteranëve e quan një skenar për realizimin e planeve të Hashim Thaçit me shokë.

“Pra e gjithë kjo rrëmujë, duket se u orkestrua nga klinakët dhe bashkëmendimtarët stalinistë, me shpresën se do t’i kthenin partitë e inkriminuara serish në pushtet, për realizimin e ideve kuislinge të Hashim Thaçit me shokë, për formimin e asociacionit kundërkushtetues një etnik serb në Kosovë, të cilin pas Ramë Bujës e Vlora Çitakut, vetëm dy-tri ditë para protestës, e kërkoi tanimë në cilësi të "ekspertit" juridik, edhe ish eksponenti i PDK-së, Kadri Kryeziu, skenar që me ndihmën e kryetarit "nën hije", të "qeverisë” së sapoformuar “flladitëse” të PDK-së, Edvin Kristaq Ramës, ka për qëllim ndarjen përfundimtare të Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë fashiste të Aleksandër Vuçiqit”.

Ai thotë se duhet urgjentisht që të ndodhëpastrimi i listave të veteranëve të UÇK-së.

“Për aq më tepër, nuk guxon të hidhet në harresë edhe fakti i trishtë, se në Dukagjin dhe rajonet kufitare me Shqipërinë si në Rekë e Has dhe jo vetëm, njihen me emra njerëzit që në kohë lufte, apo thënë më saktësisht; në verën dhe vjeshtën e vitit 1998, bënë edhe dorëzimin komplet të armatimit të UÇK-së, duke e festuar bashkërisht në shtëpitë e tyre, dorëzimin e armatimit, me “komandirët” e policisë kriminale serbe si Millutin Preshqeviq, me të shtëna armësh, këngë serbe dhe mish dashi e raki të shtrenjtë. Emrat e tyre përveç Ramush Haradinajt i di mirë edhe Klinaku me "shokët" në krye të OVL-së, por që përkundër të gjithave, pikërisht ata, sot figurojnë edhe si "heronj" të "pagëzuar" nga vet partia e Ramush Haradinajt, ndaj listat me emrat e veteranëve, heronjve e dëshmorëve, duhet medoemos të verifikohen, nga një komision i pavarur parlamentar”, shpjegon Qarri.

Sipas Qarrit, veteranët e rrejshëm janë bastardim i luftës për çlirimin e Kosovës.

“Me shpalljen në këmbim të parave dhe ryshfeteve të majme, të emrave të dyshimtë si heronj dhe futjen në listën e veteranëve edhe të personave, që gjatë viteve të luftës, kanë qëndruar në Serbi e Mal të Zi, bastardohet hapur dhe në mënyrën më të rëndë edhe vet lufta dhe historia e lavdishme e UÇK-së, ndaj është me rëndësi jetike, që para protestave e trazirave të dhunshme për ta rrëzuar me dhunë Qeverinë dhe shkatërruar shtetin, të hulumtohen të gjitha dosjet e personave të regjistruar si veteran, një nga një, si për spastrimin e listave, nga ata që nuk ishin veteran të njëmendtë, aq më tepër, për largimin e bashkëpunëtorëve dhe spiunëve të Serbisë nga lista e heronjve, dëshmorëve dhe veteranëve, për shpëtimin nga njollosja e qëllimshme e historisë së lavdishme të UÇK-së, gjë që do ta qartësonte plotësisht të kaluarën dhe të ardhmen tonë, si dhe do ta lehtësonte pa masë edhe buxhetin e shtetit të Kosovës”, thekson Qarri.

Për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së, Qarri akuzon PDK-në dhe AAK-në.

“Vet fakti, që të dy partitë politike të cilat rrahin gjoks se "themelet" i kanë nga lufta e UÇK-së, si PDK dhe AAK, serish po manipulojnë në emër të UÇK-së, duke synuar që tani pa ndihmën e Listës srpska, por duke keqpërdorur hallet e veteranëve të njëmendtë përmes manipulimit, ta rrëzojnë edhe Qeverinë Kurti-2, nga pushteti, për interesin e vet elektoral e partiak dhe klientelat e tyre kriminale, për të dalë, serish mbi ligjin dhe kushtetutën e vendit, të dy këto subjekte manipuluese politike, dëshmuan hapur, se as që e kanë hallin e veteranëve të vërtetë të UÇK-së, të cilët realisht llogaritet të jenë nga 15000-19000 sish, por të atyre mijëra mashtruesve, në mesin e të cilëve mund të ketë edhe ish bashkëpunëtor të pushtetit kriminal të Serbisë, të cilët janë regjistruar si veteran nga PDK dhe AAK për para të majme dhe rritjen e mbështetësve të vet, si dhe për përvetësimin e votave të familjarëve dhe "akraballëkut" të tyre, në zgjedhje”, deklaron Qarri.

Ai thotë se PDK dhe AAK në pamundësi të fuqisë së votës, po synojnë shkatërrimin e rendit institucional në Kosovë përmes trazirave.

“Kështu që veprimet brutale me të cilat, PDK dhe AAK, sapo kanë filluar promovimin e shkatërrimit të shtetit dhe sistemit institucional, duke rreziku qëndrueshmërinë politike dhe buxhetore, për ta dështuar deri në themel shtetin e Republikës së Kosovës, me formula të orkestruara partizano-guerile, ku deputetë të opozitës, u panë duke u pri disa protestave, si ato për Trustin, protestave të sindikatave dhe tani edhe protestave të veteranëve, këto nuk janë asgjë më pak, se sa thirrje publike, për kaos dhe shkatërrim të asaj që me aq shumë mundë, vuajtje e përpjekje është ndërtuar për 23 vitet e pasçlirimit. Opozita e inkriminuar, me skena të tilla të llahtarshme që po i shohim ditëve të fundit, po ri-sjellë serish kujtimet, e zhvillimeve dramatike, të para vitit 2008, kur çdo ditë menaxhonte kriza të orkestruara, përmes grupeve kriminale, për ngritjen e tyre me çdo kusht në pushtet, apo shkatërrimin deri në themel, të shtetit në krijim të Kosovës”, nënvizon Qarri.

“Përndryshe udhëheqësit kryesor të PDK-së dhe AAK-së etj, po të ishin aq të sinqertë me veteranët dhe hallet e tyre, nuk do të lejonin, që për mbi 13 vite të qëndrimit në pushtet, vet të bëheshin multi-milioner ndërsa veteranët të vuajnë edhe për bukën e gojës, madje një numër sosh, e dinë mirë të gjithë qytetarët e vendit, se kanë bërë edhe vetëvrasje, pikërisht në vitet e sundimit të Kosovës nga PDK & Co, ndaj dhe lind pyetja e patejkalueshme, se athua vallë, vërtetë i kanë harruar veteranët e njëmendtë, të gjitha këto?!”, përfundon për gazetën “Bota sot” analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat