“Shqipëria ia plotëson ëndrrën shekullore Serbisë, Abazoviç “Kali i Trojës”/ Çfarë nuk u pa në samitin e “Ballkanit të Hapur” në Ohër?

Politika

“Shqipëria ia plotëson ëndrrën shekullore Serbisë, Abazoviç “Kali i Trojës”/ Çfarë nuk u pa në samitin e “Ballkanit të Hapur” në Ohër?

Nga: P.R Më: 10 qershor 2022 Në ora: 20:57
Takimi i liderëve në kuadër të nismës "Ballkani i Hapur". Ohër, 7 qershor 2022.

Në Ohër të Maqedosnisë së Veriut është mbajtur takimi i radhës i “Ballkanit të Hapur”, ku morën pjesë Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, dhe për herë të parë iu bashkua edhe Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Kosova tashmë ka mbetur shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimore që refuzon t’i bashkohet projektit, i cili po cilësohet si i ideuar dhe i projektuar nga Beogradi zyrtar.

E Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” që u mbajt më 7 dhe 8 qershor në Ohër, nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume.

Për të folur për zhvillimet në Ohër, dhe të ardhmen e Ballkanit, gazeta “Bota sot” ka folur me profesor, doktor Enver Bytyçin. Ai e quan show mediatiak samitin në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi

“Ballkani i Hapur shënoi në samitin e Ohrit shoun e radhës. U nënshkruan nja tri-katër marrëveshje. Edhe marrëveshja për njohjen e diplomave. Në fakt kjo marrëveshje, së paku, është nënshkruar midis Shqipërisë dhe Serbisë më shumë se para një dekade. Po ashtu midis Shqipërisë dhe Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Por jemi mësuar që të shohim se si bëhet propagandë me nënshkrimin e marrëveshjeve tri-palëve, të cilat janë nënshkruar me kohë në marrëveshjet dy palëshe”, thotë Bytyçi.

Sipas Bytyçit, Shqipëria po ia mundëson realizimin e ëndrrës shekullore të Serbisë, daljen në Detin Adriatik.

“Sepse Serbia nuk i respekton marrëveshjet dhe për shkak se u duhet të promovojnë “Ballkanin e Hapur” me lugën bosh! Kështu do të shkojë derisa të nënshkruhet marrëveshja që Serbia të ketë status të barabartë me Shqipërinë për portin e Durrësit e të Shëngjinit dhe derisa de facto të bëhet Serbia pronare e njërit ose të dyve këtyre porteve. Me marrëveshjen e porteve Serbia del në Detin Adriatik dhe plotëson ëndrrën dy shekullore të saj. Këtë ia mundëson Edi Rama. Madje në kurriz të Kosovës. Por jo vetëm kaq. Me daljen në Adriatik, Serbisë i krijohen mundësitë që të zgjerojë territoret e saj në jug dhe jug-perëndim të Ballkanit, në territorin e Kosovës, të Maqedonisë e ndërkohë synohet të zhduken nga harta tri shtete, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Ky është synimi gjeopolitik i Open Balkan. Këtë e di edhe Edi Rama, sepse këtë skenar ia kanë shpjeguar Aleks Sorosi dhe Aleks Vuçiq!”, shpjegon profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi e quan “Kali i Trojës” kryeministrin e Malit të Zi, shqiptarin Dritan Abazoviç.

“Por kësaj radhe risi ishte kali i Trojës, Dritan Abazoviç. Kryeministri malazez i zgjedhur me votat e opozitës së Milo Gjukanoviç, zhgënjeu në disa dimensione në pritshmëritë e tij. Zhgënjeu Kosovën, përkatësisht kryeministrin e saj, zotin Kurti, i cili kishte shpresa se ky Abazoviçi do të rishikonte vijën kufitare me Malin e Zi e nuk do bëhej pjesë e “Ballkanit të Hapur”. Zhgënjeu Kosovën, sepse u bashkua me Vuçiq dhe Edi Ramën kundër saj në rrafshin politik. Zhgënjeu Milo Gjukanoviçin, i cili është kategorikisht e në mënyrë të prerë kundër Ballkanit të Hapur. Pra Abazoviç rezulton një zhgënjim i madh. Tani shqiptarët duhet ta kuptojnë se Edi Rama ishte aq entuziast atë mbrëmje kur ai u votua për kryeministër të Malit të Zi!”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Bytyçi thotë se Dritan Abazoviç kishte urdhër nga Sorosi për të qenë në Ohër.

“Në Ohër ishin veç treshes anëtare të “Ballkanit të Hapur”, edhe dy kryeministra, ai I Malit të Zi dhe ai i Bosnjë Hercegovinës. U duk ky akt I tyre si sfidë ndaj Kosovës. Por shqiptarët duhet të mësojnë një të vërtetë: Dritan Abazoviç kishte urdhër nga Sorosi për të qenë në këtë samit. Ai nuk ishte në Ohër si anëtar i këtij forumi serb, sepse nuk e ka autorizuar as parlamenti, as presidenti dhe as qeveria e tij. Është pra si individ I veshur me një funksion te larte shtetëror. Kryeministri i BH ishte për shkak të përkatësisë së tij etnike serbe. Ndaj dhe ai nuk ishte i autorizuar nga institucionet e këtij vendi. Ndaj dhe pjesëmarrja e tyre ishte dekor i Vuçiq, Ramës dhe kryeministrit maqedonas”, shpjegon Bytyçi.

Sipas Bytyçit, nëse Kosova bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”, do ta humb pavarësinë që ka ndaj Serbisë, qëllim ky edhe i Serbisë përmes “Ballkanit të Hapur”.

“Duke qenë se përfaqësonin vetveten, të dy kryeministrat e ftuar si vëzhgues nuk mund të venë në siklet qeverinë e Kosovës. Nuk mund ta kompleksojnë kryeministrin Kurti, as institucionet e tjera të Kosovës. Kosova është e pavarur. Nëse ajo tenton e hyn në një klub me Serbinë dhe në këtë klub bën pjesë edhe Vuçiqi nr 2, fatkeqësisht kryeministër i Shqipërisë, atëherë Kosova do ta humbasë këtë pavarësi. Do të shkatërrohet e rrënohet në projektin e saj të shtetësisë. Ky është qëllimi dhe funksioni i “Ballkanit të Hapur”. Zhbërja e Kosovës dhe rikthimi i sovranitetit serb në Kosovë”, thekson profesor Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi tregon arsyet, që sipas tij do të çojnë në dështimin e projektit të “Ballkanit të Hapur”.

“Unë besoj se “Ballkani i Hapur” do të dështojë, sepse ai është projekt i ngritur për interesa okulte gjeopolitike në favor të Serbisë dhe ekonomiko-financiare në favor të Sorosit dhe oligarkëve autokratë e kleptokratë të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pashë që disa politikanë në Kosovë kanë shkruar me dëshirën për ta shikuar Kosovën në këtë klub. Për turpin e tij ndonjë prej tyre nuk po mundet të shkëputet nga e kaluara e tij e errët në raport me atdheun e vet, jo me politikën. Ky është kërcënim serioz për Kosovën. Nëse dikush në SHBA apo në Evropë, nëse Edi Rama, Abazoviç e të tjerë e duan Kosovën në Ballkanin e Hapur, ata duhet t’i bëjnë presion Vuçiqit ta njohë pavarësinë e shtetësinë e saj e më pas të bëhet konstituimi i saj aty”.

“Por me rregulla të qarta, me objektiva dhe marrëveshje pa ekuivoke, ku secili shtet të jetë i barabartë me tjetrin! Kjo i mungon Kosovës. Presidenti Gjukanoviç dhe anëtari i presidencës boshnjake, Xhaferoviq, e njohin qëllimin e Serbisë, që përmes Open Balkan të shkatërrojë shtetësinë e këtyre dy shteteve. Prandaj dhe “Ballkani i Hapur” nuk ka për të funksionuar. Rama dhe Vuciq do të paguajnë ndonjë evropian e amerikan ta thotë ndonjë fjalë të mirë për ta. Do të flasin me superlative për njëri-tjetrin. Rama do ta falënderojë Vuciqin që po e furnizon Shqipërinë me bukë dhe Vuciq do ta falënderojë Ramën për mbështetjen që i bën “Ballkanit të Hapur”. Por Ky “Ballkan i Hapur” do të dështojë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat