“Pse Serbia dhe Rusia janë dashuruar kaq shumë në Edvin Kristaq Ramën”? Analisti ‘godet’ kryeministrin shqiptar për Ballkanin e Hapur

Politika

“Pse Serbia dhe Rusia janë dashuruar kaq shumë në Edvin Kristaq Ramën”? Analisti ‘godet’ kryeministrin shqiptar për Ballkanin e Hapur

Nga: N. Sh. Më: 9 qershor 2022 Në ora: 23:06
Edi Rama

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në kuadër të “Ballkanit të Hapur” gjatë ditës së djeshme kanë nënshkruar katër marrëveshje të bashkëpunimit në Ohër.

Tri shtetet nismëtare të “Ballkanit të Hapur” kanë nënshkruar marrëveshjen për luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunimin kulturor dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.

Në lidhje me Ballkanin e Hapur, ka folur analisti politik Gani Qarri.

Ai thotë se, asnjë përfaqësues i lartë i BE-së, nuk ka pohuar asnjëherë deri më tani, se konvertimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në idetë serbo-ruse siç quhej dje; "Mini-Shengeni", sot “Ballkani i Hapur", e pasi që u qartësua nga vet Lavrov se ishte ide puro ruso-serbe, ndoshta nesër edhe "Mala Rasia" apo Rusia e vogël", se këto vende, do të integrohen më lehtë në Bashkimin Evropian.

E këtë çuditërisht e thotë njeriu më jokompetent dhe ai që nuk ka ekspozuar kurrë, asnjë ide të avancuar për integrimin e Shqipërisë në BE, Edvin Kristaq Rama, pa shpjeguar kurrë se pse integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në BE, u dashka t’i paraprijë kollofytja e tyre në nismat serbo-mëdha, të Vladimir Putinit dhe Aleksandëtr Vuçiqit”, thotë Qarri.

Ai thekson se, idetë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm që nuk mungojnë, por edhe vijnë me bollëk nga vet shtetet më me rëndësi të Bashkimit Evropian, si Gjermania e së fundi edhe nga Austria, të cilat përveçse janë shumë më atraktive, ato njohin edhe pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit tonë të lirë dhe në krahasim me nismat serbo-ruse, janë shumë më të besueshme e me garanti të 100%-të, se nuk përmbajnë në vete, kërcënime as pretendime territoriale si idetë konfuze që vijnë nga Serbia, si dhe nuk cenojnë sigurinë, e rregullimin e brendshëm shtetëror dhe respektojnë në plotëni integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Image
Gani Qarri

“Madje duke pas parasysh se edhe projekti më i ri i njohur si "Non paperi austriak" parasheh integrimin progresiv në tregun e njësuar të punës, transportin e lirë e pa pengesa të njerëzve dhe mallrave, uljen dhe heqjen e tarifave doganore, përfshi produktet bujqësore e blegtorale si dhe lëvizjen e lirë të punëtorëve, të gjitha këto masa, do ta përshpejtonin në masë, shumë të madhe, se sa i ashtuquajturi “Balkan i Hapur”, plotësimin e kushteve dhe shkurtonin rrugën e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Kosovën në Bashkimin Evropian”, potencon ai.

Ai thotë se Kosovës nuk i duhet nisma serbo-ruse e Open Ballkanit.

“Përfundimisht, marrë në konsideratë gjendjen në të cilën, aktualisht ndodhet Republika e Kosovës, në kontest me Serbinë dhe pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë, Kosovës nuk ka se çfarë i duhet, nisma serbo-ruse e Ballkanit të Hapur" pasi që si Procesi i Berlinit, ashtu edhe i ashtuquajturi "Non paper austriak", janë shumë më të avancuara, janë origjinal evropian-perëndimorë, ku Kosova synon të integrohet dhe njëra as tjetra, nuk kanë të bëjnë me intrigat serbe e ballkanike, që është me rëndësi jetike e të pazëvendësueshme për Kosovën, ngase që të dyja bashkë, përveç politikave për fqinjësi të mirë, përtej “modeleve ekzistuese, ballkanike”, synojnë edhe integrimin progresiv të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, pa cenuar shtetësinë, sovranitetin, kufijtë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovë”, thekson ai.

Ai shton se, Kosova duhet tu përmbahet vetëm nismave origjinale evropiane.

“Ndërsa krejt ndryshe qëndron puna me Serbinë, madje presidenti i saj edhe në tekstin e betimit, kërcënoi publikisht me ri okupim Kosovën, kështu që duke ditur pretendimet e hapura dhe problemet e vazhdueshme, që ngritë Serbia në vijimësi, duke u përzier edhe në punët tona të brendshme dhe nxitur, sa herë mundet e arrin, bandat kriminale serbe, për shkaktimin e tensioneve politike në veri të vendit tonë, pavarësisht veprimeve të vendeve sllave të jugut dhe adhuruesve deri në përulje të Serbisë, si Edvin Kristaq Rama, Kosova duhet tu përmbahet vetëm nismave origjinale evropiane të cilat vijnë nga vet shtetet e BE-së,, pa përzierje në to, të "nismave" serbe e ballkanike, ku dominojnë intrigat serbo-ruse të Vuçiqit, me planet afatgjata për ri gllabërimin, në cilëndo formë dhe mënyrë, të Republikës së Kosovës, nga Serbia”, thotë ai.

Qarri pohon se, edhe vet ministri i jashtëm i qeverisë kriminale ruse të Vladimir Putinit, deklaroi publikisht se në Beograd do të vinte, që të bisedonte me Serbinë për forcimin dhe çuarjen përpara të idesë ruso-serbe të "Ballkanit të Hapur".

“Ky organizëm misterioz përmes të cilit Rusia kishte planifikuar, që para bllokadës botërore, për shkak të okupimit të Ukrainës nga Rusia, përmes të ashtuquajturit “Ballkanit i Hapur” ta bënte kontrabandimin "legal" të parave dhe mallrave ruse, duke ua ndërruar vetëm etiketat, apo mbishkrimet e paketimeve, nga "Made in Rusia" në Made in Serbia", pasi që pikërisht për këtë qëllim, Serbia kishte lidhur paraprakisht marrëveshje "ekonomike" me Rusinë dhe vendet aziatike nën ndikimin e Moskës”, potencon Qarri.

Ai shton se kjo dëshmon më së miri se sa rëndësi të madhe ka për Rusinë “Ballkani i Hapur”.

“Kjo edhe shpjegon qartë se pse Serbia dhe Rusia janë dashuruar kaq shumë edhe në Edvin Kristaq Ramën, duke lutur edhe Malin e Zi, e Bosnjë Hercegovinën, madje edhe Republikën e Kosovës, që duke u bërë "pjesë integrale" e Serbisë, siç pretendon edhe Edvini, miku i Vuçiqit, t`i bashkohet kësaj nisme ruso-serbe, me tentimin e shfrytëzimit dhe shtrirjes në teren sa më të gjerë, të kontrabandimit të mallrave dhe parave ruse në Ballkan dhe Evropën Jugore”, thotë ai.

Kështu që, Qarri thotë se, sa u takon të ashtuquajturave marrëveshje, të nënshkruara në Ohër, vendi ynë as që duhet të mendojë për to, kur dihet mirë fakti se Kosova ka mbi 11 vite me radhë, që ka nënshkruar disa dhjetëra marrëveshje me Serbinë në kryeqytetin e BE-së me ndërmjetësimin e përfaqësuesve më të lartë evropian, por sot e atëherë, kanë kaluar më tepër se një dekadë dhe megjithatë është vet Serbia ajo, që shumicën e marrëveshjeve të nënshkruara në letër, nuk i zbaton edhe në terren dhe praktikë.

“Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, në nismën serbo-ruse të të ashtuquajturit "Ballkan i Hapur" Serbia edhe 23 vite pas çlirimit, tenton që me ndihmën e argatit të saj besnik, Edvin Kristaq Ramës, ta fus Kosovën si pjesë "integrale" të territorit të saj, prandaj zoti Eskobar, duke pasur informata të dorës së parë nga ambasadori amerikan në Serbi, i cili kësaj radhe ishte edhe vet i pranishëm në takim, u detyrua të deklaronte publikisht nga SHBA, se pjesëmarrja në këtë nismë, duhet të nënkuptojë, tretman të barabartë, për të gjitha shtetet, gjë që vet Serbia si "iniciatorë" nuk e pranon për Kosovën, kështu që qëndrimi sa më larg i Kosovës, nga kjo nismë misterioze, është politika më largpamëse e udhëheqësve të vendit tonë”, thotë ai.

Në fund ai tregon se si do t’i hapeshin dyert Kosovës për integrim në NATO dhe BE.

“Vetëm me integrimin e përshpejtuar në BE, bazuar në Procesin e Berlinit apo projektin e ashtuquajtur "Non paperi austriak" Kosova do të përfitonte shumë edhe politikisht, ngase pavarësia e shtetit tonë, do të njihej edhe nga pesë vendet e fundit të BE-së, do të trajtohej si shtet i pavarur edhe nga vet Bashkimi Evropian, si dhe do t’i hapeshin dyert për integrim në NATO, e të gjitha organizatat tjera botërore me rëndësi dhe anëtarësohej si shtet i pavarur me të drejta të plota në OKB, që është edhe synimi më vital e hapi më madhor për vendin tonë dhe popullin e Republikës së Kosovës”, përfundon Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat